Lëvizja\UÇK

Jakup Nura: Lëvizja Popullore e Kosovës ishte synim i çdo të riu dhe të reje, shpresë e çdo shqiptari në trojet e okupuara nën Jugosllavi

“Një nga celulat e para të LPK – së (treshet e më vonë Këshilla Popullore) ishte ajo e Adem Jasharit, i cili, bashkë me shokët shpërndante trakte dhe shkruante parulla në Skënderaj dhe në rrethinë” (Jakup Nura, bashkëveprimtar dhe bashkëluftëtar i Komandantit Legjendar Adem Jashari)

Fjala e mbajtur nga Veterani i LPK – UÇK – së, Jakup Nura, në Akademinë e mbajtur në Skënderaj për 40 – vjetorin e bashkimit politik të organizatave patriotike shqiptare – krijimin e LPK – së…

Lëvizja Popullore e Kosovës, kjo organizatë e cila ishte synim i çdo të riu dhe të reje, shpresë e çdo shqiptari në trojet e okupuara nën Jugosllavi.

LPK me veprimtarinë dhe qëndresën vetëmohuese nëpër burgjet dhe kazamatet e regjimit e fitoi besimin e popullit të Kosovës. Në orvatjet për liri ranë në altarin e atdheut shumë të rinj e të reja. Organizimi i LPK-ës u shtri me shumë vështirësi pasi që pushtuesi kishte një rrjet të fuqishëm me spiunë e bashkëpunëtorë në të gjitha viset shqiptare nën okupim,

Kjo Organizatë edhe në mërgatë pati një aktivitet të bujshëm. Shumë shtete mësuan për vuajtjet e shqiptarëve nën pushtimin jugosllav përmes demonstratave dhe lidhjeve miqësore që kishin krijuar anëtarët e saj me vendasit.

Në fund të viteve të 80-ta filloi shtrirja edhe në komunën tonë të vogël, por me ideale dhe zemër të madhe. Në këtë organizim në Skenderaj fillimisht ishin krijuar shumë celula që funksiononin me 3 anëtarë apo, siç u thonim, në treshe. Një ndër to ishte edhe ajo e Adem Jasharit, që nën rregullat e saj shpërndau trakte dhe shkroi parulla në rrugët e Skenderajit dhe rrethinë.

Pasi shpërthimit popullor, ne dolëm në ballë, duke e drejtuar atë revoltë në demonstrata e protesta për t’i siguruar pjesëmarrësit në demonstrata që mos t’i arrestonin e t’i vrisnin.

Në Skenderaj krijuam grupin e parë të armatosur, në të cilën merrnin pjesë djemë të zgjedhur të kësaj treve.

Duke parë që për dhjetë vite vazhduan ndjekjet, arrestimet, vrasjet e reprezaljet e pushtuesit ndaj popullit dhe duke parë që po i luhateshin themelet Jugosllavisë, besonim se kishte ardhur koha të kalonim në rezistencë aktive, nga një skuadër e  armatosur kërkohej emërtimi dhe zgjerimi i saj.

Ne, përpos armëve, filluam të mendonim edhe për veshjen Ushtarake… Disa uniforma kishin ardhur nga jashtë, kurse disa i qepnim tek rrobaqepës të ndryshëm nga pjesë të tendave kamufllazhi (apo “Shatorska krilla”), pasi që kishim krijuar pamjen dhe qëllimet e përdorimit.

Nga këtu i kërkuam udhëheqjes së LPK-së, brenda dhe jashtë vendit, që të përkrahemi me armë dhe me mjete tjera luftarake dhe të pranoheshin botërisht (të merreshin përsipër) aksionet tona nën emërtimin Ushtria e Kosovës, ku më vonë u krijua edhe Emblema që kishte në cepin e djathtë inicialet e ushtarit, kurse në të majtë inicialet e Ushtrisë së Kosovës apo UK.

Por, me themelimin e LDK-së kishte ra një amulli edhe në LPK dhe nuk gjetëm përkrahjen e mjaftueshme. Krahas presionit që ushtronim në organizatën tonë, ne kishim ndarë mendjen që vetëm Lufta mundet të na Çliroj nga pushtuesi,

kështu që përmes përfaqësisë së Kosovës në Tiranë realizuam takim me ish kryministrin e qeverisë së Kosovës Bujar Bukoshi me kerkesa të njëjta, mbështetje me armë dhe paisje luftarake… Nga ai morem premtime dhe fjalë boshe, por asgjë konkrete.

Megjithatë, skuadra jonë nuk pati luhatje ne bësimin te populli dhe tek liria, prandaj mori një sërë aksionësh që bën jehonë në mbarë Kosovën dhe më gjerë. Duke i pa sukseset e këtij grupi dhe nën presionin e vazhdueshëm filloi të kthjellet Lëvizja Popullore e Kosovës, duke i thelluar bashkëveprimet e aksioneve dhe pranimin e tyre, fillimisht në heshtje e pastaj edhe me Komunikata… Kështu që, nga këtu, LPK-ja nisi flakadanin e lirisë për t’u shpërndarë në tërë territorin e Kosovës, fillimisht me skuadra e pastaj me Bataljone e Brigada të udhëhequra drejt Liris nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi Dëshmorëve dhe Heronjve të UÇK – së dhe të kombit shqiptar !