Histori

Lidhjet e “Ballit Kombëtar” me okupatorin (Përzgjodhi Dilaver Goxhaj)

LIDHJET E BALLIT KOMBETAR ME OKUPATORIN
Lidhjet e Ballit Kombëtar me fashizmin Italian kanë rrënjë të thella. Dihet se fashizmi përpara pushtimit të Shqipërisë kishte formuar në Itali me agjëntët e tij, një organizatë tradhëtare me emrin “Bashkimi Kombëtar”. Komiteti i kësaj organizate përbëhej nga këta persona: 1.Mustafa Kruja, 2. Qazim Koculi, 3.Ali Këlcyra, 4. Sejfi Vllamasi, 5.Rexhep Mitrovica, 6. Kol Tromara. “Te këta shqiptarë profashistë Musolini mundi të mbështetej më vonë për krijimin e qeverive të tij kukulla”, sikundër shprehet historiani Hubert Neuwith. (“Qëndresa dhe bashkpunim në Shqipëri, 2006, f.12). Program i kësaj organizate, sipas deklaratës së Mustafa Krujës, në gazetan “Roja Kombëtare”, datë 13 Prill 1943, ishte që: “…Tue u përshtatun në përkrahjen e Italisë fashiste ta shpëtojmë ne popullin t’onë”. Dhe më poshtë:“…prandaj vendosim të kërkojmë një princ nga gjaku i Savojës për mbret të Shqiptarëve”.
Kështu, ajo organizatë punoi me të gjitha mundësitë për përgatitjen e 7 Prillit dhe, kur u realizua tradhëtia e tyre me okupacionin fashist mbi Shqipërinë më 1939, ata i telegrafojnë Musolinit nga Gjeneva:“.. po mësojmë me gëzim e mirënjohje konfirmimin e indipendencës s’onë në formë të bashkimit personal me Italinë. Aderojmë në këtë Bashkim. Mustafa Kruja, Ali Këlcyra, Qazim Koculi”. Prapa këmishave të zeza që shkelën Atdheun tonë u kthyen në Shqipëri edhe profashistët e “Bashkimit Kombëtar”, prandaj dhe populli i Vlorës i këndoi Qazim Koculit, kur fashizmi e emëroi prefekt të Vlorës: “Qazim Koculi me lule / Vetë e shporre, vetë e prure”.
Pushtuesi italian vijoi t’i shfrytëzojë këta elementë gjatë sundimt të tij, duke u caktuar role të veçanta. Ndërsa Mustafa Kruja dhe Rexhep Mitrovica u bënë kryeminstra, njëri për italianët dhe tjetri për Gjermanët, Ali Këlcyra dhe Kol Tromara u dërguan në Kmitetin Qëndror të Ballit Kombëtar dhe u bënë prefektë. Ndërsa katër antarë të tjerë të Komitetit të “Bashkimit Kombëtar” vazhduan punët me kuislingët, dy të tjerët e vazhduan atë nën maskën e Ballit. Vepra e këtyre personave, që dokumentohen më poshtë në faqet e këtij materiali, provojnë më së miri misionin e tyre dhe tradhëtinë e udhëheqjes së Ballit Kombëtar.
Interesat e udhëheqjes së Ballit ishin të njëjta me ato të pushtuesit, sikundër ishin edhe me ato të kuislingëve. Këtë e pohon edhe oficeri i Misionit anglez në Shqipëri pranë Abaz Kupit, Julian Amery, në librin e tij, ku thotë se: “Udhëheqësit ballistë, në fillim fshehurazi dhe më vonë në mënyrë të hapët, nisën të vizitonin miqtë e tyre në qeverinë e Tiranës dhe të kërkonin ndihmë për të mbrojtur Shqipërinë nga komunizmi”, (“Bijtë e shqipes”, Tiranë,2002,f.89). Prandaj themi se të tre palët, (fashistët italianë, kolaboracionistët dhe ballistët), kishin një rrugë të përbashkët: të shtypnin Lëvizjen Nacionalçlirimtare me çdo kusht. E tërë energjia dhe i tërë aktiviteti i tyre shkrihet për këtë qëllim satanik pa marrë parasysh as gjakun, as lotët dhe as mjerimin që i shkaktuan popullit tonë.
