Vështrim/Analizë

Kushtrim Bislimi: Zoti Kryeministër!

Zotëri kryeministër,
Varfëria përtej së keqes shoqërore e politike me një faktor, është e keqe e ardhur prej momentit kur njeriu ka filluar të thotë “kjo është e imja !” e prej kur kanë fillu me u nda vëllezërit e motrat. Dhe, është egërsu edhe më shumë që kur rron mbretërisht dhe pa konkurrencë (edhe pse ky term është vet mishërimi i kuptimit të kapitalizmit të egër) sistemi kapitalist dhe individualizmi. Dhe si rrjedhojë e këtij të fundit, atomizimi i familjeve dhe zbehja e solidaritetit. Një aspekt tjetër që rrjedhë nga këto të parat, është trashëgimia. Nuk është e drejtë t’u premtosh njerëzve barazi kur dihet që shumë prej tyre kanë lindur pa asnjë prej trashëgimive bazë sociale (kupto rrjet të njerëzve me vlerë të shtuar), kulturore (kupto edukim, dije të përgjithshme apo të specializuar) apo ekonomike (kupto toka me vlerë, asete të ndryshme, firma, pare në xhep, në konto etj.). Çështjet që i takojnë modaliteteve të ndikimit të këtyre faktorëve mund të diskutohen gjerë e gjatë (cila ma shumë, cila ma pak ndikon, kush i ka fajet ma shumë), por asnjëherë saktësia e tyre.
Kur shkon e u premton disa njerëzve të gjorë se do t’i shpëtosh prej së keqes unifaktoriale (në këtë rast “ish-luftëtarët e egër”), është po aq e padrejtë ndaj këtyre të fundit sa ndaj atyre të parëve. Sepse futja e luftëtarëve në burg, apo futja e dy apo tre zagarëve në burg për korrupsion (term që pa asnjë habi do ta dëgjojë të riformuluar një ditë nga vet juve nën atë më modern “lobbying” duke vëzhguar trendin të cilin e keni marrë prej se keni marrë pushtetin), nuk ju bën juve shpëtimtar të askujt dhe aq më pak të llojit të njerëzve të cilëve u drejtoheshe si në rastin e kësaj video.
Kur flet për ata që kanë rroga 1500 euro dhe 7 vetura e pushime të shtrenjta, ndoshta me qëllim harron të përmendësh ata që thjeshtë kanë trashëguar, apo vet baza e pabarazisë shoqërore. Sepse dihet botërisht që disa eksponentë të LDK-së (shembull arketipik është “zotëri Profesor Isa Mustafa”) janë ata që kanë përfituar më së shumti nga sistemi i kaluar. Përfitime që kanë trashëguar edhe paslufte. Përfitimet nga një sistem i kalbur, i padrejtë dhe shtypës, jo që i kanë trashëguar, por edhe i kanë lulëzuar në sistemin e ri. Trashëgimi që kurrë nuk e ke akuzuar para se të akuzosh njerëzit e luftës. Trashëgimi e gëzuar nga mungesa e një ligji të lustrifikimit që ka ndodhur në çdo vend të botës pas luftërave. Nuk është e drejtë të ulësh disa njerëz të cilësuar si të varfër përballë teje, dhe t’u mbash ligjërata mbi atë se si komandantët e luftës e paskan shkatërruar këtë vend, vend ky, edhe ashtu pa trashëgimi burimore aq të madhe. Ligjerata që mund lehtësisht të krahasohen me ato klerikëve fetarë, me qëllim t’i japësh “gajret miletit” apo qëllim edhe më pak fisnik, t’u marrësh votat.
A është fajtor ai që ka trashëguar zotëri kryeministër ? Sepse ashensori social po fillon të bllokohet në Kosovë (pasi është jashtë përdorimit në shumë shtete perëndimore tash e shumë vite) dhe shtresat të stratifikohen, siç ndodh rëndom pas çdo lufte apo revolucioni. Nuk ka më asi lloj storie suksesi që dëgjonim rëndom shpesh-herë gjatë kësaj paslufte. “E ka nis me një bager mas lufte, tash i ka 200 bagera s’ja din fundin pasurisë”. Nëse në vitet e 70ta (fundi i periudhës së quajtur “tridhjetë të artat në Francë kur ekzodi rrual kishte arritur kulmin dhe kur, po bëheshin 25 vjet nga përfundimi i luftës së dytë botërore) në Francë pasuria e trashëguar pasqyronte 35% të pasurisë, sot ajo pasqyron 60% të pasurisë së një familjeje. Dhe një Zot e di që në Francë, 50% e familjeve më të varfra posedojnë vetëm 5% të pasurisë totale të familjeve. Kurse 10% më të pasurit, posedojnë 60% të pasurisë totale franceze. Pabarazia në thelb ushqehet që në djep, dhe trashëgohet dhe forcohet në kohë paqeje. Nëse në vitet e njëjta në Francë (30 të artat), një shef firme fitonte diku 25 herë rrogën e punëtorit të tij, sot ai e fiton mbi 100 herë rrogën e tij. Tash pyetja është, qysh me zbut këtë pabarazi për mos me përdorë terma të fjalorit tuaj binar, qysh me zhduk ?
