TIRANË, 31 maj/ATSH/ Në qytetin e Ohrit u zhvillua takimi teknik i ekspertëve mbi hartimin e planit strategjik të rimëkëmbjes për pasurinë botërore ndërkufitare mikse “Trashëgimia Natyrore dhe kulturore e rajonit të Ohrit”.
Në këtë takim morën pjesë ekspertë nga institucionet kombëtare, rajonale dhe lokale nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, që janë pjesë e Komitetit të përbashkët ndërkufitar të pellgut ujëmbledhës të liqenit të Ohrit.
“Grupi përfaqësues i Ministrisë së Kulturës prezantoi ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të Misionit Reaktiv të Monitorimit 2021, për komponentin kulturor, formatin si dhe metodologjinë e ndjekur për hartimin e Planit”, bën të ditur Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Plani strategjik i rimëkëmbjes për këtë pasuri botërore është kërkesë e Komitetit të Trashëgimisë Botërore UNESCO, me qëllim shmangien e faktorëve që mund të rrezikojnë vlerat universale të pasurisë.
Grupet teknike të të dy vendeve do të zhvillojnë disa takime gjatë procesit të punës, me qëllim hartimin e një projektplani të integruar brenda vitit 2022.