Shoqëria LËVIZJA (shoqerialevizja@gmail.com)
Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës
Shoqata e të Burgosurve Politikë
Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK – së
Për Republikën e Maqedonisë Veriore – Gjykatën Kushtetuese, Kuvendin dhe Qeverinë e kësaj Republike
Për Mjetet e informimit dhe opinionin publik
LETËR SHQETËSIMI DHE PROTESTE
Zotërinj gjykatës të Gjykatës Kushtetuese,
Drejtues të Kuvendit dhe të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Veriore,
Nismat e qarqeve të caktuara, me orientim nacionalistë e shovinistë, për “korrigjimin” ose shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë Veriore kanë shqetësuar dhe indinjuar popullin shqiptar në këtë shtet dhe shqiptarët kudo që janë. Këto nisma dhe tendenca për cenimin dhe zhvlerësimin e përdorimit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë Veriore kanë shqetësuar dhe indinjuar pa përjashtim edhe anëtarët, veprimtarët dhe drejtuesit e Shoqërisë LËVIZJA, shkrimtarët dhe krijuesit e Kosovës, anëtarët, veprimtarët dhe drejtuesit e Shoqatës së Burgosurve Politikë, të Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK – së dhe përgjithësisht veprimtarët dhe luftëtarët e lirisë, të përparimit dhe demokratizimit të shoqërisë sonë dhe të shteteve të rajonit tonë.
Ligji për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë Veriore garantonte një minimum barazie në fushën e përdorimit të gjuhëve midis popullit maqedon dhe popullit shqiptar, që përbën më shumë se 30% të qytetarëve të kësaj Republike.
Qarqet nacionaliste sllave-maqedone, që kundërshtojnë këtë minimum barazie të popullit shqiptar në Republikën e tij dhe që kanë inicuar “korrigjimin” ose shfuqizimin e këtij Ligji me anë të Gjykatës Kushtetuese janë kundër vlerave fundamentale demokratike, janë kundër lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, janë kundër barazisë, mirëkuptimit, harmonisë dhe bashkëjetesës midis popullit shqiptar dhe popullit maqedon, janë kundër paqesë, stabilitetit dhe sigurisë në këtë shtet, të ngritur, të ndërtuar e të zhvilluar edhe me mundin, djersën dhe gjakun e popullit shqiptar.
Zotërinj gjykatës të Gjykatës Kushtetuese,
Ligji që ju do të “shqyrtoni” nuk është thjeshtë dhe vetëm çështje e Gjykatës suaj! Ne nuk duam të besojmë se Ju, zotërinj gjykatës, do të bini nën ndikimin e qarqeve nacionaliste të ekstremit të djathtë dhe të plotësoni dëshirën e tyre të sëmurë shoviniste – antishqiptare.
Cenimi ose shfuqizimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë Veriore do të shkatërronte urën që ka lidhur dy popujt tanë, që përbëjnë themelin e shtetit tuaj, e që do t’i lidhte edhe më shumë po të ecej drejt rritjes së barazisë së plotë midis këtyre dy popujve. E kundërta do të ishte me pasoja të paparashikueshme për marrëdhëniet midis dy popujve tanë dhe për vetë qëndrueshmërinë e Republikës së Maqedonisë Veriore.
Zotërinj drejtues të Institucioneve qendrore të Republikës së Maqedonisë Veriore,
Shfrytëzojeni gjithë ndikimin tuaj, kërkojeni edhe ndihmën e partnerëve strategjikë të Maqedonisë Veriore (SHBA – së dhe BE – së) dhe mos lejoni të pritet dega mbi të cilën është ulur shteti që Ju drejtoni! Gaboheni nëse besoni se mund të qëndrojë Maqedonia juaj dhe e jona, duke shpërfillur dhe mohuar të drejtat e popullit shqiptar në Maqedoninë e tij. Përpiquni t’i lexoni dhe t’i kuptoni drejt situatat dhe rrethanat e mbarsura me rreziqe të paparashikuara për paqen dhe sigurinë në rajon, Evropë dhe në botë.
Dy popujt tanë historikisht kanë qenë në krah të njëri-tjetrit në përballimin e shtypjes dhe pushtimit shekullor. Sot, më shumë se kurrë, kërkohet urtësi, syçeltësi dhe vëllazëri midis popujve tanë. Qarqet nacionaliste e shoviniste, të ekstremit të djathtë, që po përpiqen të prishin trashëgiminë e përbashkët pozitive të marrëdhënieve historikisht të mira midis dy popujve tanë dhe urën që ka lidhur këta dy popuj, duhet të pengohen e të luftohen nga partitë politike maqedone e shqiptare dhe, sidomos nga institucionet politike, kushtetuese e shtetërore.
Ndihmesë të rëndësishme për tejkalimin e kësaj situate dhe pengimin e aventurës së këtyre qarqeve nacionaliste e shoviniste kanë detyrim të japin Tirana (sidomos!) dhe Prishtina zyrtare, duke shfrytëzuar të gjitha kanalet diplomatike e shtetërore dhe partneritetin me SHBA – në, BE – në dhe NATO -n.
Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e tyre duhet të jenë në nivel të përgjegjësive dhe detyrave që shtron koha, duhet të manifestojnë dhe dëshmojnë unitet dhe pjekuri politike e kombëtare përballë qarqeve nacionaliste e shoviniste sllave-maqedone, që synojnë dhe angazhohen për tensionimin dhe destabilizimin e Republikës së Maqedonisë Veriore e më gjerë.
Thirrja jonë është të mos preket as në përmbajte dhe as në formë (në asnjë germë) Ligji për përdorimin e gjuhëve, të mos mbani kokën mbrapa, por të ecni përpara me demokratizimin dhe emancipimin e shoqërisë dhe të marrëdhënieve midis qytetarëve, në rritjen e barazisë midis dy popujve tanë, duke rritur stabilitetin, sigurinë, zhvillimin ekonomik e social dhe prosperitetin e përgjithshëm në Republikën e Maqedonisë Veriore!
Prishtinë, më 8 dhjetor 20024 Me shpresë që shqetësimi ynë dhe i të gjitha qarqeve demokratike e progresive do të ketë vëmendjen dhe mirëkuptimin Tuaj!
(pasojnë nënshkrimet dhe vulat)
add a comment