Dikush këtu në fesjbuk më ironizoi lidhur me evokimin që u bëj unë fakteve dhe vlerave nga koha e Enverit, Sipas tij, Edi e ka thënë saktë që ishte kohë talebanësh. Natyrisht, ky është gjykim i momentit për momentin. Ka edhe të tjerë shokë, miq e të afërm që më kanë kritikuar, më quajnë nostalgjik, ka që mendojnë se jam Enverist, ka që mendojnë se dua të kthehet ajo kohë e të tjera etiketime.
Miq, unë e di, sot është moderne të tregosh përbuzje ndaj çdo gjëje të kohës së Enverit. Atëherë pse jam kontrovers unë?
Natyrisht mund të jem edhe i gabuar, por po përpiqem, sipas mundësive që kam, të evokoj të mirën, të evokoj vlerat si komb, të cilat në kuadrin e luftës kundër komunistëve i zhbëmë dhe tani kemi mbetur në zall. Me njeriun e pavlershëm mund të bësh si të duash. Ky ka qenë qëllimi, dukshëm, të paktën i fqinjëve tanë armiqësorë.
Asnjëherë nuk më ka pëlqyer psikologjia jonë kombëtare dhe sidomos sjellja jonë me “të fortin” që nuk është më (sistem, person, a diçka tjetër), për të cilin themi të gjitha të zezat dhe ndërkohë glorifikojmë “të fortin” që është. Kështu kemi bërë vazhdimisht dhe e kemi pësuar dhe nuk po zëmë mend. Kështu flisnim në kohën e Enverit për kohën e Zogut, sot flasim vetëm për të mirat e asaj kohe. Pra gjithnjë në ekstrem. Do të vijë një kohë që do të flitet ndryshe edhe për kohën e Enverit dhe ne, si servila, do ta hamë llafin e do të kthehemi ta vlerësojmë vetëm për mirë, duke shkuar prapë në ekstrem.
Jo, ne duhet të mësohemi të vlerësojmë gjërat siç janë. Historia jonë është historia jonë. Duke sharë gjithçka të mirë, ne mbetemi pa histori, pa vazhdimësi, gjithmonë i nisim gjërat nga e para. “Gjithçka e mirë ka filluar ditën që përmbysëm sistemin e kaluar”, kështu mësohet në shkolla, po a ka qenë vërtet kështu?, përse nuk e themi dot të vërtetën, ne jemi në një sistem demokratik ku nuk ndalohet liria e mendimit, liria e shprehjes, përkundrazi lejohen.
Ja bie fjala, qëllon që unë të them ca të vërteta, mirëpo janë disa që nuk kjo u pëlqen, se kanë vuajtur në atë kohë dhe meqë kanë vuajtur ata duhet që edhe ne të paraqitemi të tillë, pra ta bëjmë të bardhën të zezë për hir të tyre, që do të thotë se tani duhet të vuajmë edhe ne të gjithë, se të mos thuash dot të vërtetën, është vuajtje, sidomos kur mendon se je i lirë.
Ç’të keqe do të kemi nëse përmendim të mirat e asaj kohe, vlerat e asaj kohe dhe mbi bazë të tyre të formojmë moralin e ri qytetar, karakterin tonë. Duhet të mos harrojmë se një komb mbështetet në dy shtylla të mëdha, në moralin dhe në karakterin kombëtar. Ne këto të dyja i kemi zhbërë me gjithsejt.
Ishim të fundit tha dikush. Po, por kur kemi qenë në krye, ne gjithnjë të fundit kemi qenë, përse atij sistemi i kërkojmë këtë dhe meqë nuk arriti e zerojmë gjithçka? Po tani ku jemi? Përse anatemohet ajo periudhë që ishim të fundit? Pse nuk themi se sot jemi edhe më të fundit?
Përse është sakrilegj të përmendësh ato të mira që bëri ai sistem? A e dini se tamam këtë urrejtje përdorën armiqtë tanë shekullorë për të shkatërruar të gjithë industrinë dhe bujqësinë tonë, për të shkatërruar arsimin, kulturën, shkencën, shëndetësinë e gjithçka pozitive të arritur deri në atë kohë, duke na mashtruar me çekun e bardhë e duke na lënë në mëshirë të fatit, rrugëve të botës? Kjo bëri që jo vetëm të zgjerohej tregu për mallrat serbe, greke dhe të fqinjëve të tjerë që nuk shkatërruan asgjë, por edhe të dobësoheshim si shtet, aq sa u kthye sllogani i vjetër se shqiptarët nuk bëjnë dot shtet. Ne vërtet ishim individë të varfër, por ama ishim një shtet i pasur. Mbi 500 miliardë dollarë vlerësohen uzinat, fabrikat, kombinatet, që u shkatërruan, një shumë marramendëse edhe sot, po pasuritë e tjera?
Pastaj, të mirat apo vlerat që evokoj unë, nuk është se kanë brenda moralin komunist, që të thuhet, ore, çfarë po na bën ky tani.
Ajo periudhë vërtetoi se po të kemi qeveri kombëtare, qeveri që mendon për popullin, ne bëjmë gjëra të mëdha.
Ai sistem nuk bëri keq, ai dështoi të bënte atë që premtoi, por arritje pati. Pati shumë arsye që dështoi, të jashtme e të brendshme, njëra qe që ndoshta ngaqë nuk arriti dot të kombinonte dy parimet e rëndësishme të secilit sistem: konkurrencën me planifikimin ekonomik. Këto dy parime duhet të bashkëveprojnë dhe jo të asgjësojnë njëri-tjetrin.
Ja, në Suedi duket se ka një lloj bashkëpunimi mes këtyre parimeve. Kështu nëse doje të hapje një biznes, bie fjala, berber, nuk të jepte njeri licencën aty ku doje ta ushtroje ti, nëse aty pranë kishte berber tjetër. Nuk lejohej që ti të konkurroje berberin tjetër, se mund të krijohej problem social, mund t’u binte puna të dyve, të falimentonin të dy, pra është një lloj planifikimi përzier me konkurrencën.
Ne përpiqemi të bindim të tjerët se jemi komb i lashtë, se jemi komb me vlera, por, po ne vetë, ç’nuk themi kundër vlerave tona vetëm se ato i kemi arritur në kohën e komunizmit. Ne vetë kemi zhbërë dhe vazhdojmë t’i zhbëjmë dhe ato vlera që kanë mbetur ende.
Që kemi qenë komb me vlera, nuk e kemi kollaj ta vërtetojmë, po vlerat që kishim e kemi, përse i zhbëjmë? Janë vlerat tona, i kemi arritur ne, pavarësisht llojit të sistemit, tek e fundit është historia jonë, janë të parët tanë ata që i bënë ato, çdo popull ka rrugëtimin e tij në këtë jetë, çdo komb është i tillë, se duhet të jetë i tillë, kush është ai që ka forcën ta bëjë ndryshe?
Pastaj, si do ta bindësh dikë që ke qenë me vlera kur aktualisht je bosh?!…
add a comment