21 gusht 1944 – 79 vjet – 21 gusht 2023
Pesë Heronjtë e Vigut
Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhia, Ndoc Mazi, Ndoc Deda dhe Hydai Lezha, Heronj të Popullit
Pesë Heronjtë e Vigut luftuan me heroizëm kundër bashkëpunëtorëve të okupacionit fashist, duke ngritur peshë moralin luftarak të popullit të Mirditës, Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë.
Një njësit i vogël partizanësh i përbërë nga Naim Gjylbegu me pseudonimin “Besniku”, Ahmet Haxhia “Tigri”, Ndoc Mazi “Minuku”, Ndoc Deda “Teli” dhe Hydai Lezha “Hydaj”, vepronin në Mirditë e Malësinë e Lezhës. Qarkori i Partisë së Shkodrës dhe komanda e Batalionit Partizan “Perlat Rexhepi”, e ngarkuan këtë grup për të punuar me popullin e kësaj krahine. Ky njësit me veprimtarinë e tij të dendur u nxorri shumë probleme reaksionarëve dhe prandaj fashistët pushtues dhe bashkëpunëtorët e tyre reaksionarë vendosën që ta asgjësonin këtë njësit.
Pikërisht më 21 gusht 1944, njësit partizan shkoi në një takim në Nënqafën e Vigut për të marrë pjesë në mbledhjen e Qarkorit të Partisë. Rrugës për në Vig ata u spiunuan, u ndoqën dhe në vendin e quajtur Buzbardhë të Vigut, u rrethuan nga forcat mercenare.
Pesë partizanët kur e panë veten të rrethuar nuk e humbën gjakftohtësinë dhe njëzëri filluan të përgatiteshin për luftë. Pozicioni i terrenit të tyre ishte shumë i keq. Ishin në shesh pa asnjëfarë mbrojtje, ndërsa mercenarët bashkëpunëtorë të fashistëve kishin pozicion shumë të favorshëm. Raporti i forcave ishte pesë veta me 200 armiq, pra 1 me 40 veta. Megjithatë ata u bënë thirrje mercenarëve të shitur tek fashizmi që të braktisnin komandën e tyre e të bashkoheshin me partizanët. Njëkohësisht thirrjes së kriminelëve ndaj partizanëve për t’u dorëzuar, partizanët iu përgjigjën trimërisht: “Ne nuk dorëzohemi. Armët i kemi ngjeshur për të luftuar fashizmin dhe tradhtarët e Atdheut dhe jo për t’ua dorëzuar atyre!”
Në këto rrethana përpara vdekjes, pesë partizanët me dorën e Ndoc Mazit shkruan një letër për Qarkorin e Partisë Komuniste të Shkodrës, të cilën ia dhanë trimëreshës patriote Drande Jaku, e cila u ndodh pranë pesë luftëtarëve të lirisë në ato moment e rënda. Në këtë letër spikati besimi i patundur i pesë Heronjve se LANÇ do të fitojë, se populli do ta merrte pushtetin në duart e veta. Në këtë letër shkruhet: “Të dashur shokë! Jemi të rrethuar dhe presim në çdo minutë të na përshkojnë plumbat e tradhtarëve, po ne jena nda, më mirë me dhanë jetën si me le sesa me tradhtuar luftën që kemi nisë. Një herë kemi thanë: “Ja vdekje, ja liri! Pra, o shokë, ju do të ndiqni rrugën tone, ku po e lamë ne me guxim të pathyeshëm. Shokë prej maleve të Mirditës, ku është çerdhja e tradhtarëve ju çojmë përshëndetjet tona t’u brohorit të gjithë një zani: Vdekje Fashizmit, Liri Popullit! Vdekje okupatorëve barbarë që na kanë shnderue vatanin! Rroftë Ushtria Nacionalçlirimtare! Të fala të pesë shokët: Teli, Besniku, Tigri, Minuku, Hydai!
Me guxim e trimëri të rrallë vazhdoi lufta e pabarabartë, ku pesë Heronjtë e Popullit, pa iu trembur syri zhvilluan një luftë të rreptë me armiqtë duke zbrazur të gjitha plumbat e pushkëve dhe automatikëve dhe hedhjen e bombave derisa gjetën vdekjen e tyre me nder një nga një.
Lufta legjendare dhe heroizmi i tyre u përhap në gjithë Mirditën, Lezhën e Shkodrën, si dhe në të gjithë Shqipërinë.
Armiku vërtet i vrau këta pesë heronj, bij të këtij populli, por me këtë veprim nuk mundi të shuajë dëshirën e shqiptarëve për të qenë të lirë. Ardhja e brigadave partizane, në bashkëpunim me popullin e Mirditës siguroi fitoren mbi fashizmin deri në çlirimin e Mirditës dhe të gjithë Shqipërisë.
Për këta pesë Heronj të Popullit ka shkruar një poemë madhore shkrimtari Kol Jakova. Janë shkruar këngë, janë emetuar me emrat e tyre shkolla dhe lagje të ndryshme, janë bërë filma dhe është ngritur një lapidar i lartë në qendër të qytetit që ka zbukuruar Shkodrën ndër vite dhe që dukej si “Statuja e Lirisë” e New Jorkut. Kolë Jakova në poemën e tij “Heronjtë e Vigut”, me fjalën e tyre të fundit i drejtohen popullit të Mirditës:
“Lamtumirë, o moj Mirditë,
Gjaku i jonë tu bëftë dritë,
Na ke pritë e na ke qitë,
Sofrën para na ke shtrue,
Bukë e krypë ç’të ka qëllue,
Na ke la, na ke arnue,
Kmishat tona laskarue!”
Korresp. i gazetës “Kushtrim brezash”
add a comment