Shqipëria/Aktualitet

Kushtetuesja: Zgjedhjet e 30 qershorit legjitime

TIRANË, 4 nëntor/ATSH/ Gjykata Kushtetuese vendosi sot rrëzimin e kërkesës së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë për shpalljen antikushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Gjykata Kushtetuese njoftoi sot se, “mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 23.06.2021 dhe 02.11.2021 çështjen me palë kërkuese Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt: Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë të procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.

Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019”.

“Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, mori në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecies, vendosi rrëzimin e kërkesës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata njoftoi se, “vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

/a.a/r.e/