Arkiv / Ripublikim

Labinot Gjini: Frymëzim parësor për Komandantin Legjendar ishte Heroi Çerçiz Topulli

ADEM JASHARI KISHTE PËR FRYMËZIM PARËSOR ÇERÇIZ TOPULLIN
Ka tani shumë kohë që figurat tona kombëtare, sidomos ato më të ndritshmet, janë bërë fokusi i shpifjëve të ndryshme. Kuptohet se atë që kanë sulmuar më së shumti është vetë ati i kombit shqiptar: Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Ky vigan i shqiptarisë, për të cilin na e ka zili mbarë Iliria (Ballkani) dhe që mundohen të na e rrëmbejn, nuk sulmohet rastësisht. Ai është nyja më e madhe e kombit shqiptar dhe, si i tillë, ai duhet të shkatërrohet.
Kuptohet se për të shkatërruar një vigan siç është Skenderbeu armiqve tanë u është dashur të kalojnë nëpër një strategji të hollë. Duke e pasur parasysh se në brendësinë e kombit shqiptar ekzistojnë një shumëllojshmëri besimesh, këta armiq të popullit janë vërsulur me propaganda fetare, duke besuar se feja do të mund ta kaloj ndjesinë kombëtare tek shqiptarët. Kështu, ata nuk hezituan që ta shpallin Skenderbeun si një “kalorës të krishtit”, pavarësisht se faktet historike flasin tërësisht të kundërtën. Ata e menjanojnë qëllimisht faktin se Skenderbeu i mblodhi shqiptarët më 2 Mars 1444 në Kuvendin e Lezhës me qëllim që të krijonte besëlidhjen ndërshqiptare. Akt i cili është treguesi i pjekurisë së kushteve që etnia shqiptare të shëndërrohet në komb shqiptar. Me këtë Kuvend shqiptarët sot mund të krenohen se janë kombi i parë në botë, pavarësisht se disa vjet më vonë ata pësuan një pushtim për disa shekuj dhe mbetën pa shtet-kombin e tyre. E menjanojnë edhe faktin se ai luftoi edhe kundër Venedikut dhe pati marrëdhënie armiqësore me serbët në Veri. Të gjitha fakteve u ikin me qëllim që të vënë theksin mbi gjysmë-faktet që ju konvenojnë, të cilat nuk kanë asnjë shpjegim në vetvete, pa ndërlidhjen me të tjerat. Megjithatë, epoka e Skenderbeut ishte një epokë e apogjeut të kombit shqiptar dhe asaj i kënduan gjenerata të tëra patriotësh muslimanë e të krishterë në luftën për liri kundër pushtuesit osman. Aq ishte krenari e kombit qëndresa e Skenderbeut sa që, nëse për Rilindjen Evropiane ishte rilindja e kulturës dhe filozofisë antike, për Rilindjen Kombëtare Shqiptare ishte rilindje e Shqipërisë së Skenderbeut. Sot, ai mbetet, për shqiptarët, kryeprofeti i shqiptarisë.
Por, armiqët tanë, përmes disa shqipfolsëve të paguar mirë, nuk sulmuan vetem profetin tonë, atin e kombit shqiptar, ata iu vërsulën çdo figure shqiptare me qëllim që ta përdhosnin me të pavërteta të shumta. Propagandat nuk munguan për asnjërinë prej tyre duke tentuar që t’i ndajnë heronjtë tanë sipas përcaktimit fetar. Gjë që ata vetë nuk e kanë bërë kurrë gjatë jetës së tyre. Dhe, të gjithë e dimë se në të gjitha luftërat shqiptarët luftuan krah për krah me njëri-tjetrin pa pyetur për fenë. Por, shpifolësit, propaganduesit, gënjeshtarët dhe sharlatanët, duke shfrytëzuar krizën ekonomike-sociale dhe politike nëpër të cilën po kalon populli ynë, nuk ndalen se nuk ndalen në përpjekjet e tyre për të përçar popullin më fisnik që njeh Evropa.
