Shqipëria/Aktualitet

Kryeministri Rama: Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë”, ndërsa iu referua rezolutës së paraqitur në Kuvend nga një grup deputetësh të opozitës, mes të cilëve edhe Sali Berisha.

“Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot, pse, me ç’rast? Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s’ishte rezolutë po lojë e ulët”, tha Rama.

Rama e cilësoi këtë “lojë të ulët të një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik”.

“Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehen gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë”, tha Rama.

“Edhe një fakt për t’u nënvizuar: Parlamenti sot nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, po thjesht ka refuzuar të fusë në procedurën trejavore parlamentare një dokument të ardhur nga Katrani, siç do të bëjë me çdo letër që do të ketë bojën e tij!”, përfundoi Rama.

/m.m/j.p/