Për të zhvilluar një bashkëpunim më efektiv në këtë drejtim, sikundër dihet, udhëheqja e Ballit Kombëtar lidhi një protokoll me pushtuesin fashist. Ky protokoll u nënshkrua më 15 Mars 1943 prej dy anëtarëve të Komitetit Qëndror të Ballit, Ali Këlcyra dhe Nuredin bej Vlora, nga njëra anë, dhe prej Komandantit të Forcave të Armatosura italiane në Shqipëri, Gjeneral Dalmazzo, nga ana tjetër. Përmbajtja e kësaj marrëveshje përbën një dokument të urryer që tregon lidhjet e shëndosha të Ballit me okupatorin dhe kuislingët. Midis të tjerave kjo marrëveshe shkruan: “…Interpret i opinionit nacional (kupto Ballit,D.G.) dhe me pëlqimin e plotë të Kryeministrit Maliq Buhati marrim detyrimin që asnjë kryengritje me karakter të përgjithshëm nuk do të ngjajë në Shqipërinë Jugore derisa të përfundohet organizimi i Gjendarmërisë. …Do të përdorim të gjithë influencën për të ndaluar sulmet dhe sabotimet e armiqve… Do të zhvillojmë propagandën e duhur për të ndaluar dezertimet për të inkurajuar rekrutime dhe për kthimin e dezertorëve…”
Ngaqë Fronti Nacionalçlirimtar më së shumti akuzonte për këtë marrëveshje antarin e K.Q. të Ballit, Ali Këlcyrën, anëtari tjetër i atij Komiteti, ai dhe Sekretar i Përgjithshëm i Ballit, Faik Quku, shprehet: “Nuk ishte e drejtë që përgjegjësia e kësaj marrëveshjeje t’i ngarkohet vetëm Ali Klisyrës, sepse ai qe ngarkue e autorizue prej Komitetit Qendror të Ballit, pra përgjegjësia ishte e përbashkët… Nga ana tjetër, tue u angazhue që, për tre muej, mos me ba kryengritje të përgjithshme, Balli ishte në përputhje me parimin e vet për organizimin e luftës në kohën ma të përshtatshme”. (F.Quku “Qëndresa shqiptare”,v.2,2006, f.241)
Sipas kësaj kontrate, Balli Kombëtar do të bënte punën e Xhandarmërisë kuislinge meqenëse kjo ishte e dobët dhe duhej organizuar, për të vënë në zbatim qëllimin strategjik të Italisë fashiste, për të realizuar brenda një kohe të shkurtër asimilimin e plotë fashist të Shqipërisë, e shprehur kjo nga vetë Mëkëmbsi i mbretit në Shqipëri, Jakomoni, sipas të cilit, Shqipëria duhet të “ushqehet me civilizimin Italian dhe fashist, të verë në dispozicion të Italisë pasuritë e tokës së saj dhe të bëhet avangardë e sigurtë e Italisë dhe e fashizmit në Ballkan”. (F.Jakomoni, La politica dell’Italia in Albania. Capeli editore, 1965,f.172). Kjo do të arrihej natyrisht po qe se paralizohej çdo qëndresë e shqiptarëve ndaj pushtuesve fashistë. Me këtë mision të Italisë dhe me këtë lloj përfocimi të rolit të karabinierisë italiane që mori Balli mbi vete publikisht prej marrëveshjes Dalmacio-Këlcyra, ai filloi ta shtonte aktivitetin, duke persekutuar patriotë, burgosur, vrarë, torturuar dhe djegur banesa të panumërta së bashku me forcat pushtuese, sikundër do të vërtetojnë dokumentat e pasqyruara në këtë material.
