TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Praga se projekti i Komunitetit Politik Evropian, i ka të gjitha gjasat që të zhvillohet dhe konsolidohet më tutje.
I pyetur në një prononcim për mediet pas takimit të parë të Komunitetit Politik Evropian se si u prit propozimi i tij dhe kryeministrit të Holandës, Mark Rutte për Komunitetin Politik Evropian, Rama tha se, “ky është një proces tani, por e rëndësishme është që është lançuar një format i ri bazuar në një ide që nuk është e re, por është një ide, e cila ka hasur gjithmonë situata, ose në pengesa që nuk e kanë lënë të zhvillohet. Dhe faktikisht, besoj që edhe për shkak të gjithë frymës së krijuar nga solidariteti me Ukrainën, që faktikisht e ka bashkuar të gjithë këtë familje demokracish në Evropë, pavarësisht nëse janë BE, apo janë vetëm E”.
“Besoj që projekti ka të gjitha gjasat që të zhvillohet dhe konsolidohet më tutje”, nënvizoi Rama.
“Edhe formati i takimit ishte shumë i pazakontë, sepse pas seancës plenare, ku unë kam pasur nderin të jem një ndër folësit, një vlerësim i jashtëzakonshëm besoj për Shqipërinë, në një format me më shumë se 40 vende, ne jemi ndarë në një sërë tryezash të rrumbullakëta, ku jemi fokusuar pastaj më në detaje për çështjet që lidhen me propozimin tonë. Dhe njëkohësisht edhe për ato që janë çështjet më të nxehta, që nga kriza e përbashkët dhe e përbotshme energjetike, tek inflacioni i Putinit dhe patjetër edhe tek forca e rublave në gjirin e shoqërive tona”, tha Rama.
I pyetur lidhur me skepticizmin nëse do të arrijë të dëgjohet zëri i të gjitha vendeve të Evropës në këtë format të ri, Rama theksoi se “ky është një proces”.
“Frika ka qenë një forcë shumë vendimtare në gjithë historinë e përpjekjeve për të ndërtuar një Komunitet Politik Evropian, ashtu sikundër ka qenë një forcë goxha penguese në momente të caktuara për të gjitha formatet përfshirë edhe për vetë BE, por në një situatë si kjo, Evropa është në pikën ku për ta parashikuar të ardhmen, duhet ta krijojë”, tha Rama.
I pyetur nëse Komuniteti Politik Evropian do të shërbejë njësoj si “Ballkani i Hapur”, Rama tha se, “është një krahasim i dobishëm për të kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, pra është një komunitet vendesh që bashkohen për të adresuar çështje që janë gjithmonë e më të përbashkëta”.
“Nuk mund të ndahet dot në pjesë kriza e energjisë. Nuk mund të ndahet dot në pjesë kriza e klimës. Nuk mund të ndahet dot në pjesë kriza demografike, e kështu me radhë. Për këtë arsye gjithmonë e më shumë e ardhmja na i sjell bashkërisht problemet, sepse jemi në një epokë të re rreziku. Kemi dalë nga epoka e perspektivës së sigurtë dhe jemi futur në epokën e rrezikut. Dhe kjo epokë e rrezikut i ka mbledhur të gjithë dhe faktikisht i ka nxitur dhe po i nxit që të afrohen sa më shumë për shkak të inflacionit të luftës dhe për shkak të të gjitha pasojave të një lufte që nuk e kemi filluar ne, por që nuk e shmangim dot ardhjen e saj tek ne, në formën e inflacionit të luftës, në formën e rublave në duar të pista, që përpiqen të ngatërrojnë punët dhe patjetër në formën e çmimeve marramendëse të energjisë”, u shpreh Kryeministri Rama.
“Aty, duke dëgjuar kolegët për rritjet e bëra, dhe për rritjet që pritet të bëhen, realisht ishte tronditëse, ndërkohë që ne do të vazhdojmë të insistojmë në Shqipëri që të mos rriten çmimet për familjarët, për biznesin e vogël dhe ne po përpiqemi, madje edhe për një sërë sipërmarrjesh që janë goditur egërsisht nga dalja në tregun e lirë të gjejmë mënyra se si t’ua relativizojmë këtë dhimbje dhe t’u japim njëfarë mbrojtjeje. Pamë edhe një tabelë të inflacionit që lidhet me energjinë dhe unë pashë me shumë, jo kënaqësi, se këtu s’ka vend për kënaqësi, po le të themi me një lloj lehtësimi, që në tabelën e të gjitha këtyre vendeve që ishin këtu, vetëm Hungaria ka një inflacion më të ulët në këtë drejtim sesa ne”, tha Rama.
I pyetur nëse Çështja e Detit do të jetë një nga çështjet që do të diskutohet në takimin bilateral me kryeministrin e Greqisë dhe nëse mendon se brenda këtij viti do t’i drejtohet Shqipëria në mënyrë të përbashkët me Greqinë, Gjykatës së Drejtësisë, Rama tha se, “ky është një proces ligjor që ka një sërë rregullash, ka një sërë procedurash dhe ne do t’i respektojmë procedurat nga fillimi në fund, sepse duhet të bëjmë shumë të qartë pozicionin tonë, duhet të bëjmë shumë të qartë çfarë ne synojmë në këtë proces dhe ai qëndrimi i unifikuar që kërkohet nga kjo gjykatë për çfarë synon njëra palë, çfarë synon pala tjetër, kërkon kohën e vet. Pra, nuk kemi një konsensus mes palëve”.
I pyetur se sa pritet ta ndihmojë Shqipërinë ky organizim në rrugën drejt integrimit në BE, Rama u shpreh se, “të gjitha duhen”.
“Me këtë format jemi në një tjetër hapësirë të integruar dhe ajo që është edhe më e rëndësishme është që Shqipëria ka komplet një zë tjetër dhe një peshë tjetër, sepse e përfaqëson më së miri një pjesë të Evropës që nuk është në Evropën e Bashkuar, por që mbetet Evropë”, theksoi ai.
/j.p/r.e/