Shqipëria/Aktualitet

Këshilli Bashkiak ka zgjedhur Blerina Balën Kryetare në detyrë të bashkisë së Himarës

TIRANË, 29 mars/ATSH/ Këshilli Bashkiak i Himarës zgjodhi sot Blerina Balën kryetare në detyrë të bashkisë së Himarës, në një mbledhje të dytë pas tensioneve që nuk mundësuan zhvillimin normal të mbledhjes paraditen e sotme.

Bala ishte në garë bashkë me nënkryetarin tjetër të bashkisë, Pervin Gjikuria.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala u zgjodh me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër. Ky rezultat domethënës tregoi qartë shumicën legjitime të Këshillit Bashkiak.

Pas tërheqjes nga gara të Pervin Gjikuria, Këshilli vendosi që bashkia Himarë të drejtohet nga Blerina Bala.

Këshilli bashkiak u mblodh më herët paraditen e sotme për të zgjedhur kryetarin e ri të komanduar pasi dy kryetarët Fredi Beleri dhe Jorgo Goro ndodhen në burg, i pari i dënuar për krime zgjedhore dhe i dyti nën hetim nga SPAK.
Mbledhja e planifikuar nisi me përplasje mes forcave të policisë dhe simpatizantëve të Fredi Belerit duke sjellë shtyrjen e mbledhjes.

Mbledhja nuk arriti të zhvillohej pasi banorë që mbështesin Fredi Belerin kundërshtuan prezencën e prefektit të Vlorës Vangjel Tavos.

Policia ndërhyri për të parandaluar përplasjen deri dhe fizike nga mbështetësit e Belerit. Tavo u largua nga mjediset e bashkisë së bashku me drejtuesin politik të PS-së në qarkun Vlorë, Blendi Klosi dhe kryetarin e qarkut Ervis Moçka.

Këshilli i Bashkisë së Himarës përbëhet nga 21 anëtarë, 9 nga PS, 7 PD ndërsa 5 anëtarë të tjerë nga parti të vogla. Sipas ligjit, me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zv. kryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Ndërkaq, për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme në Himarë pritet vendimi përfundimtar i Apelit të Posaçëm për kryebashkiakun e zgjedhur Fredi Beleri.