Antarët e Komitetit Qëndror të Ballit me gjithë vartësit e tjerë të tij e dëndësojnë propagandën e tij kundër luftës që i bëhej okupatorit, dhe i japin këtij shumë mercenarë për të luftuar partizanët. Në ditarin e Komandës Supreme të Forcave të Armatosura Italiane në Shqipëri, pas nënshkrimit të këtij protokolli, lexojmë: “8 Maj 1943. Ali Këlcyra ka sukses të madh në rritjen e propagandës antikomuniste në krahinën e Gjirokastrës. 14 Maj 1943. Në Damës të Tepelenës ai mbajti një fjalim duke e nxitur popullin e Tepelenës që të bashkëpunoi në luftën kundër komunistave”
Ky aktivitet tregon efektin që bëri protokolli midis Ballit dhe pushtusit fashist. Lidhjet e tyre ishin aq të ngushta sa mund të thuhet me siguri se krimet e njërit nuk mund të kryheshin pa ndihmën e tjetrit. Dhe kur filloi të vijë ushtria gjermane, nga gjysma e dytë e vitit 1943, Balli Kombëtar i transferon lidhjet e tij me pasardhësin e fashizmit, me nazistët. Politika e tij kolaboracioniste nuk pësoi asnjë ndryshim, me përjashtim që pas kapitullimit të Italisë, ballistat u bënë antiitalianë të tërbuar, sikundër e kërkonte politika e gjermanëve nazistë.
Këtë politikë të mos luftuarit kundër nazistëve gjermanë, Balli e vendosi në një mbledhje të vçantë të Komitetit Qëndror të tij para se të shkonte në Mbledhjen e Mukjes, prandaj dhe ajo marrëveshje nuk kish se si të vihej në jetë, sepse kushti kryesor i Nacionalçlirimtares ishte lufta edhe kundër pushtuesit të ri; dhe nuk është ashtu sikundër u shpreh edhe ditët e fundt një historian e jona, se atë marrëveshje e prishi Nacionalçlirimtaria. Pasi këtë e pohon vetë anëtari i Komitetit Qëndror të Ballit, Faik Quku në vëllimin e dytë të librit të tij: “Gjatë muejt korrik 1943, Komiteti Qëndror i Ballit vendosi që, në qoftë se vijnë gjermanët në Shqipëri, çetat balliste mos të provokojnë aksione luftarake kundër tyne, por të ruejnë pozicionet dhe mos t’i lanë çetat e Nacionalçlirimtares me ba aksione të tilla në zonat balliste”.(f.232)…“Përsa i përket luftës kundër gjermanëve, në pritje të kohës vendimtare, na mendojshim me veprue me takt dhe moderacion, mbasi ata ishin në gjendje me e shtypë Shqipninë keqas dhe shpejt”,(f.288).
Prej këtyre dëshmive të sinqerta të Sekretarit të Përgjithshëm të Ballit Kombëtar kuptohet, se Balli shkoi në Mukje thjeshtë për të justifikuar aleancën me nazistët gjermanë, duke fajësuar Lëvizjen se gjoja ishte Ajo që i detyroi ballistët të bëheshin aleatë me nazistët, ngaqë “kështu u urdhërua PKSH nga jugosllavët”; dhe nuk ishte aspak shkak se gjoja PKSH nuk e donte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Edhe këtë e pohon vetë Faik Quku kur thotë: “Veç kësaj, vetëm nëse do të fitonte Gjermania, Shqipnia do të merrte Kosovën”, (F.Quku, po aty, f.309).
Porsa erdhën gjermanët, Balli fillon një propagandë të madhe kundër fashizmit skllavëronjës që rropi e poqi popullin pa mëshirë dhe, si për çudi, njësoj si përralla e Sanço Panços, ekzalton “luftën e tij heroike dhe çlironjëse kundër fashizmit Italian”. (!) Përsa I përket okupatorit të ri Balli nuk thotë asnjë fjalë, ndërsa në prapaskenë vijojnë traktativat. Ja çfarë shkruan në raportin e tij të datës 28-XII-1944 Gjenerali gjerman Gustav V. Myrdaszi, përfaqësuesi i ndërlidhjes midis Gjermanisë dhe Shqiptarëve: “Me ardhjen e Gjermanëve në Shqipëri Balli Kombëtar u organizua nga ushtria gjermane, e cila i jepte urdhërat me anë të oficerave ndërlidhës nëpërmjet feldkomandantëve gjermanë që ekzistojnë në çdo prefekturë”.
Është e tepërt të theksohet se lidhje të forta Balli me pushtuesin e ri i mbante edhe nëpërmjet qeverisë kuislinge me anë të ministrave, antarë të Komitetit të tij Qëndror.