Shqipëria/Aktualitet

Kryeministri i Republikës së Kosovës: S’ka tërheqje nga veriu i Kosovës pa u qetësuar situata

PRISHTINË, 25 shtator/ATSH/ Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se djegia e qendrës për regjistrim në Zubim Potok dhe tentim djegia e qendrës në Zveçan, është akt terroristë me të cilin Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar. Kurti derisa tha se njësia speciale largohet vetëm kur qetësohet gjendja në veri, shtoi se kurrë s’ka qenë më i lartë morali i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Kurti bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme për media, njoftoi se ka ftuar për sonte një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës. Kurse, veprimet që i ndërmarrin do të jenë në përputhje me vlerësimin e gjendjes së sigurisë.

Kryeministri Kurti tha se djegia qendrës për regjistrimin në Zubim Potok, nuk ka qenë zjarr aksidental por zjarrvënie e qëllimshme, por edhe në Zveçan janë hedhur nga dritarja, brenda zyrës dy bomba dore që për fat nuk kanë shpërthyer.

“Sulmet në Zubim Potok dhe Zveçan vinë pas deklaratave nxitëse në Beograd dhe mbështetjes së tyre për bllokimin e rrugës që shpien te pikat kufitare në Jarinje dhe Bernjak. Serbia qartazi donë ta militarizojë dhe eskalojë situatën. Po sjellë deri afër kufirit të Kosovës edhe fluturaket si avion e helikopter të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve e provokimeve ku përdorën qytetarë të Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, konflikt ky i cili rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha ai.
Sipas tij, ftesës së Brukselit për dialog, institucionet e Kosovës iu kanë përgjigjur pozitivisht, kurse presidenti i Serbisë ka refuzuar dhe në vend të dialogut ka zgjedhur inkurajimin e grupeve kriminale në veri të Kosovës.

“Provokimet e tilla, pengesat bllokadat e krijuara, përfshirë edhe veprimet kriminale të sotme me elemente terroriste janë të tilla sepse krimi, tensioni, frika, kontrabanda dhe kaosi, ka qenë e vetmja formë e mbijetesës për ta, për këto dy dekada. Vendimi për targat e ritheksojmë nuk i drejtohet qytetarëve serb të Kosovës dhe ata e kanë të drejtën e plotë të pajisen me targa të përhershme të Kosovës. Ky vendim është masë e barabartë që shteti i Serbisë aplikon ndaj qytetarëve të Kosovës për dy dekada, e për më keq shteti serb nuk ka zbatuar asnjëherë as marrëveshjet e veta në kuadër të dialogut teknik. I ftojmë qytetarët në veri që të mos frikësohen nga veprimet kriminale dhe të respektojnë ligjet dhe të mos të dirigjohen apo manipulohen nga ata që mbijetojnë politikisht apo përfitojnë materialisht vetëm fal tensioneve”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti tha se sot u vërtetua se kemi pika kufitare sepse kemi njësite speciale të policisë.

Sipas Kurtit, aty ku ka Polici të Kosovës nuk ka incidente dhe aty ku nuk ka pas polici të Kosovës, ka rrezik për incidente, me elemente terroriste siç edhe ndodhi në Zubim Potok.

“Gjashtë ditë zbatim të masës e të vendimit të Qeverisë, asnjë incident në asnjë pikë kufitare, pse, sepse ka pas policë të Kosovë, ku ka policë të Kosovë, ka leje të qarkullimit dhe ka garancion të qarkullimit të lirë. Dhjetëra mijëra qytetarë kanë ardhur nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës dhe mbi 9000 targa të përkohshme janë dhënë deri më tani. Duket që këtu e kanë hallin zjarrvënësit nga Beogradi. Ata që e dogjën qendrën e regjistrimit në Zubim Potok dhe deshën edhe në Zveçan, pikërisht donin që qytetarët serb me targa të Kosovës. Kurrë s’ka qenë më i lartë morali i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, e profesionalizmi i tyre është i shkëlqyer, korrektësia e tyre maksimale. Unë i falënderohem të gjithë atyre nga zemra për punën dhe angazhimin që po bëjnë. E gjithë Kosova dhe mbarë populli duhet ta mbështesin Policinë e Kosovës”, ka thënë ai.
Ai tha se jo të gjitha janë lajme të vërteta, prandaj nuk duhet të bien pre e propagandës së Serbisë.

Kurti është pyetur edhe nëse paraqitet nevoja do ta ftojë KFOR-in që të ndërhyjë apo do të kërkon nga KFOR-i që ta autorizojnë të ndërhyjë FSK-ja.

“Nuk duhet të biem pre e propagandës së Serbisë. Në anën tjetër, veprimet që ne i ndërmarrim do të jenë gjithnjë në përputhje me vlerësimin e gjendjes së sigurisë që e bën Policia e jonë dhe vetëm kur ata e bëjnë vlerësimin e aspektit të sigurisë, ne mund të themi se çka do të bëjmë, ku dhe mos harroni që në ditën e 6 të zbatimit të reciprocitetit me targa të përkohshme e që unë do të dëshiroja që ky reciprocitet të vazhdohet duke i hequr targat e përkohshme….rreziku evident për policët kufitar dhe pikat kufitare janë kamionët, buldozerët dhe ata protestues, një pjesë e të cilëve dehen në orët e mbrëmjes, pra duhet të pushoj rreziku, të pushoj arsyeja për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe policët kufitar në mënyrë që mos të ketë njësi speciale të policisë. Po e ritheksoj ndërtesat në Bërnjak dhe Jarinje janë aty sepse njësia speciale e policisë është aty. Ndërkaq, para disa orëve sot, unë e kam ftuar për sonte një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, që sigurisht do të mbahet në orët e mbrëmjes”, ka thënë ai.

Ai shtoi se nga Serbia nuk kanë pritur sjellje korrekte, megjithatë kanë vendosur për diçka që është ligjore dhe kushtetuese, derisa nuk ka mohuar se mund të ketë një takim në mes liderëve të subjekteve politike në Kosovë për gjendjen në veri.