Kulturë\Letërsi

Kadri Rexha: Kënga Himn kushtuar Shqipërisë së Epokës së Enver Hoxhës

Në interpretimet brilante të rapsodit kombëtar Dervish Shaqa, kënga „Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën“ zë një vend të veçantë. Është kjo një këngë e shkëlqyer dhe një odë e vërtetë kushtuar Shqipërisë, PPSH-së dhe prijësit të madh të kombit shqiptar, Enver Hoxha. E ngritur në vitet e shtatëdhjeta kjo këngë në Kosovë dhe në viset e saja është dëgjuar me ëndje, është analizuar me kujdes dhe është përjetuar me emocione deri në lot. Në bërthamën e saj kënga ngërthen dramën tronditëse të historisë sonë të dyqind vjetëve të fundit, ndërsa për temë ka madhërimin e Atdheut si dhe nderimin, respektin, krenarinë dhe mirënjohjen e thellë të kosovarëve për Enver Hoxhën dhe PPSH-në. E realizuar me fjalë të çiltra, me melodi të përsosur dhe me interpretim mjeshtror kënga është përjetuar si vajtim, si odë dhe si himn kombëtar.
Me interpretim mjeshtëror artistik, me ndjenja të thella atdhedashurie dhe me një dashuri të ngrohtë njerëzore, me këngën “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën”, në emër të kosovarëve, Dervish Shaqa ia ngriti një himn të përjetshëm Shqipërisë, PPSH-së dhe të pavdekshmit Enver Hoxha.
Vatrat tona i kemi lanë
Por n’Shqypni kemi nji Nanë
O, Bac Enverin, Nanë Partinë
Vëlla e motër tanë Shqypninë
Po ç’ke ba Parti për neve
As kërkush s’e ban mbi dhe
S’mjafton kanga e sharkisë
Për me i k’nu qysh du Partisë
Në këtë mirënjohje të kosovarëve radhitën marshimi i Brigadave partizane të Shqipërisë me mision çlirimtar në trevat verilindore shqiptare; demaskimi i fuqishëm që Enver Haxha, botërisht, ia bëri dhunës, gjenocidit, shpërnguljeve dhe politikës shfarosëse që Beogradi, gjatë viteve të pas LDB, viteve të 50-ta dhe të 60-ta, ushtroi mbi shqiptarët e robëruar; përkrahja e madhe që Enver Hoxha ia dha luftës së rinisë për të drejta, për liri dhe për bashkim kombëtar të shprehura përmes Lëvizjes çlirimtare kombëtare të viteve të 60-ta me Adem Demaçin në krye, përmes demonstratave të vitit 1968 e sidomos të demonstratave të vitit 1981 e më vonë; përpjekjet dhe të arriturat kulturore, letrare, artistike, arsimore dhe shkencore të Kosovës, të cilat lidhen me idetë, me kërkesat dhe me përkrahjen mbinjerëzore të Enver Hoxhës… Prandaj, në këtë këngë, në këtë këngë mbi këngët, rapsodi Dervish Shaqa, me urimet që “dalin prej zemre”, me fjalët e pastra kristal që “dalin si ujë nga gurra”, për të mirën e Atdheut, për ardhmërinë e ndritur të Kombit, Partisë i uron jetë të gjatë sa malet shqiptare:
Veç Parti të kemë gjithmonë
Dorën n’zemër, pushkën n’dorë
—–
Pjesë nga eseja “Këngë mbi këngët” e botuar në libin:
Kadri Rexha, Dervish Shaqa, RKL, Prishtinë, 2012, fq.261-272