Shqipëria/Aktualitet

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, thirrje KiE-së: Rrëzoni akuzat kundër Kosovës

Raporti i Dick Martit (i porositur dhe “sponzorizuar”) për “trafikim organesh”, Rezoluta e Asambles së  Këshillit të Evropës dhe themelimi i Gjykatës speciale nuk kishin dhe nuk kanë për qëllim dënimin e ndonjë individi a grupi individësh (shqiptarësh), por njollosjen dhe dënimin e përpjekjeve, luftës dhe sakrificave gati njëshekullore të kombit shqiptar për çlirimin dhe bashkimin e trojeve të pushtuara të Shqipërisë, njollosjen dhe dënimin e LUFTËs ÇLIRIMTARE të LPK – UÇK – së dhe të kombit shqiptar… Angazhimit të shtetit tonë AMË (Kuvendit, Qeverisë) dhe Kryeministrit për ta rrëzuar raportin dhe rezolutën antishqiptare do të duhejë, pa më voglin hezitim, t’i ishin bashkuar edhe krerët e institucioneve të Kosovës shqiptare. Qëndrimi indiferent karshi kësaj çështjeje i bënë përgjegjës dhe me faj krerët e ketyre institucioneve në Prishtinë… (Redaksia e GL)

TIRANË, 12 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje sot Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës që të rrëzojë akuzat kundër Kosovës.

“Ju bëj thirrje që të pranoni kërkesën e Shqipërisë për miratimin e një rezolute që kërkon një raport vijues lidhur me akuzat e paprovuara, të turpshme të trafikimit të organeve nga anëtarët e Ushtrisë heroike Çlirimtare të Kosovës, një krim që kurrë nuk është kryer dhe kurrë nuk duhet të ishte atribuuar”, tha Kryeministri.

Kjo, vijoi Rama, “nuk është as për hir të Kosovës, as për hir të Shqipërisë që ju duhet ta miratoni këtë rezolutë, është për nderin tuaj dhe besueshmërinë tuaj”.

“Bota është mjaftueshëm keq në gjendjen që është. Të drejtat e njeriut janë në rrezik gjithkund. Duhen luftëtarë që të luftojnë për to, por nuk mund të ketë luftëtarë nëse nuk ka besim dhe gjithçka ka të bëjë me besimin”, tha ai.

“E kuptoj çështjen e simetrisë, e kuptoj rëndësinë e paanshmërisë, e kuptoj nevojën për të hetuar. Është në natyrën e institucioneve si ky, gjithashtu, se gjërat kërkojnë kohë dhe duhen bërë kërkime të thella përpara se të merret vendim për çdo rast, por vjen një pikë ku vonesat, ngurrimet, manovrat e humbasin karakterin e nevojshëm administrativ dhe përftojnë një kuptim të dytë, një kuptim që çon saktësisht në poshtërimin e atyre që komuniteti ndërkombëtar presupozohet t’u shërbejë. Kjo dëmton vetë bashkësinë ndërkombëtare, jo sepse nuk mund të vazhdojë të bëjë më atë që ka bërë përherë, por sepse besimi në sistemin ndërkombëtar është thyer”, tha Rama.

Ai tha se “kur bota kthehet përmbys dhe viktima bëhet kriminel, gjithçka është e mundur”.

“Zhduket dallimi midis të drejtës dhe të gabuarës, të vërtetës dhe gënjeshtrave dhe në momentin që ky dallim shuhet, jemi sërish të kthyer në hapësirën e pushtetit arbitrar dhe viktima e parë e këtij shtrembërimi jeni ju. Po, të gjithë ju, është vetë bashkësia ndërkombëtare”, shtoi ai.

“Një lajm i rremë, mizor, arriti të shndërrojë në një raport që u transformua në një rezolutë, në një përpjekje të admirueshme, në fakt, për t’i shërbyer të vërtetës dhe drejtësisë me kaq shumë njerëz, të cilët u keqorientuan dhe që, më në fund, i minuan të dyja, të vërtetën dhe drejtësinë”, shtoi Rama.

