Shqipëria/Aktualitet

Kryeministri Rama: Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet për konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël.

“Plani ynë i kundërveprimit nuk parashikon rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorin familjar e biznesin e vogël as kufizim”, deklaroi ai gjatë një konference për shtyp teksa prezantoi edhe 3 pikat e planit të Qeverisë për mbrojtjen e familjes shqiptare nga furtuna e krizës energjetike.

“Plani ynë ka tre pika: garantimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë, mbrojtjen e familjeve dhe biznesit të vogël: garantimin e fondit të nevojshëm likuid për ndërveprimin me tregun e energjisë elektrike”, tha Rama.

Kryeministri informoi se qeveria do të vendos në dispozicion të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) garancinë sovrane shtetërore prej 200 milionë eurosh nga të cilat 100 milionë euro deri në fund të këtij viti dhe 100 milionë euro për vitin që vjen.

“Detyra jonë e këtij shteti është të jetë shoku i mirë në ditë të vështira për të gjithë ata që nuk janë në gjendje të përballojnë krizat e jetës, por duke refuzuar kategorikisht çdo ide se kjo krizë e rëndë nuk ekziston e ska lidhje me Shqipërinë“, tha Rama

Rama tha se stuhia e kësaj krize sipas ekspertëve ndërkombëtare parashikohet ta ketë fazën e saj agresive deri në fillim verën e ardhshme. /j.p/