Vështrim/Analizë

Liri pa heronj

Në të gjithë Hemisferën Perëndimore, rënia e Murit të Berlinit dhe çlirimi i Europës Lindore e asaj Juglindore nga tutela ruse, kishte krijuar parakushtet e natyrës psikologjike të shpërthimit të utopisë me karakter fantazie për fitoren përfundimtare e të pakthyeshme të demokracisë. Po agonte epoka e lirisë, e paqes dhe e progresit, e cila (sipas kësaj utopie) nuk do të kishte nevojë për heronj!

Shkruan: Dr Sadri RAMABAJA

Në fjalinë e parë të Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së (1776) thuhet: “Të gjithë njerëzit janë të krijuar të njëjtë”. Në këtë linjë rezonimi ishte edhe fryma që promovonte Deklarata Franceze për të Drejtat e Njeriut dhe Qytetarëve (1789), ku potencohet taksativisht se: “Njerëzit kanë lindur të lirë dhe të barabartë dhe ata mbesin të lirë”.
Shoqëria njerëzore, sidomos gjatë shek. XX, do të bëjë hapa të tjerë me peshë në dobi të lirisë së individit e asaj kolektive, por edhe për mbrojtjen e dinjitetit.

Deklarata e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, e aprovuar nga OKB-ja më 1948, potencon me theks të veçantë se: “Të gjithë njerëzit janë të lindur të lirë, me dinjitet e të drejta të barabarta”. 
Shoqëria jonë, sidomos civilizimi perëndimor, arriti këtë stad të prosperimit pas përplasjeve e revolucioneve të njëpasnjëshme. Secila epokë nxori heronjtë e vet. Edhe në Kosovë prosperimi i këtyre të drejtave kishte heronjtë e vet: ajo, pas LDB-së, konform rrethanave të krijuara, fillimisht promovoi heronjtë e emancipimit dhe të iluminizmit të vonuar; vitet ’60-të nxorën në skenë heronjtë që do të imponojnë të drejtën për përdorimin e Flamurit Kombëtar dhe atë për arsim të lartë, bashkë me atë për ruajtjen e selitjen e identitetit kombëtar. Nuk është e rastësishme, që ndoshta jemi i vetmi popull në botë, që fëmijët i pagëzojmë me emrat Flamur e Abetare.  Vitet ’80 do të nxjerrin në skenë heronjtë e rinj: ata ishin të burgosurit politikë – heronjtë e Republikës.

Fundi i asaj dekade do ta sjellë në skenë LDK-në (1989), që përkonte me një lloj oportuniteti intelektual, që lançoi opinionin politik të utopisë. Ajo ndërlidhej me tezën e politologut amerikan, Francis Fukujama, për “Fundin e historisë”, respektivisht me tezën e tij mbi “Gjendjen homogjene në rrafshin ndërkombëtar”[1], që kishte trumbetuar triumfin e demokracisë liberale.

Në Europë, por madje edhe në të gjithë Hemisferën Perëndimore, rënia e Murit të Berlinit, e me këtë ribashkimi i Gjermanisë dhe çlirimi i Europës Lindore e asaj Juglindore nga tutela ruse, kishte krijuar parakushtet e natyrës psikologjike të shpërthimit të utopisë me karakter fantazie për fitoren  përfundimtare e të pakthyeshme të demokracisë. Po agonte epoka e lirisë, e paqes dhe e progresit, e cila (sipas kësaj utopie) nuk do të kishte nevojë për heronj!

Kjo lloj fantazie, sipas filozofit gjerman Dieter Thmἃ (Diter Tome), profesor në Universitetin e St. Gallen-it (CH), do të shtrihej e do të dominonte gjatë gjithë periudhës që do të përthekonte vitet 1989-2001. Kjo periudhë utopie politike, siç shihet, fillon me çastin e rënies së Murit të Berlinit, që do të thotë me shkërmoqjen e socializmit militant, e vazhdon deri në çastin kur u goditën Kullat Binjake në Nju-Jork (2001). Ndërkaq, pikërisht më 11 shtator 2001, atë çast do të shkërmoqej edhe utopia për një botë në paqe, miqësi dhe liri. Ajo, madje, “do të dëshmohet si tmerrësisht false”[2].  Më pas, edhe vetë Fukujama do të shprehet me tone vetëkritike: “[Unë] nuk kisha menduar për mundësitë e rënies politike – për mundësitë se edhe një demokraci e etabluar mund të pësojë rënie. […] do të mund të thuhej se më kishte zënë realiteti”.[3]

