TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka publikuar për “të premten e monumenteve” një album fotografik nga Kalaja e Currilave në Muzhlin e Skënderbeut.
Ndryshe e njohur edhe si kalaja në Kepin e Rodonit, ajo është një Monument Kulture, I kategorisë së parë.
Kalaja është e ndërtuar në shek. XV. Sipas dëshmive më të hershme, kalaja ka pasur planimetri katrore me katër kulla.
Në ditët e sotme nga fortesa ruhet vetëm kulla qendrore me lartësi 10 metra dhe një pjesë e vogël e mureve. Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik.
Vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë.