TIRANË, 9 maj/ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ishte sot e pranishme në konferencën “Drejtësi në kohë sfidash”, organizuar nga KLGJ. Kim u fokusua në fjalën e saj te Reforma në Drejtësi.
“Kam ende në mend komentet që u thanë përpara meje (ato të Ministrit së Drejtësisë Manja). Unë kam qenë këtu në Shqipëri për mbi dy vjet dhe mendoj e dini që jam shumë e qartë, e drejtpërdrejtë dhe pak jodiplomatike. Ndaj, më lejoni të jem edhe një herë e qartë dhe pak jodiplomatike”, e nisi Kim fjalën në konferencë.
“Çfarë është drejtësia? Çfarë është reforma në drejtësi? Cili është qëllimi i reformës në drejtësi? Si do duket Shqipëria kur reforma në drejtësi të jetë zbatuar? Sipas normave dhe praktikave të miqve tuaj, Shtetet e Bashkuara, por edhe familjes tuaj të ardhshme, BE-së, do ta dime që reforma në drejtësi ka qenë e suksesshme kur të mos quhet më normale të kesh gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në shkelje të detyrës. Prandaj kemi institucionet e vetingut dhe funksionin e vetingut. Do të quhet gjithashtu e suksesshme kur të mos mendojmë më se është me vend që udhëheqës politikë në pushtet apo jashtë pushtetit të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të këtij apo atij; të thuhet se drejtësia jepet vetëm kur në burg futet tjetri dhe se drejtësi nuk bëhet kur në burg futen të mitë. Kjo nuk është drejtësi; nuk janë këto standardet që duam t’ju ndihmojmë të arrini në Shqipëri. Dhe mendoj se nuk janë këto standardet që populli shqiptar kërkon kur flet për reformë në drejtësi”, u shpreh ambasadorja Kim.
“Ajo që njerëzit duan nga reforma në drejtësi është drejtësi që është vërtet e verbër. Ky është kuptimi i asaj statujës (Statujës së Lirisë); që drejtësia, ligji është i verbër përpara pozitës apo pushtetit, që aplikohet barabar për cilindo dhe të gjithë, që të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Do të thotë se kur njerëzit ndiqen penalisht, nuk ndiqen penalisht sepse janë jashtë pushtetit apo sepse janë të varfër apo se janë të pafuqishëm; por vetëm sepse kanë shkelur ligjin; që kur prokurorët dhe gjyqtarët ndërmarrin veprime, nuk e bëjnë sepse dikush i fuqishëm i ka kërcënuar apo urdhëruar, apo u ka dhënë para, por vetëm sepse e kërkon ligji”, vijoi Kim.
“I nxis të gjithë këtu ta kenë parasysh këtë teksa zbatojmë reformën në drejtësi. Nuk mundet dhe nuk duhet të vazhdojmë me të ashtu-quajturën drejtësi e së kaluarës. Drejtësia që duhet të vijë në Shqipëri – si aleate e NATO-s, mike e Shteteve të Bashkuara anëtare e ardhshme e familjes së BE-së – është drejtësia që ka standarde që janë në përputhje me BE-në, që janë norma në Europë dhe pjesën tjetër të botës perëndimore, përfshi Shtetet e Bashkuara. Është edhe ajo që populli shqiptar pret dhe Meriton, dhe ajo që kërkohet nga BE-ja. Veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë 31 viteve të fundit e bëjnë po ashtu të qartë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për demokracinë, sundimin e ligjit, reformën në drejtësi në Shqipëri është më e fortë se kurrë. Ashtu siç janë të qarta edhe pritshmëritë e qytetarëve. Ju nxis të veproni në mënyrë që të mos zhgënjeni në lidhje me secilën nga ato tri gjëra (pritshmëritë e popullit shqiptar, kërkesat e BE-së, mbështetjen e SHBA-së) që përmenda më herët. Le të vazhdojmë të ecim përpara. Është koha për të krijuar një drejtësi që është vërtet e verbër dhe vërtetë e drejtë në Shqipëri”, përfundoi ambasadorja Kim.