Ky qëndrim vetëkritik i Fukujamës do të duhej t’i ketë shërbyer për reflektim politik dhe gjykim real njërit prej ideologëve të LDK-së në fillet e saj, Mehmet Krajës, kur do ta cilësonte një periudhë të mirë të jetës së LDK-së si “Vite të humbura”. Duket se përmes këtij libri, autori sikur do të bëjë një lloj prerjeje mes fazave të veprimit të LDK-së në dekadën e fundit të shek. XX dhe sidomos asaj në prag të luftës dhe gjatë saj.

Por, për studiuesit e shkencave humane, para së gjithash politologët dhe historianët, koha kërkon përgjigjet e sakta në pyetjet e sakta e decidive, si këto më poshtë:

  • A ishin edhe pesë vitet “e arta” të LDK-së (1989-1995) produkt i iluzioneve politike, utopisë dhe fantazisë për të cilën shkruan filozofi gjerman D. Tome, të gërshetuara e të ndërlidhura vetëm me utopinë në fjalë, apo kishim të bënim me një platformë politike, që është e ndërlidhur me “skemat piramidale të Rugovës”, që kishin si mision mashtrimin e vetëmashtrimin politik?
  • Akti i ngritjes së këtyre “Skemave piramidale të Rugovës”, këtij mashtrimi e vetëmashtrimi politik, a kishin një lloj ndërvarësie me poshtërimin si mision dhe akt politik?
  • Fundja, cili është fenomeni LDK

Mos vallë fenomenin LDK mund ta shpjegojmë vetëm përmes rikthimit te Frojdi [Interpretimi i ëndrrave -1899]?! Tashmë është verifikuar nga provat shkencore, se një logjikë e re mbizotëron në një mendje në ëndërrime, e cila ndryshon nga logjika e mendjes në gjendjen e saj normale, ndërsa vë rregull në elementet e palidhshme dhe heterogjene.[4]

Por, për këso gjendjeje gjykimi në kokat e ideologëve të LDK-së, me gjasë më mirë se Frojdi, do të na ndihmonte Arnold Hauzeri. Për një kategori krijuesish letrarë e studiuesish, ai potencon se “ëndrra u bë një paradigmë, në të cilën realiteti dhe jorealiteti, logjika, fantazia, banalja dhe e mrekullueshmja formonin një unitet të pazgjidhshëm”[5]. Apo mos vallë kemi të bëjmë me intencën e rikthimit dhe të aplikimit të idesë së antikitetit në mendjen e këtyre ideologëve për bashkimin e të kundërtave. Nëse kjo në letërsi është e mundur, respektivisht një lloj eksperimenti i tillë mund të jetë i akceptueshëm. Ky ngatërrim i realitetit politik me atë imagjinar, letrar, nuk kishte si të mos prodhonte “Skemat piramidale” të mashtrimit dhe të vetëmashtrimit, që rezultuan me kosto të lartë për Kosovën.


[1]  Francis Fokuyama, “The End of History”, në: National Interest, 16 (1989), f. 3-18.

[2] Dieter Thomἃ, Warum Demokratien Helden brauchen (Pse demokracitë kanë nevojë për heronj), Berlin 2019, f. 53.

[3] Gregor Quaq, “Der Feind kommt von innen” (Gesprἃch mit Francis Fokuyama), në FAZ, 3/9/2019. f. 33.

https://www.faz.net/aktuell/feuilleton/francis-fukuyamas-buch-mit-dem-titel-identitaet-ueber-populismus-16020293.html

[4] Dalila Karakaçi, Teza e doktoratës, f.16: 
http://  www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2015/03/Dokturatura-Dalila-Karaka%C3%83%C2%A7i-Fakulteti-i-Histori-Filologjise-Departamenti-i-Letersise1.pdf.

[5] Arnold Hauser, Social History of Art vol.IV. Evelegih Nash, London 1951, f. 244.