Asim Zeneli – Heroi i Mezhgoranit
Asim Zeneli u lind në Progonatin e trimërisë shekullore më 17 mars 1913. Qysh në moshën e vegjëlisë u ushqye me traditat atdhetare të familjes, të trungut fisnor dhe të trevës së Kurveleshit. Me përpjekje të shumta, më 1930 hyri në shkollën ushtarake, ku u njoh me shumë shokë atdhetarë, por veçanërisht ushqente mjaft respekt për Mustafa Matohitin nga Lekdushi, për militantin Qemal Stafa, për Themo Vasin, Emin Durakun, Nazmi Rushitin, Reshit Çollakun, Skënder Çaçin etj. Më 1933 shkolla ushtarake u mbyll, por nga revoltat e kursantëve,qeveria u detyrua të njoftonte se do t’u jepej e drejta të vazhdonin gjimnazin civil në Tiranë. Në shtator 1936 Asim Zeneli mbaroi shkollën e mesme dhe iu dha e drejta të vazhdonte studimet ushtarake në Itali. Aty hyri në grupet antifashiste të studentëve. Mbasi mbaroi kolegjin ushtarak në Romë, ndoqi studimet në Akademinë Ushtarake në Modena.
Më 1941 Asimi kthehet në Shqipëri dhe caktohet në Shkodër, më pas në Elbasan, më vonë në Librazhd dhe më 1943, në Jorgucat të Gjirokastrës. Si rrjedhojë e punës agjitative, rezultateve me shokët e tij besnikë kundër fashizmit u shthur disiplina në repart dhe u shtuan dezertimet e ushtarakëve. Më 31 mars 1943 Asim Zeneli me Pano Xhamballon e 10 shokë të tjerë dezertuan në mënyrë demonstrative dhe u hodhën në çetën partizane “Koto Hoxhi”. Në prill 1943 Asim Zeneli pranohet anëtar i PKSh dhe caktohet komisar politik i çetës partizane “Hajredin Tremishti” , ku komandant i saj ishte djaloshi kosovar, i rritur në Nivicë të Kurveleshit, Xheladin Beqiri (Karadaku), Hero i Popullit.
Më 28 prill 1943 në Rehovë, komisar Asim Zeneli demaskoi rëndë Ali bej Këlcyrën duke i thënë: “Ali bej, iku koha e bejlerëve dhe e oxheqërve.Populli i hapi sytë.Iku koha e bejlerëve dhe e pazarllëqeve me pushtuesit. Populli ka nevojë për patriotë të ndershëm, që të punojnë me të vërtetë për Shqipërinë”. Në Qafën e Miricës, më 25-27 qershor 1943 dhe përgjatë rrugës për në Delvinë, kjo çetë me komandant Xheladin Beqiri dhe komisar Asim Zeneli shpartalloi forca të shumta fashiste. Në ditët e fundit të qershorit 1943,fashistët nisën operacionin kundër partizanëve dhe fshatrave të Tepelenës, Mallakastrës dhe Përmetit… Për 7 ditë e net populli heroik i Tepelenës u angazhua tërësisht në një betejë frontale në Qafën e Miricës derisa shpartalloi një ushtri fashiste prej njëmijë vetash të armatosur gjer në dhëmbë. Në këto luftime morën pjesë çetat partizane “Selam Musai” dhe “Hajredin Tremishti”, bashkë me luftëtarë të çetave territoriale të Kurveleshit dhe fshatrave përreth, që komandoheshin nga trimi Abaz Shehu, bilbil Mustafa Matohiti, Asim Zeneli e Xheladin Beqiri. Pas kësaj fitoreje çeta “Hajredin Tremishti” dhe shokët e tjerë u mblodhën në fshatin Damës, që dallohej, jo vetëm për bujarinë, por edhe për prushin e ndezur të patriotizmit në çdo vatër damsiote. Duke u gdhirë data 1 korrik 1943, një autokolonë fashiste italiane del nga Tepelena dhe merr drejtimin drejt Këlcyrës, për t’i shkuar në ndihmë garnizoneve fashiste në Kuqar e në Përmet.Ndërkaq, vazhdonte beteja e fuqishme te Gryka e Mezhgoranit, ku qenë angazhuar forcat e çetës “Koto Hoxhi”, e cila mbante krahun e djathtë të lumit Vjosë, ndërsa në krahun e majtë vepronte çeta “Musa Fratari” dhe vullnetarë të fshatrave rrotull. Sapo morën lajmin nga Gryka e Këlcyrës, partizanët