Shqipëria/Aktualitet

Kompania holandeze jep detajet: Ja si do të ndikojë Porto Romano në ekonominë e Ballkanit

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Projekti për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, i integruar me projektin e hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe portin e thatë në Prishtinë, përveç rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve pritet të kthejë Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut.

Kompania prestigjioze holandeze “Royal HaskoningDHV”, e cila është e specializuar në veprat inxhinierike ndërkombëtare duke ofruar shërbime konsulence dhe menaxhim të projekteve, ka reaguar në twitter sa i përket portit të ri të Porto Romanos dhe portit të thatë në Prishtinë që pritet të ndërtohen.

Pas prezantimit që kompania u ka bërë qeverive të Tiranës dhe Prishtinës në muajin qershor në mbledhjen e përbashkët qeveritare që u zhvillua, kompania ka reaguar sërish duke treguar detaje rreth përfitimeve ekonomike, por dhe për rritjen e kapaciteteve të kargos.

”Planet për portin e ri të Durrësit në Porto Romano në Shqipëri kanë kaluar në fazën tjetër pas një prezantimi në qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës”, shkruan kompania në Twiteer, duke bashkëngjitur detajet si më poshtë:

Planet për portin e ri të Durrësit në Porto Romano, Shqipëri, dhe Portit të Thatë në Prishtinë janë paraqitur në qeveritë respektive. Zhvillimi do të japë një ndikim pozitiv në ekonominë e të gjithë rajonit të Ballkanit, së bashku me përmirësime të rëndësishme sociale e mjedisore.

Planet e “Royal HaskoningDHV” dhe partnerit lokal “Abkonsco” zbulojnë një transformim ambicioz të infrastrukturës detare në Shqipëri dhe transportit shumëfunksional në Ballkanin Perëndimor.