Kryeministri Albin Kurti nuk sheh përparim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë për gazetën malazeze, “Pobjeda”, ai tha se e mirëpret angazhimin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor.
Kurti theksoi rolin destruktiv të Serbisë në rajon, e cila tha se është problemi më i madh i Kosovës.
“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë të njëjta: nuk janë as më të mira e as më të këqija”, tha Kurti.
“Kemi të bëjmë me një shtet që nuk e njeh Kosovën, i cili është autokratik dhe pro Moskës. Nga ana tjetër, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka integritetin e vet territorial, por edhe shumë probleme”.
“Problemi ynë më i madh është Serbia, e cila as nuk mund ta imagjinojë dhe as ta pranojë Kosovën si shtet fqinj të barabartë”, është shprehur Kurti.
Ai tha se Serbia po sillet ngjashëm me Rusinë në raport me fqinjët e saj në Ballkanin Perëndimor.
“Serbia po sillet si Rusia në fqinjësinë e saj në Ballkanin Perëndimor: po përpiqet ta kthejë Republika Srpskan në Bjellorusi dhe Malin e Zi në Ukrainë. Në thelb, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve jashtë BE-së – Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, madje edhe Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi: i konsideron këto shtete të përkohshme dhe angazhon të gjitha kapacitetet e saj për ta shkatërruar shtetësinë e tyre”, tha kryeministri.
Kurti u pyet edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili sipas tij u nënshkrua në kohën kur u bë shumë presion mbi deputetët.
“Gjatë vitit 2013 është bërë shumë presion mbi deputetët që të arrihet shpejt ajo marrëveshje. Mungonte transparenca dhe informacioni. Sot, institucionet e Kosovës drejtohen nga njerëz që e kundërshtuan marrëveshjen në vitin 2013 dhe që fituan bindshëm zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”,tha ai.
Kreu i Qeverisë tha se e mirëpret angazhimin e SHBA-së në Ballkan dhe se Qeveria e Kosovës po punon ngushtë me administratën Bajden.
“Ne gjithmonë e mirëpresim angazhimin amerikan në Ballkan, por vetë Shtetet e Bashkuara vendosin për llojin dhe intensitetin e këtij angazhimi. Qeveria e Kosovës po punon ngushtë me administratën e Kryetarit Bajden për ta forcuar demokracinë, për t’i zbatuar reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO dhe BE dhe për ta thelluar miqësinë për të garantuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë. Prania e trupave amerikane në Kosovë është një manifestim i përkushtimit të Amerikës për Kosovën dhe sovranitetin e saj, por edhe për paqen në rajon dhe Evropë”, deklaroi Kurti për gazetën malazeze.