NJU JORK, 7 janar /ATSH-AA/ Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje, distancim nga dhuna dhe dialog pas protestave në vazhdim dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Kazakistan.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, theksoi se po ndjekin me shqetësim zhvillimet në Kazakistan.
Dujarric u bëri thirrje të gjitha palëve në Kazakistan për vetëpërmbajtje, distancim nga dhuna dhe dialog.
Protestat që filluan më 2 janar në perëndim të Kazakistanit me arsyen e rritjes së çmimit të gazit të lëngshëm (LPG) dhe situatës socio-ekonomike në vend u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit.
Në protestat që u kthyen në ngjarje rruge u përjetuan përleshje mes forcave të sigurisë dhe protestuesve. Forcat e sigurisë ndërhynë me armë akustike ndaj protestuesve të cilët dogjën automjetet e policisë dhe ushtrisë si dhe hynë në ndërtesat qeveritare.
Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, pranoi dorëheqjen e qeverisë si përgjegjëse për nisjen e protestave.
Si pasojë e përhapjes së protestave, gjendja e jashtëzakonshme fillimisht u shpall në kryeqytetin Nur Sultan, në qytetin Almaty dhe rajonin Mangistau dhe më pas u njoftua se vendimi për gjendjen e jashtëzakonshme është i vlefshëm për të gjithë rajonet e vendit. //a.i/