Shqipëria/Aktualitet

Kryeministri Rama: SPAK të godasë kuçedrën e korrupsionit në kokë

TIRANË, 9 prill/ATSH – I. Vata- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se e inkurajon SPAK-un në goditjen e korrupsionit në vend.

Por theksoi se shefat e peshkaqenëve të oqeanit të korrupsionit të 30 viteve vijnë vërdalle.

“Unë i them bjerini sa të keni fuqi, mos shikoni majtas as djathtas, mjafton që të mos shkoni për peshk, pasi është pak si e rëndë. Kur ti sheh shefat e peshkaqenëve të oqeanit të korrupsionit të 30 viteve që vijnë vërdalle dhe sheh një arke me peshk që shkon në burg, aty ka një problem që thua prit, cfarë po bëhet. Sikur të gjithë t’i bënin presion drejtësisë, siç i bëj unë, të jeni të sigurtë që burgu do të ishte shumë më pluralist, jo monopartiak si është për momentin”, tha Rama.

“Duke qenë se është dita e sotme dhe duke qenë se SPAK-u nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte kjo parti e duke qenë se Kongresi i partisë është forumi më i lartë i kësaj partie, unë i thash disa fjalë edhe për SPAK-un sepse kjo parti meriton të dijë se çfarë mendoj unë për diçka që nuk shkon e kjo nuk shkon e të gjithë e shohin, të gjithë e dinë, të gjithë e komentojnë, shumë njerëz ma thonë e flas jo për njerëz që mund të konsiderohen në konflikt interesi, ministra apo deputetë, flas për njerëz të tjerë jashtë interesave të drejtpërdrejta dhe natyrisht që kjo është e vërtetë. Kështu që dua ta përsëri dhe një herë se nuk do merrem me këtë çështje më tutje por do vazhdoj të shoh e të pres me durim që SPAK-u të hyjë më thellë në kraterin e vullkanit të poshtërsive, zullumeve, krimeve dhe vjedhjeve të cilat nuk gjenden në oborrin e Partisë Socialiste. I di gjithë Shqipëria. I dinë gjithë shqiptarët. I dinë gjithë partnerët. Me siguri individualisht i dinë edhe prokurorët e SPAK-ut por sigurisht që duhen të forta, shumë të forta. Shpresoj t’i kenë gjunjë të fortë, e të bëjën detyrën hsitorike që kanë ndaj Shqipërisë, ndaj shqiptarëve e ndaj reformës”, tha Rama.

“Të godasin nga të katërt anët por të godasin lart. Ka kohë për të shkuar tek arka me peshk dhe tek zgjerimi i dritareve pa leje. Edhe ato shkelje janë por ka kohë për të shkuar deri atje dhe ka shumë më përpara se sa burgu kur shkohet deri atje. Ndërkohë që këtu rrotullohen të vdekurit nëpër varre nga plumbat që kanë marrë në bulevard e nga flakët e ferrit që i kanë jetuar dy hapa larg Tiranës. Ndërkohë që këtu vjedhjet marramendëse dihet kush i ka bërë. I dinë të gjithë. E jo vetëm i dinë por janë të gjitha dosjet, dokumentet, dëshmitarët. Kështu që asnjë kursim për të goditur këdo qoftë në këtë anë ha në shpinë Partinë Socialiste, që ha në shpinë besimin e njerëzve, besimin e kësaj familje dhe timin|. shtoi Kryeministri.

Ai nënvizoi se “në ndërkohë kuçedra e korrupsionit duhet goditur në kokë, as në qafë e as në bisht jo e jo por në kokë. Nëse kanë nevojë ta dinë se ku është koka, unë jam i gatshëm të shkoj që nesër t’jua tregoj atje prokurorëve të SPAK-ut, që të mos bëjmë referendum popullor që ta marrin vesh me referendum, nëse kanë ndonjë problem me shqisat e perceptimit diçkaje që është para syve të Shqipërisë dhe shqiptarëve prej vitesh. Natyrisht që qeveria aktuale, pra kush qeveris aktualisht ka një detyrë që e bën njëkohësisht edhe të shikueshme më nga afër për gabimet apo për fajet që mund të bëjnë individë të caktuar por kjo nuk do të thotë që ata që çuan nënat me të zeza nëpër varre të torolisin Shqipërinë akoma sot e gjithë ditën. Kjo nuk mundet sepse nuk jemi në kushtet ku ne sot qeverisim në një proces të natyrshëm vazhdimësie dhe drejtësia ka qënë aty edhe përpara sesa të vinim ne në qeveri, edhe përpara se të vinin të tjerët. Jo, jemi në kushtet kur drejtësia e drejtë tani ka filluar të shfaqet në jetën e shqiptarëve, pas 500 vjetësh”.

Më tej, Kreu i Ekzekutivit th se “nuk e ekzagjeroj fare ose më tregoni një rast në historinë e Shqipërisë kur drejtësia, prokuroria, gjykata janë marrë me njerëzit e pushtetit. Ma tregoni! Në kohën përpara ardhjes tonë në qeveri ka patur një goditje dhe ka qënë një goditje e poshtër e pushtetit ndaj opozitës, duke burgosur Kryetarin e opozitës. Pra nuk ka qënë drejtësi, ka qënë një poshtërsi. Para ishim, dihet, të kapte partia, të vriste, të varte partia . Para, shikoni librat e historisë, e njëjta gjë. Më përpara akoma, hiç fare. Kështu që, ne jemi te parët qe po shikojmë goditje të drejtësisë në kampin tonë po themi sepse bëhet fjalë për ministra të mandatit të parë, por nuk po i nxjerr nga kampi dhe as po ccuditemi, as po hidhemi përpjetë, as po lëshojmë një pipëtimë pse kjo e pse ajo, por përkundrazi. Po mbajme një linjë shumë të ashpër parimore qe këtu s’ka kompromis, këtu ne jemi me drejtësinë, ku ne s’jemi me asnjë individ”.

