Histori

Marrëveshjet e SHBA – ve me Zogollin dhe marrëdhëniet me shtetin e Enver Hoxhës menjëherë pas Luftës

Cilat ishin marrëveshjet që SHBA kishte bërë me Zogun dhe pse shkelën ligjet ndërkombëtare duke i kushtëzuar qeverisë Shqiptare se do ta njihnin atë vetëm në rast të nënshkrimit të njohjes së këtyre traktateve. Si mund të firmoste një kusht të tillë qeveria Shqiptare, pa u njohur më parë me traktatet e fshehta që Zogu kishte bërë në kurriz të popullit shqiptar?
Në përgjigje të Notës së kryetarit të misionit amerikan në Tiranë, në lidhje me kërkesën e njohjes së qeverisë Shqiptare nga qeveria e SHBA, Enver Hoxha do të shkruante midis të tjerash si më poshtë.
17 nëntor 1945
Përsa u përket traktateve ose marrëveshjeve që
mund të jenë lidhur në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë para datës 7 prill 1939, i referohemi letrës që ju kemi drejtuar më 13 nëntor 1945 me anën e së cilës ju kërkojmë të na dërgoni kopje të instrumenteve të këtyre traktateve ose marrëveshjeve për të shikuar brendinë e tyre, meqenëse shumica e arkivës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë është djegur ose grabitur nga okupatorët. Por ne shpresojmë se kjo nuk do të sjellë asnjë vonesë në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, kështu që qeveria jonë të mund të marrë shpejt në shqyrtim të gjitha marrëveshjet që mund të ekzistojnë në mes dy vendeve tona.
Duke pasur si themel të shëndoshë parimet demokratike, duke i mbrojtur dhe duke i zbatuar përpikërisht me të gjitha forcat e veta, qeveria jonë shpreson se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vendosë sa më parë marrëdhënje diplomatike me qeverinë tonë, marrëdhënie që do të forcojnë miqësinë që ekziston në mes të dy popujve tanë. Populli shqiptar, që pa rezerva dha gjithë ç’kishte, për kauzën e përbashkët me aleatët, këtë të drejtë e ka fituar me gjakun e tij që derdhi gjatë luftës së përbashkët për liri e demokraci. Ju sigurojmë gjithashtu se populli shqiptar, ashtu si ka qenë i pari në luftë, është dhe do të jetë kurdoherë në radhë të parë për të mbrojtur paqen, indipendencën dhe integritetin tokësor të vendit të tij.
Kryeministri i Shqipërisë
Gjeneral-Kolonel
Enver Hoxha
( Eshtë fjala për njoftimin për vendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë, që i paraqiti më 12 nëntor 1945 shefi i misionit të SHBA në Shqipëri H.T.Fulz, Kryetarit të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës.
Ky njoftim i Qeverisë së SHBA, ashtu sikurse edhe ai i Qeverisë së Britanisë së Madhe ishte vetëm një manovër politike. )