“Veprimet tuaja një dekadë më parë kanë shkaktuar në mirëbesim një prej dështimeve më monumentale të politikës ndërkombëtare, një shtrembërim i shëmtuar i të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, pikërisht duke vepruar për t’i mbështetur ato të dyja. Nuk jam këtu për të fajësuar paraardhësit tuaj, aspak. Jam këtu për ju, gra dhe burra, të cilët mund t’i shoh në sy, të cilët i lidh me ndërgjegjen europiane të drejtësisë, Këshillin e Europës, ekselencën botërore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut; jam këtu t’ju them që si rrjedhojë e vendimit të shkuar të këtij Këshilli, të kësaj Asambleje, bota e drejtësisë u kthye përmbys, viktimat e krimeve të tmerrshme të luftës u kthyen në kriminelë”, vijoi Kryeministri.

Sipas tij, “kërkimi për të vërtetën u kthye në një përsëritje të pafundme gënjeshtrash, të rinj, një njeri luftëtar u kthye në një kre të një bande mafioze, një udhëheqës i zgjedhur që ndërtonte paqen u shndërrua në një kriminel lufte, lufta heroike e njerëzve të zakonshëm që u mblodhën rreth flamurit e ushtrisë së tyre çlirimtare u kthye në një histori të tmerrshme të trafikimit të organeve, kërkimi i një vendi për dinjitet u nëpërkëmb nga akuza të turpshme të mizorive masive. Ata që u shpëtuan nga ndërhyrjet humanitare u akuzuan për krimet më jo humane”.

Rama tha se “kështu drejtësia ndërkombëtare u mënjanua edhe një herë nga hipokrizia ndërkombëtare”.

“Përpiquni të përfytyroni presidentin Zelensky 10 vjet më pas, që bëhet pjesë e diçkaje kaq surreale sa presidenti Thaçi sot. Sepse Kremlini e Moska tanimë ka nisur të thotë se ka veprimtari të trafikimit të organeve njerëzore nga neonazistët në Donbas. Kështu që jini të përgatitur për këtë”, tha Rama.

Rama tha se “ajo që më solli këtu nuk është shqetësimi për demokracinë e Kosovës që pavarësisht moshës së saj të re, pavarësisht krizës aktuale, do t’ia dalë, do të ecë mirë”.

“Është besimi i fortë i shqiptarëve në institucioneve si ky që është tronditur me vendimin tuaj, me atë vendim. Kur e vërteta e një kombi të tërë shtrembërohet në mënyrë kaq të frikshme, lutja e vetme që na vjen është: “Për hir të Zotit, mos i lini gabimet e mëparshme tragjike të shndërrohen në mëkatin tuaj të pafalshëm””, theksoi ai.

“Jam këtu për ju, jam këtu për të gjithë ne. Jam këtu si evropian, në tempullin europian të besimit, në të drejtat ndërkombëtare të njeriut e ashtu si Shën Andoni përfundoi duke u predikuar peshqve sepse njerëzit kishin humbur besimin, shpresoi që gabime tragjike si ky që ka bërë kjo Asamble me çlirimtarët, nuk do ta kthejnë të gjithëve ne në heretikë. Jam këtu  për t’iu përgjëruar që t’i shpëtoni fytyrën të drejtave të njeriut në Europë, të mbroni integritetin tuaj, t’u dëshmoni të gjithë njerëzve të shtypur në botë e të gjithë viktimave të shkeljeve të të drejtave të njeriut, që ata mund të rezistojnë pa frikën se qëndresa e tyre e ligjshme një ditë do të bëhet krim, që viktimat nuk do të akuzohen si kriminelë, që bashkësia ndërkombëtare nuk do t’u vijë në ndihmë vetëm për t’u kthyer sërish kurrizin më pas, që nuk do të degradojë e të poshtërojë me akuza kaq të tmerrshme ata njerëz, dinjitetin e të cilëve presupozohej të vinte në vend”, shtoi ai. /j.p/

Postimet e fundit !