Shqipëria/Aktualitet

​Kryeministri Kurti: Dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë

PRISHTINË, 13 tetor/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë thuaja nuk ka ndodhur asgjë, pas agresionit serb më 24 shtator. Ai kërkoi që kapitulli i tanishëm për normalizim duhet të marrë parasysh përpjekjen e Serbisë për aneksim të Kosovës.

Pas takimit me dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen dhe Peter Welch, kryeministri kërkoi nga ndërmjetësuesit e dialogut që të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një mundësi për të pasur sukses.

Përkitazi me këtë, ai nënvizoi rëndësinë që të ketë një qasje të balancuar në proces të dialogut.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, nuk mund të vazhdojë thuaja se nuk ka ndodhur asgjë. Nuk mund të vazhdojmë punën dhe këtë status-qou edhe më tutje. Kapitulli i dialogut për normalizim duhet të marrë parasysh veprimet sulmuese dhe agresive të Serbisë dhe përpjekjet e saj për aneksimin e Kosovës. Prandaj duhet të ndërmerren një varg hapash që dialogu të ketë edhe një shans për të pasur sukses. Besoj se është tepër e rëndësishme që të kemi një qasje të balancuar, përfshirë që të dënohet çdo shkelje e marrëveshjes bazë të arritur në Bruksel dhe aneksit të Ohrit. Është më urgjente se kurdo që më parë që të ndalet dhe ndërprenë fjalët se nuk do të njoh kurrë Kosovën. Po ashtu, edhe refuzimin e pjesëve bazë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial”, tha ai.

Kurti para senatorëve amerikanë renditi argumentet që sipas tij dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë.

“Përfshirja e shtetit të Serbisë ka ndodhur të paktën në katër shtresa, presidenca, inteligjenca, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Punëve të Brendshme për mbështetjen e sulmeve kriminale dhe terroriste në fshatin Banjskë. Po ashtu, kemi dëshmi se i kemi shkëmbyer me partnerët tanë se sulmi ka qenë pjesë e një plani më të gjerë për aneksimin e krejt veriut të Kosovës, përmes sulmeve të koordinuara në 37 vende dhe formimit të një korridori me Serbinë për të mundësuar furnizim të vazhdueshme të armëve dhe trupave në veriun e Kosovës. Nuk mund të kthejmë Afrim Bunjakun familjarëve dhe shtetit por duhet të punojmë me aleatët tanë, veçanërisht me ShBA-në, që të parandalojmë sulme të ngjashme në të ardhmen. Kjo kërkon siguri për Kosovën dhe dënimin e Serbisë”, shtoi Kurti.

Ndërkaq, potencoi nevojën që Serbia të mbahen përgjegjëse për sulmin e 24 shtatorit.

“Institucionet e inteligjencës sonë kanë vërejtur se ka pasur një rritje të rrezikut për sulme nga Serbia. Qëllimi kryesor i këtyre grupeve është që të fajësohet Kosova dhe policia dhe të portretizohet se ka sulme apo forcë kundër serbëve. Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve të vendit tonë. Prandaj, të gjitha këto përpjekje për destabilizim duhet të ndalen tani. Është koha që Serbia të mbahen përgjegjëse, pasi këto sjellje dhe sulme do të vazhdojnë edhe më tutje”, theksoi Kurti.

Në anën tjetër, senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, tha se përgjegjësit e sulmit terrorist të 24 shtatorit, duhet të japin llogari dhe të mbahen përgjegjës.

Ajo tha se ShBA-ja qëndron krah Kosovës, derisa tha se rritja e ushtarëve të KFOR-it, siguron ruajtjen e kufirit të Kosovës me Serbisë.

“Mendojmë se përgjegjësit është shumë e rëndësishme që të japin llogari. Të japin llogari sipas ligjit dhe që Serbia të bashkëpunojë në hetimet që po vazhdojnë. Gjithashtu, mendojmë se është kohë e duhur që të theksojmë se stabiltieti afatgjatë i Kosovës dhe rajonit nënkupton një lloj marrëveshje me Serbinë për të adresuar në mënyrë paqësore dallimet mes vendeve tuaja. Është koha kur BE-ja dhe ShBA-ja janë të përqendruara në këtë rajon dhe rëndësinë për të adresuar shqetësimet që ekzistojnë. Shpresojmë që të shihni këtë si mundësi për të shfrytëzuar këtë…Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë krah jush. Më erdhi mirë që e pash rritjen e ushtarëve të KFOR-it, pasi është e rëndësishme për ruajtjen e kufirit dhe stabilitetin në vend”, tha ajo.

Dy senatorët amerikanë gjatë vizitës së tyre në Kosovë të premten takuan edhe presidenten, Vjosa Osmani./KosovaPress/