Lufta bashkëkohore është rreth ideve dhe implementimit të tyre për të krijuar vlerë të shtuar e për të kapitalizuar apo monetizuar atë vlerë. Kjo bëhet përmes shumë metodave mes të cilave shembulli i “action-research” (ose edhe livinglabs) për të ideuar dhe implementuar në vendet ku jetojnë shtresat e varfra të popullsisë ide të zhvillimit, të rritjes së vlerës së asetëve të tyre (qofshin kulturore, sociale apo ekonomike) dhe krijimit të vlerës së shtuar – bashkë me ta dhe përmes tyre. Dhe si pasojë, rritjes së vlerës së tokave apo vendit ku jetojnë dhe rritjes së vlerës së kompetencave të tyre apo edhe rritjes së kulturës dhe mirënjohjes. Sepse siç thotë Honneth, mirënjohja është baza e mirëqeniës së njeriut. Dhe ajo mirënjohje vije përmes ndjenjës të së qenit i dashur (i pranuar nga të tjerët ashtu siç je), ndjenjës së përjetimit të drejtësisë dhe ndjenjës së mirënjohjes nga të ngjashmit (njerëzit që ndajnë kulturën e njejtë, apo njerëzit me të cilët ndjej se ndaj një grup përkatësie të përbashkët si për shembull kolegët e punës). Nuk është më koha e demagogjisë, sepse siç është dëshmuar shumë herë para se ta përsërisni juve, demagogjia përmes magjepsjes nuk sjell asgjë përveç se zhgënjim të thellë dhe eksode të reja (siç po kërkohen qindra e mijëra viza para ambasadës gjermane shpirt-gjerë ndaj njerëzve me kompetenca konkrete artizanale) e përsëritje të anës së trishtë të Historisë.
Zakonisht, ai që e ka filluar kështu vazhdon kështu, dhe ai që e ka gjetur Kosovën e pasluftës në varfëri, e ka vazhduar me po të njëjtën varfëri. Si kryeministër i shumë-dijshëm, për të mos thënë i gjithëdijshëm, me shumë kureshtje kisha dashur ta dija a besoni në meritokraci brenda këtij sistemi ?
Sepse ky koncept është diçka që e kanë teorizuar anglezët në një kohë kur ishin gjithçka pos se burra të mirë (edhe pse ka njerëz që edhe sot mendojnë që nuk janë burra të mirë, por ky është debat tjetër). Në kohën kur shfrytëzonin kolonitë e tyre, në një moment kuptuan se vetëm pasuria nuk mund të ishte më faktor determinues për menaxhimin e aseteve shtetërore. Dhe kështu filluan të zhvillojnë mënyra të reja të selektimit të njerëzve për British India East Company dhe sidomos pas humbjes së luftës së Krimesë (1853-56) dhe “Sepoy Revolution” apo “Indian Mutiny” (1857-59). Megjithë shlyerjen nga skena vendimmarrëse direkte të aristokracisë, sot është klasa kognitive që po dirigjon. Ata që i thonë vetës “të mençur”, ata “anywhere” që si rrjedhojë po duken se janë shumë më të pamëshirshëm se aristokratët e kohës së romantizmit. Ndërsa “somewhere”-t e gjorë, mbesin të njëjtit veçse me një nënçmim shtesë dhe më të fortë nga ana e klasave kognitive që e konsiderojnë vetën si trashëgues të meritokracisë.
Me pak fjalë, dhe pa dashur të jem fatalist e të shoh veç zi, edhe pse binariteti i tepruar i debatit publik vështirë të të shtyej në kahje më komplekse, më falni nëse u zgjata pak. Por nuk munda me e duru këtë video që daton nga 2020 sepse mu duk tepër hipokrite, demagoge dhe nënçmuese ndaj këtyre klasave të varfra, edhe pse e pëlqej kryeministrin në disa çështje të tjera. Plus që hyn në rezonancë me aktualitetin ku kryeministri ynë, pa asnjë plan për të ndihmuar këtë klasë shoqërore drejt emancipimit, po vazhdon ta shtyp edhe më fortë (me apo pa dashje).
PS për militantët : nuk jam kundër Albinit, edhe nuk është qëllimi me ja fy inteligjencën por më tepër me ja ngacmu sepse ma ngacmoj fortë timen kur pashë këtë video.
https://www.facebook.com/1092951733/videos/1063560120891575/

Postimet e fundit !