Shqipëria/Aktualitet

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miraton rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe nderimin e viktimave të këtij gjenocidi të kryer nga Serbia

“Kuvendi shpreh dhimbjen e thelle për viktimat dhe traumat njerëzore të shkaktuara nga gjenocidi në Srebrenicë, si dhe mirëkuptimin e plote dhe simpatinë e sinqertë ndaj tërë të lënduarve gjate luftës së përgjakshme në Bosnjë dhe Hercegovinë”

   Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar rezolutën “Për kujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë”, që u propozua nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë.

Rezoluta u miratua me 113 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 113 deputetë që morën pjesë në votim. Ndërkohë në fillim të seancës u mbajt një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalën e saj (në hapje të seancës) tha se pasojat e gjenocidit në Srebrenicë janë dhe do të mbeten një kujtim i hidhur për njerëzimin.

“Përkujtimi dhe nderimi i viktimave të gjenocidet të Srebrenicës na mëson se arritja dhe ruajtja e paqes është një mision i vështirë, se konfliktet e së kaluarës nuk duhet të mbysin premtimet dhe perspektivën për të ardhmen. Nderimi i viktimave të Srebrenocës është premtimi se nuk duhet të përsëritet më dhe nuk do të përsëritet”, u shpreh Nikolla.

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, me anë të një videomesazhi, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë gjatë seancës, tha se Republika e Shqipërisë dhe Bosnja e Hercegovina janë dy vende të afërta dhe jashtëzakonisht miqësore.

“Tragjedia e Srebrenicës është bërë një simbol planetar i vuajtjes dhe krimit në epokën moderne. Edhe sot, 27-vjet më vonë fjala Srebrenicë jehon me tmerrin dhe dhimbjen më të fuqishme”, tha Xhaferoviç.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, theksoi se rezoluta konfirmon bindjen se ka ardhur koha të dëshmohet me vepra vullneti dhe angazhimi për t’i dhënë fund pandëshkueshëmrisë së krimeve të luftës.

“Sot jemi mbledhur këtu të përkujtojmë dhe nderojmë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë duke shprehur më së pari dhimbjen e thellë për viktimat dhe traumat njerëzore të shkaktuara nga gjenocidi serb, si dhe përkrahjen e plotë dhe solidaritetin tonë të sinqertë. Kjo rezolutë është dokument tepër serioz. Kjo rezolutë është gjuha e zemrës së shqiptarit dhe e Shqipërisë”, u shpreh Balla.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, theksoi se përgëzon kolegët për këtë nismë për të shpallur 11 korrikun si Ditën e Përkujtimi të Gjenocidit në Srebrenicë.

“Mbi të gjitha kjo është një nismë që vjen si një kulmim i qëndrimeve të kahershme e të pakompromis të Shqipërisë në dënim të këtij krimi por edhe të krimeve të tjera kundër popullsive civile në Bosnje Hercegovinë e Kosovë. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim parimor e të qartë në raport me këtë krim të tmerrshëm, ku mijëra burra e djem u vranë në mënyrën më makabre jo se ishin fajtorë për diçka, por thjesht për shkak të identitetit të tyre”, tha Xhaçka.

Deputetja e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, Jorida Tabaku, tha se ky hap i sotëm nderon Parlamentin e Shqipërisë “na nderon ne si deputetë, por njëkohësisht besoj që nderon të gjithë shqiptarët”. “Kjo çështje duhet të na bëjë bashkë, kjo çështje duhet t’i ketë qind për qind të votave të parlamentit”, tha Tabaku.

Sipas rezolutës, Kuvendi i Shqipërisë dënon fuqimisht çdo prirje dhe veprim për të mohuar publikisht, me qëllim ose jo, gjenocidin e kryer në Srebenicë, fshehjen e motiveve, lëvdimin e autorëve, ideatorëve dhe mbështetësve të këtij gjenocidi.

Gjithashtu theksohet se Kuvendi konsideron të papranueshme e tejet të rrezikshme vazhdimin dhe përshkallëzimin e retorikës politike nacionaliste, nxitjen e urrejtjes etnike si pasojë e mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenice, masakrave dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit kryer në të gjithë hapësirën e ish Jugosllavisë nga disa individë, grupime, e aktore politike e mediatike brenda e jashtë Ballkanit.

“Kuvendi i Shqipërisë konfirmon qëndrimin e Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake në Srebrenice nga forcat serbe të Bosnjes përben shkelje të ligjit ndërkombetar, nxit fenomenin e pandëshkueshmerise ndaj krimeve të luftës si dhe shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mije civilëve që u masakruan në Sreberenicë, të mbijetuarve dhe familjeve të tyre, por edhe ndaj rreth 10 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë spastrimit etnik në Kosovë dhe mijëra grave të dhunuara nga regjimi serb i Sllobodan Milosheviqit”, thuhet në rezolutë.

Më tej thuhet se Kuvendi shpreh dhimbjen e thelle për viktimat dhe traumat njerëzore të shkaktuara nga gjenocidi në Srebrenicë, si dhe mirëkuptimin e plote dhe simpatinë e sinqertë ndaj tërë të lënduarve “gjate luftës së përgjakshme në Bosnjë dhe Hercegovinë”.