TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi zhvilloi në mjediset e ministrisë një takim me drejtuesit e “Projekteve kombëtare fituese të kërkimit dhe zhvillimit 2021-2023”.
Kushi gjatë takimit të saj ka theksuar se këtë vit është rritur ndjeshëm buxheti për kërkimin shkencor dhe numrin e përfituesve nga institucionet kërkimore në të gjithë vendin.
Janë 27 përfitues të projekteve kombëtare të kërkimit dhe zhvillimit, ndërkohë që dy vjet më parë numri i përfituesve ishte gjashtë.
Ministrja Kushi ka gjetur rastin të falënderojë fituesit e projekteve, për seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e lartë në hartimin e projekteve konkurruese.
Ajo i ka inkurajuar më tej koordinatorët dhe udhëheqësit e projekteve që në punën e tyre kërkimore të krijojnë koherencë dhe bashkërendim edhe me projekte ndërkombëtare të vendeve të zhvilluara, duke i shërbyer kështu edhe zhvillimit dhe rritjes së mirëqenies në vend.