Shqipëria/Aktualitet

Mbyllet zyrtarisht votimi për zgjedhjet e 14 majit

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Në orën 19:00 është mbyllur zyrtarisht procesi i votimit në të gjithë vendin, për zgjedhjen e 61 kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë.

Ndërkohë po vijon procesi i votimit, sipas rregullores, në ato qendra ku kishte ende qytetarë në pritje deri në orën 19:00.

Sipas orarit zyrtar, qendrat e votimit u hapën në orën 07:00  dhe u mbyllën në orën 19:00.

Në të gjithë vendin janë 5213 qendra votimi ku me vendimin e KSHZ është shtuar një QV e posaçme në IEVP Tepelenë ndërsa ditën premte, datë 12.05.2023, me vendim Gjykate është shtuar një Qendër Votimi e Posaçme, në IEVP BELSH.

3,650,550 qytetarë me të drejtë vote u ftuan të votojnë për të zgjedhur 61 drejtuesit e rinj të bashkive. 122 545 zgjedhës votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 14 majit.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit garojnë në total 23 907 kandidatë për kryetarë bashkie dhe këshilla bashkiakë.

Konkretisht në garë për kryetarë bashkie janë regjistruar 144 kandidatë, ndërsa 23 763 kandidatë të tjerë garojnë për këshillat bashkiakë.