Shqipëria/Aktualitet

Kryeministri shqiptar: E drejta është në anën e Kosovës

Një nga përparësitë e Shqipërisë, si anëtare e OKB-së, do të jetë pikërisht nxitja e njohjes nga të gjithë e realitetit të Kosovës si përmbyllje e natyrshme edhe formalisht e shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Është Serbia që duhet ta njohë dhe është për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të çlirimit përfundimtar nga e shkuara, jemi dëshmitar të manovrave teatrale në kufi me Kosovën.
Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serbë në veriun e Kosovës, sikundër pretendohet nga Beogradi zyrtar, madje edhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës më shumë se 20 vjet më parë sikur kanë dalë nga varri me pretendimin që do mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serb në Kosovë. Në fakt qytetarët serb në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush, madje ju paguhen edhe faturat e energjisë elektrike si askujt askund, jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë.
Ato manovra sjellin në skenë hijen e së shkuarës dhe nxisin vandalizëm të institucioneve që janë për t’i shërbyer qytetarëve serb që janë pengje të stanacionit të dialogut së Serbisë dhe Kosovës. Targat janë e drejtë legjitime por dhe marrëveshje e arritur me kohë mes dy qeverive. Qëndrimi i Shqipërisë, të cilin e gjykoj të drejtë dhe të pandryshuar që nga çasti i parë kur u shfaq ky konflikt, e drejta këtu është me Kosovën dhe pikë dhe Serbia nuk ka asnjë të drejtë të kthejë targat dhe mizën ta bëjë buall a thua se Kosova po paralajmëron luftë kur në fakt po kërkon zbatimin e marrëveshjes.
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë