Vitet tutje / Ju tëhu…
Qemal Stafa
Mëndjemprehti, zemërzjarrti
Po bëhen tre muaj qëkurse populli shqiptar humbi një nga bijtë e tij të vërtetë, humbi një luftëtar. E qau siç e meritonte ky djalë, i cili që në fëmininë e tij mendonte për vuajtjet e mjerimet e këtij populli.
Lindi në Elbasan, më 1921, por fëmininë e tij e kaloi në Shkodër. Atje kreu dhe klasat e ulëta të gjimnazit. Shokët e fëminisë e kujtojnë Qemalin, ashtu të hedhur për çdo gjë dhe ruajnë prej tij veçse kujtime të mira.
Mbaroi gjimnazin e Tiranës dhe pikëpamjet e tij për jetën dhe shoqërinë ishin të gjera, pse ai nuk kënaqej vetëm me mësimet e tekstet shkollore. Xhepat i kishte gjithmonë të mbushura me libra. Shtëpia e tij ishte bibliotekë e dytë.
Ai studionte dhe studionte pa pushim. Ishte një vërejtës i thellë dhe kishte etje për shkencat dhe studimet shoqërore.
Zotëronte mirë italishten, frengjishten dhe dinte serbisht, pak gjermanisht dhe anglisht. Shpesh, ai shprehte keqardhjen për varfërinë (në libra ) në gjuhën shqipe dhe në çdo rast kërkonte si e si t’a pasuronte me ndonjë përkthim dhe t’a pastronte nga fjalët e huaja. Qemali studionte dhe studionte për një qëllim. Ai e ndjente thellë se kombi i tij kishte nevojë për dritë, kishte nevojë për njerëz që ta nxirrnin nga errësira ku e kishin zhytur, kishte nevojë për njerëz që t’i kallzonin udhën e përparimit. Dhe Qemali i ishte përveshur kësaj punë me tërë fuqitë e veta. Truri i tij i shëndoshë kërkonte të zgjidhte çdo gjë të ngatërruar, shpirti i tij i pastër kërkonte te zhdukte çdo fëlliqësirë. Që në vogëli ai nuk e durontë dot shtypjen. Ishte gjithmonë gati të mbronte shokët dhe çdo njeri që merrej nëpër këmbë. E shihja, që me librat e shkollës nën sqetull të ndalej në rrugën e tij me punëtorë që thyenin gurë, i pyeste si shkonin, i dëgjonte ankimet e tyre dhe u kallëzonte si mund të shpëtonin nga mjerimi që kishte rënë.
Qemali ishte plak dhe i ri njëkohësisht. Mendja e tij ishte e pjekur për moshën e tij të re. Ai nuk lodhej kurrë së foluri: të mbante me orë për të zgjidhur një problem, por fjala e tij ishte tërheqëse. Fliste me ngadalë dhe rrjedhshëm. Biseda e tij ndizej kur ishte ndonjë çështje e padrejtë që i bëhej popullit të tij. Fliste me kënaqësi për të ardhmen e shkëlqyeshme të kombit tonë, pse ai kishte besim në vullnetin e popullit dhe të rinisë shqiptare.
Ai ndiqte udhën e drejtë, udhën e së vërtetës, prandaj ligji nuk e linte të qetë. U burgos dy a tri herë, por Qemali qëndroi i patundur, si burrë përpara torturave shtazarake. Sulmi barbar fashist i shtatë prillit e gjeti Qemal Stafën në burg. E ndjente vehten të lidhur në dy palë zinxhira. Qemali e kuptonte rrezikun që i kërcënohej vendit të tij. Ai e dinte se Shqipëria në ato ditë të zeza kishte nevojë për mbrojtje, kishte nevojë për luftëtarë, prandaj iku nga burgu. Një plumb i zuri supin, por s’i bënte përshtypje dhimbja e atij plumbi përpara dhimbjes së rëndë që kishte kllapuar kombin mbarë. E liruan më vonë me shokët e tij; por armiku barbar, s’i linte të merrnin frymë. Qemali u nis në këtë kohë për Firence për të mbaruar studimet në fakultetin e drejtësisë por i la përgjysëm dhe u kthye në vendin e tij, për të jetuar në mes të popullit të tij të robëruar dhe për të luftuar armikun barbar.
Fashizmi në Itali si në Shqipëri, njohu te Qemal Stafa armikun e tij të papërkulur dhe e ndoqi këmba-këmbës. Po Qemali kishte vendosur të luftonte me mish e me shpirt, për shpëtimin e popullit nga zgjedha shekullore, nga çizmja e gjakosur e armikut më të egër të vendit tonë, fashizmit okupator.
Mendja e tij e mprehtë, zemra e tij e mbrujtur me drejtësi, me vullnet të pathyeshëm, e shtynin përpara këtë djalë të ri, në fushën e luftës për të fituar lirinë e përjetshme të popullit të tij. Shpirti i mbrujtur dhe i çelikosur me idealin e lartë marksist-leninist-stalinian, e bënte shokun Qemal Stafa, një nga luftëtarët më të (vendosur) për mbrojtjen e vegjëlisë, për çlirimin e popullit nga zgjedha, nga mizeria, nga errësira.
Burgjet dhe plumbat e armikut s’e mposhtnin Qemal Stafën. Ai s’njihte dëshpërim. Përpara disfatës, ai çohej si Anteu me forca më të mëdha dhe lufta e tij bëhet e vrullshme.
I palodhur kurrë, ai kapërcente rreziqet dhe djali i popullit çante malet, katund më katund, kasolle më kasolle; ai tok me katundarët qante hallet e Shqipërisë, ai i çonte popullit punëtor që dërsinte e që vuante, fjalën e drejtë. S’mund ta harroj kurrë skenën kur Qemali u fliste katundarëve. Këta kishin ardhur nga katunde të ndryshme që të dëgjonin komunistin Qemal Stafa. Përpara fytyrave të tyre të djegura nga dielli e të rrahura nga shiu e nga dëbora, zemra e Qemalit buçiste si vullkan, Qemali u hapte zemrën e tij të artë, nga goja e tij dilnin fjalë shënuese për plagët shekullore të tyre. Katundarët i dëgjonin me vërejtje fjalët e këtij komunisti të ri, e këtij komunisti të mbuluar me djersën e me baltën e rrugëve e të maleve tona. Ata shikonin sytë e Qemal Stafës të ndritnin si shkëndija, të cilat po i jepnin zjarr zemrave të zhuritura të katundarëve tanë. Më kujtohen fjalët e një katundari plak, kur bërtiti duke thënë: “Ne do të luftojmë deri sa të vdesim për të fituar lirinë, ne do të luftojmë për të çliruar vendin nga zgjedha e fashizmit zaptues”.
Këto fjalë ishin shpërblimi më i mirë për Qemal Stafën. Dhe kjo e bënte Qemalin të fortë si hekur i rrahur.
Vdekja e tij heroike, qëndrimi i tij i pathyeshëm, fjalët e tij të fundit:
“Rroftë populli shqiptar!” dhe “Poshtë fashizmi gjakatar!”
Kanë kapërcyer fushat dhe malet tona; emri i komunistit Qemal Stafa është në çdo gojë; figura e tij është shembull i lartë i idealit të popullit që lufton dhe bie për çlirimin e atdheut e të njerëzimit nga thundra e ndyrë, gjakatare e fashizmit okupator.
Marrë nga “Kushtrimi i Lirisë” Nr.1, gusht 1942
add a comment