Kulturë\Letërsi

Labinot Gjini: Gëzuar festën e Shëngjergjit!

GËZUAR SHËN GJERGJIN
Shën Gjergji është një ndër festat më të bukura shqiptare, e cila lidhet me rigjelbrimin e natyrës, pastërtinë, rikthimin ndriçimit e ngrohtësisë së diellit dhe rishkëlqimin e fytyrave tona pas zymtësisë dimrore.
Lidhja e Shën Gjergjit me Kryeheroin tonë Gjergj Kastriotin, nuk lë hapësirë për dyshim. Mirëpo, kur ne e lidhim me ditëlindjen e tij, kjo kërkon pak analizë.
Duhet ditur se në shumicën e rasteve, nē kohët e vjetra, ditëlindjet nuk përkonin me një kalendar tē saktë. Nuk ishte as qëllimi dhe as nevoja e kohës që ditëlindja tē jetë e saktësuar. Zakonisht, ditëlindjet i përkonin me festat e caktuara vjetore. Në rastin e heronjve apo shenjtorëve, festat ktheheshin në ditëlindjen e tyre. Pra, vetë festa vjetore shndërrohej në kremtimin e ditëlindjes së tyre. Si shembull interesant kemi krishtlindjet. Askush nuk e di datën e saktë se kur lindi Krishti, por të gjithë i festojmë krishtlindjet me 25 dhjetor. Kjo, sepse me 25 dhjetor ishte festa e madhe pagane e Diellit të Pamposhtur, e cila u përzgjodh si datë për kremtimin e lindjes së Krishtit.
Sikurse në rastin e krishtlindjeve, të shumta ditëlindje të heronjve, mbretërve, perandorëve e shenjtorëve u përcaktuan në kalendarët festiv tē kohës, tē cilët lidheshin me besimet e vjetra.
Edhe datëlindja e Gjergjit, sipas një analize të shëndosh del tē ketē ndjekur këtë trajtë. Por, fjala vjen, ta dimë pse me 6 majin?
Kjo na çon të kuptojmë se Shën Gjergji është festē shumë më e vjetër tek shqiptarët se sa mendojmë. Sigurisht që emërtimin e vjetër nuk e kishte “Shën Gjergji”. Mirëpo, e kuptojmë se kishim të bënim me kremtimin e kthimit tē gjelbërimit, luleve, veres.
Kur Kryeheroi dhe Krzeprofeti ynë u kthye me 3 Nëntor 1443 në vendëlindje ai e gjeti dimër vendi e tij edhe në kuptimin stinor edhe në kuptimin metaforik. Por në pranverë fitoi betejat e para dhe me 2 mars 1444 i bashkoi princat shqiptarë në Kuvendin e Lezhës. Nga aty ishte fillimi i një epopeje lavdie shekullore. Mund të besohet se qysh atë vit festën që njohim sot si “Shën Gjergji” t’ia kenë dedikuar kthimit të Skenderbeut si analogji e kthimit tē pranverës. Nē vitet e mēvonshme veçse ishte bërë traditë që të festohet i “Shenjti” (në kuptimin e kohës “i çmuari”) Gjergji.
Vitet e mëvonshme duhet ta kenë shëndërruar këtë festë që i kushtohej tē “Shenjtit” Gjergji në datēlindje tē Gjergjit Kastriotit.
Kur e mendon mirë, pra sido që të ketë rrjedhur historia, kjo festë përkon me vërtetë me ditëlindjen e Gjergj Kastriotit në kuptimin historik. Pra kur ne themi se po festojmë ditëlindjen e kryeheroit tonë, nuk po gabojmë aspak. Thjesht, siç për çdo lindje e ditëlindje, po i bjem të vërtetës drejtpërdrejt.