Ata i janë vërsulur edhe figurës së njeriut që mahniti botën me flijimin e tij për liri. Me atë që diti, në këto kohë moderne, t’i tregoj botës me një akt të vetëm se kush ishte dhe kush është shqiptari dhe si vdes ai për lirinë e tij. Adem Jashari, një yll i ri polar në mesin e yjeve të shqiptarisë, nuk meriton të përgojohet nga ata që vetëm vrerë nxjerrin nga goja e tyre. Por, këta gojëligët nuk e dinë se ç’është shenjtëria, nuk e kuptojnë dot aktin e flijimit për lirinë e atdheut. Ata njohin vetëm veten e tyre dhe të ardhurat që vijn nga jashtë të tërhequra nga veprimtaria tyre e ligë.
Kështu, këta faqezinjtë tentuan t’ia mveshnin Adem Jasharit se gjoja ai paska qenë një fetar i madh dhe “ai kishte rënë xhihad për hir të Allahut”!! Këtë postulat ata e “mbështesnin” tek një video ku nëna e Adem Jasharit duke treguar për një rrethim të mëhershëm, thoshte se “kemi qenë duke ngrën syfyr”. Por edhe tek mjekrra e Adem Jasharit, të cilën e etiketonin si “mjekërr islamike”.
Pra, gjithmonë brenda filozofisë së ndarjës së heronjëve tanë sipas fesë dhe gjithmonë sipas qëllimit për ti shëndërruar heronjët kombëtar në “hero” fetar, edhe Ademin e madh ata e përgojuan duke shpifur mbi të.
Mirëpo, e vërteta është krejt ndryshe për secilin hero kombëtar që njeh historia jonë. Asnjëri prej atyre që ka arritur në mesin e yjëve që shëndërrisin mbi këtë komb, nuk ka qenë i prirë nga feja në ndërrmarrjen tij fisnike. Dhe kurrë, asnjëri prej tyre, nuk ka gjuajtur asnjë fishek të vetem në emër të ndonjë feje. Ata jetuan dhe vdiqën si shqiptar, pavarësisht se cilës fe ata i përkisnin.
E veçanta e këtij kombi tonë është edhe fakti se heronjët tanë (ashtu siç çdo qytetar i yni) frymëzoheshin dhe frymëzohen nga njëri-tjetri, pavarësisht përkatësisë krahinore apo fetare. Është gjëja më natyrale që një qytetar i veriut të Shqipërisë (Kosovës) të frymëzohet nga një hero i jugut (Çamërisë) dhe anasjelltas. Është diçka tepër natyrale që një shqiptar i përkatësisë islame të frymëzohet nga një hero shqiptar i cili ishte i përkatësisë së krishter, dhe anasjelltas. Kjo ndodh për vetë faktin se të gjithë heronjtë tanë kishin vetem një qëllim: Shqipërinë ! Kjo i kishte bërë vaki edhe me Adem Jasharit.
Adem Jashari, jo vetem se nuk kishte një mjekërr islame (gjë që dallohet mjaft lehtë nga ata që kanë sy për të parë), por ai kishte mjekrrën e heroit të kombit, Cerçiz Topulli. Heroi kombëtar, Çerçiz Topulli, i cili ishte komandant i çetave që po luftonin turkun dhe grekun në Jug të Shqipërisë në fillim të shekullit XX, ishte frymëzuesi më i madh i Adem Jasharit. Edhe Çerçizin e thërrisnin “Komandant” ashtu siç Adem Jasharin. Ai ishte shembëlltyra e një trimi të vërtet që këndonte gjatë betejave kundër armiqëve. Kështu edhe Adem Jashari bënte : ai këndonte duke luftuar ! Për nder të Cerçiz Topullit, Adem Jashari kishte imituar edhe pamjen e tij. Sikur donte ti çonte mesazh ushtrisë serbe se ajo kishte punë jo vetem me Veriun shqiptar dhe me kohën e tanishme, por edhe me Jugun dhe me të gjithë historinë e popullit tonë. Sikur donte ti thoshte armiqëve të të gjitha bordëve se shqiptarët janë të bashkuar për të bërë Shqipërinë përtej çdo krahine, çdo feje dhe çdo ideologjia. Ata janë një siç jam një unë me Çerçizin.
_____________________________
Shkrimi nuk është vetem letrar, frymëzimi i Adem Jasharit nga Cerçiz Topulli është një fakt historik.
Publikuar për herë të parë më 2012