Lëvizja\UÇK

Ka vdekur Heroi i Qëndresës Shqiptare Rafi Halili

Ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare, Rafi Halili nga Tetova.
Njoftohen shokët, miqtë, veprimtarët e çështjes kombëtare, ish të burgosurit politikë, veteranët e tri luftërave çlirimtare, se sapo morëm lajmin e hidhur nga Tetova shqiptare…
Sot, pas një sëmundje të rëndë, në moshën 72 vjeçare, pushoi së rrahuri zemra e kolosit të pathyeshëm të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, atdhetarit, patriotit e veprimtarit të madh dhe revolucionarit të përkushtuar të çështjes kombëtare RAFI HALILI.
Siç njoftojnë familjarët, varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër e shtunë, më 29.01.2022 në ora 15:30, kurse mbledhja komemorative mbahet në orën 12, në sallën e komunës së Tetovës.
Rafi Halili tërë jetën e tij, që nga rinia e hershme, e vuri në shërbim të luftës për çlirim e bashkim kombëtar.
Si i ri u betua para flamurit se tërë jetën do ia kushtojë kauzës së shenjtë të luftës për çlirim e bashkim kombëtar, betim të cilit i mbeti besnik deri në frymën e fundit të jetës së tij.
Më 22 nëntor 1968 ishte nga pjesëmarrësit e parë dhe më të rinj për nga mosha në demonstratën e madhe të Tetovës, për çka edhe burgoset dhe torturohet barbarisht nga udbashët titistë.
Edhe pse shumë i ri për nga mosha, në prag të festës së flamurit tonë kombëtar, 28 Nëntor 1967, derisa ishte duke ndjekur mësimet në vitin e dytë në gjimnazin e Tetovës, Rafi Halili vizatoi në një fletë vizatimi flamurin kombëtar dhe me një guxim të pashoq, e ngjiti në tabelën në hyrje të fabrikës së tekstilit në Tetovë, ku qëndroi për një javë. Për këtë veprim Rafiu torturohet dhe dënohet me 20 ditë burgim për të mitur.
Më 1972 arrestohet për herën e tretë, si njëri nga themeluesit e organizatës së parë politiko-ushtarake në trojet e pushtuara shqiptare nën ish-Jugosllavi, “Kushtrimi i lirisë”, kur ndaj tij u ushtruan torturat nga më çnjerëzore, për ta dënuar pastaj me 7 vite burg të rëndë.
Natën në mes të 6 dhe 7 qershorit 1982, pas një kohe të gjatë të qëndrimit dhe veprimit në ilegalitet të thellë, Rafi Halili rrethohet nga njësitë speciale të policisë së Maqedonisë dhe në një luftë të pabarabartë plagoset rëndë dhe ashtu i plagosur torturohet çmendurisht nga udbashët, në mesin e të cilëve edhe shqipfolës. Kësaj radhe Rafiun e dënuan me 20 vite burg të rëndë.
Edhe pse me shëndet të rënduar ai jo vetëm përkrahu luftën çlirimtare në Kosovë dhe në Kosovën Lindore, por edhe i ndihmoi ato pa rezerva. Shpërthimi i kryengritjes çlirimtare në viset shqiptare nën Maqedoni e gjeti Rafiun me shëndet shumë të rënduar, por megjithate ai mori rrugën e vështirë të maleve të Sharrit, ku krismat e pushkëve paralajmëronin afrimin e ditës së shumëpritur të bashkimit kombëtar.
Një jetë e tërë në shërbim të luftës për çlirim e bashkim kombëtar. Një jetë të vështirë e me shumë sakrifica, çfarë vetëm kolosët e mëdhenj të kauzës së shenjtë të bashkimit kombëtar mund të përballojnë. I tillë ishte i pamposhturi dhe i pathyeshmi kolos i luftës për çlirim e bashkim kombëtar RAFI HALILI.
Jeta dhe veprimtaria e Rafiut do të bëhet sinonim i brezave se si duhet ta duam Atdheun e kombin dhe si duhet të luftojmë e sakrifikojmë për çështjen e shenjtë të bashkimit të kombit.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për këtë kolos të Lëvizjes Kombëtare, pa veprimtarinë e të cilit historia jonë do ishte shumë e varfër.
Lavdi në vite e në shekuj, kolosit të kombit RAFI HALILI!
Rushit Nesimi,
Elmaz Ademi dhe
Agim Sylejmani