“Po kjo nuk do të thotë që kjo të merret si dobësi, që meqë këta nuk flasin e nuk na mbështesin, ne po bëjmë normën duke kapur arka me peshk. Diçka nuk shkon. Që nesër jam gati të shkoj unë atje dhe t’ju vë në dispozicion gjithë njohjen time si quhet ajo në jurisprudence personi i interesuar, si person i interesuar nëqoftëse kanë nevojë për ndonjë ndërhyrje në memorie”, deklaroi Rama.

Dhe e dyta, vijoi ai, shumë mirë, shumë shumë mire, gjë e duhur që një person me pushtet politik konsiderohet në shkelje, kjo është për gjykatën për ta gjykuar, por në parim është gjëja e duhur, për shkak se familjarët përfitojnë shuma që në pamje të parë justifikohen, por krahasuar me gjykatësit dhe prokurorët ish kolegë të këtyre prokurorëve të SPAK- ut, që kanë deklaruar shtëpi si ato vargjet e fiqve të thatë, apartamente një pas një, kjo nuk krahasohet.

“Ku janë gjykatësit që vettingu i ka nxjerrë jashtë dhe sipas reformës dhe sipas gjithçkaje që kemi thënë, dhe sipas rekomandimeve të BE që shumë shpejt mund të kthehen në kushtëzime për të vazhduar më tej kur të hapet konferenca e parë ndërqeveritare duhet të shkojnë në burg këta gjykatës dhe prokurorë që nuk justifkojnë dot pasurinë. SPAK duhet t’u japë atyre vetëm një mundësi, ata që nuk justifikuan dot te vetting, të vijnë ta justifikojne te SPAK”, nënvizoi Kryeministri.

“Nëse nuk e justifkojnë duhet të shkojnë në burg. Ata që i kanë bërë nënën drejtësisë në Shqipëri për dekada të tëra dhe që kanë këputur kryq shqiptarët e zakonshëm me atë çekiçin e tyre dhe që kanë qënë në një marrëdhenie mëkati permanent, qoftë me atë që është përballë këtu, qoftë me atë tjetrin qe vjen verdallë andej; qoftë me atë tjetrin që nuk e di ku ka humbur, por nuk jam shqetësuar më se mori atë qe meritonte dhe ai. Le të flerë gjumë rehat tani dhe me të gjithë politikën që u mblodh grusht bashkuar dhe na doli përballë dhe nuk donte të na linte të benim reformën në drejtësi”, vijoi Rama.

Ai tha se “këta gjykatës dhe këta prokurorë duhet të jenë të kryqëzuar se për këtë e kemi bërë reformën në drejtësi, që drejtësia të godasë nga të katërta anët njerëzit që e kanë bërë mullar atë që s’thuhet, duke i bërë karshëllëk njerëzve që s’kanë patur bukë të hanë, duke nxjerrë të poshtëruara nga sallat e gjyqeve gra dhe nëna, të cilëve kriminelët më monstra iu kanë marrë jetën dhe këta i nxirrnin në shëtitje nga salla e gjyqit”.

Sipas tij, këto janë tema, të cilat SPAK bën shume mirë t’i vërë në rendin e ditës dhe në ndërkohë nëse ndokush mund të ketë krijuar idenë e gabuar që ne s’kemi gojë, kjo e sotmja vlen dhe për këtë.

Ai shtoi se historia e Shqipërisë së re nuk mund të shkruhet, duke i shkuar nga mbrapa çdo lloj personazhi grotesk apo gjysmë grotesk që në emër të opozitës del dhe bën denoncime.

“Nuk mund të shkruhet historia e drejtësisë, as duke u vënë në lëvizje kryesisht nga frika e presioneve që bëjnë disa njerëz që iu kanë rënë dhëmbët edhe nga inercia e frikës së një të gjalli që ka vdekur. Jo! Drejtësia e re mund të shkruhet vetëm nëse godet në 360 gradë. Në pjesën e gradëve që i takon PS e kanë derën hapur, s’ka asnjë problem. E kanë gjetur hapur derën në fakt. E kanë gjetur hapur derën. Nuk i ka penguar askush, të vazhdojnë, s’ka problem fare. Kanë mbështetjen time 100%. Edhe i gjithë grupi parlamentar, edhe të gjithë. Por ama të shikojnë edhe dyert e tjera ku deri tani s’kanë trokitur. A s’kanë patur kohë, a kanë nguruar, a kanë harruar, mos të them të tjera se hipoteza janë të gjitha, unë këtë nuk e di. Unë di që këto goditje që kanë ndodhur kanë vetëm një vlerë: Vlerën e inkurajimit të shpresës. Por këto nuk janë goditjet reale kundër kuçedrës të korrupsionit në Shqipëri. Këto janë goditje shumë të rëndesishme për të dhënë nje mesazh shumë të qartë dhe për të krijuar profilin, për ta prezantuar drejtësinë e re me një profil, por Shqipëria nuk ka dhe 30 vite të tjera të presë të shikojë goditje post mortum të X-it e Y-it. Janë gjallë, janë vërdallë, janë përballë, i kanë aty”.

Madje, sshtoi Rama, i kanë në kushtet qe bëjnë dhe një karshëllëk shumë të madh ndaj shqiptarëve,madje bëjnë karshëllëk tani edhe ndaj Amerikës, s’kane faj, nuk kanë faj.