Ai ka thënë se janë 5.004 delegatë që kanë zgjedhur të shkëputen nga e shkuara. Basha theksoi se nuk do të japë dorëheqjen nga drejtimi i partisë dhe shtoi se një hap të tillë duhet ta ndërmerrte ish-kryeministri Sali Berisha, pas shpalljes non grata nga DASH.

“Sot PD ka pasur vetëm një aktivitet politik. I vetmi që PD ka pasur është Kuvendi Kombëtar. 5.004 delegatë kanë folur qartë, kanë zgjedhur të shkëputen nga e shkuara për hir të Shqipërisë dhe shqiptarëve për ndryshim. E vërteta është ajo që është. Pjesa që i takon së shkuarës të mbetet në të shkuarën, me të u ndamë sot njëherë e përgjithmonë. Është qesharake kur dikush që është shpallur non grata nuk arrin të ruaj fijen e dinjitetit njerëzor, e kalon në kërcënime ndaj deputetëve të PD. Sali Berisha është e shkuara. Çdo demokrat që kërkon t’i bashkohet betejës ndaj regjimit të Ramës, jam gati të bëj gjithçka që është në dorën time e të shpreh mendimin e të gjithë anëtarëve të kryesisë. Asnjë kryetar i PD s’ka pse të japë dorëheqjen nëse shpallet non grata Berisha. Ai duhet të jepte dorëheqjen për dinjitetin e tij. Ai vendosi rrugën që vendosi dhe ne morëm vendimet tona, ndaj i gjithë fokusi ynë do të jetë e ardhmja e shqiptarëve”, tha Basha.