e çetës “Hajredin Tremishti” me komandant Xheladin Beqiri e komisar Asim Zeneli u nisën nga Damësi mbi kurrizin e malit të Shendëllisë, për të ndihmuar shokët në betejën e sertë. Sa doli te Gryka e Mezhgoranit, çeta “Hajredin Tremishti”, ndeshet me një kompani italiane, e cila me detyrë luftarake synonte të kundërsulmonte në krah e në shpinë të çetës “Koto Hoxhi”. Komandanti Xheladin Beqiri e komisar Asim Zeneli vendosën pa humbur kohë unazën e rrethimit të forcave fashiste. Armiku qe i shumtë në numër; një batalion këmbësorie, i përforcuar me tanke, autoblinda, madje edhe me avionë. Ardhja e çetës “Hajredin Tremishti”ishte vendimtare për fitoren mbi fashistët, për të mos i lejuar që të shkonin në Kuqar e Përmet. Kjo çetë partizane, nëpër veprimet e saj luftarake kishte njohur vetëm fitore mbi armiqtë gjakatarë, sepse në krye të çetës ishte një komandant me përvojë luftarake; trim, i regjur e i mësuar në luftime e beteja, kishte një komisar guximtar, i sprovuar në karrierën e tij ushtarake dhe me dituri në fushat operacionale, një komisar si Asim Zeneli, që dinte të orientohej në momente kritike dhe të vendoste në çast për të dalë nga situatat e vështira.Ai njihte fort mirë artin ushtarak, taktikat luftarake të ushtrisë italiane, sepse kishte studiuar në Akademinë Ushtarake italiane. Në betejën e ashpër te Gryka e Mezhgoranit armiku qe i rrethuar si miu në çark. Beteja qe e sertë : tym e flakë. Le të kujtojmë këngën e krijuar në ato çaste nga poeti partizan Qamil Buxheli, me melodi të muzikantit Ermir Krantja, e kënduar në mënyrë virtuoze nga bashkëluftëtari Mentor Xhemali. Kjo këngë brilante heroike e ditirambe ka gjëmuar nga zëri i ish-partizanit, shokut të betejave me komisarin Asim Zeneli. Ajo këngë e zjarrtë ka jehuar në skenat e Moskës, Berlinit, Parisit, Pekinit, Londrës dhe gjetkë. Në datën 2 korrik 1943 intesiteti i betejës arriti kulmin.Gryka e Mezhgoranit dëshmon për luftëtarët heroikë, por në këtë teatër ku loste jeta me vdekjen vritet komisari Asim Zeneli. Nga kjo dhimbje, edhe shkëmbinjtë sikur u plasaritën, edhe zemrat e partizanëve u goditën rëndë. Poeti partizan, duket se “e ngjeu penën” në flakët e heroizmit partizan e i dha ngjyrën e kuqe të gjakut – valë të Asim Zenelit Hero. Luftëtari Mentor Xhemali bie përmbys mbi shkëmb, duke derdhur lotët e shpirtit e duke thirrur:”Jo Lako, Lako, …Lake… joooo…Lake”. Partizanët e përlotur mezi e ngritën në këmbë Mentor Xhemalin që kishte rënë përmbys mbi shkëmb e qante me dënesë. Komandanti Xheladin Beqiri bashkë me disa shokë trupin e Asimit e vunë buzë xhadesë dhe për të ngritur lart moralin e për t’u dhënë zemër në ato çaste mjaft tronditëse i vuri partizanët në rresht në formë U-je dhe dha komandën: ”Për nder armë!”. Shtrëngoi nofullat, një lëmsh iu mblodh në grykë dhe me një pamje burrërore foli:”Vëllezër! Timat nuk qahen, por këndohen”. Pastaj me qëndrimin “gatitu” e duke nderuar me grusht vazhdoi:”Shoku Asim, ti u ndave nga ne që të deshëm aq shumë. Betohemi se trimërinë, heroizmin dhe gjakun tënd kurrë s’do t’i harrojmë. Me sulm e nisëm, me sulm do ta mbarojmë, me gjak e nisëm, me gjak do ta fitojmë”.
Asim Zeneli mbetet shqiponjë në fluturim në qiellin e lavdisë shqiptare e yll flakëronjës e i ndritur në panteonin e pavdekësisë.
Nga Naime PROGONATI
Pasardhëse veterani
Krenar PROGONATI
Pasardhës veterani
add a comment