Lëvizja\UÇK

Isuf Sherifi: Poezi për Heroin e Shqipërisë, Gjeneralin Jashar Salihun

Sot, shqiptarët kudo që janë, këtu në tokën e Shqipërisë dhe kudo në botë, përulen me nderim të thellë dhe kujtojnë HEROIN e tyre, profesorin, veprimtarin, pajtimtarin, luftëtarin dhe drejtuesin e LPK – UÇK – së, Gjeneralin Jashar Salihun, i cili jetoi, veproi e luftoi me përkushtim e heroizëm për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre në një shtet e me një Flamur… I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për Jasharin dhe gjithë Dëshmorët, Heronjtë, veprimtarët dhe luftëtarët e çështjes së pazgjidhur shqiptare! (GL)

KOSOVË, PRITE ZOGUN TËNDË
(Elegji për JASHAR SALIHUN)
Kosovë, prite Zogun tëndë,
Kësaj radhe jo me pushkën hedhur mbi supe,
Pa një grusht me diell për Ty.
Kësaj radhe Ai të vie sy hapur,
Të shpalos para teje mallin e Tij zjarrë,
Që edhe nga bota e përtejme të të shohë të lirë, ashtu deshti.
Prite, përçafoje shtrëngueshëm, Kosovë,
Puthja sytë që i kanë mbetur hapur për Ty.
Ishte zëdhënës besnik i lëngimeve tua,
Dhe gjeti forcë të rrisë atë zë.
Ishte mjek, ndër më të mirët mjek, i plagëve Tua,
Dhe gjeti ilaçet ndër më të mirat ilaçe.
Duke kaluar ferr e tmerr,
Me përpjekjet e tij shkruar ka një pjesë të historisë tënde.
Prite, përçafoje shtrëngueshëm, Kosovë,
Puthja sytë që i kanë mbetur hapur për Ty.
Klith! Është e nevojshme të këlthasësh,
Të tranden malet, të vajtojnë fushat, të lotojnë lumenjtë,
Klith! Zogut tënd iu ngri fluturimi!
Jashari po vie, jo si atëherë kur të erdhi nga burgu,
Jo si atëherë kur të erdhi me pushkë në dorë për të vdekë për Ty.
Ai tani po të vie me sy hapur,
Andej nga nuk e ke pritur Ti –
Nga ajri, dëshiron të të shohë nga lart,
Për të fundit herë të të mas edhe njëherë
Sa e madhe je, të të shohë të tërën sa e bukur je.
Prite, përçafoje shtrëngueshëm, Kosovë,
Puthja sytë që i kanë mbetur hapur për Ty.
Jashari po vie,
Kosovë, dil e prite trimin,
Bekoja dheun e varrit,
Se shumë e shumë të mira bëri për Ty.
Trokiti dyrve ku lidhet miqësia dhe fati i mirë,
I gjeti miqtë dhe bashkë me ta Diellit të Zi
I këndoi këngën e vdekjës e theqafjes.
Kosovë, Jashari po të vie,
Dil e prite djalin
Dhe me dorën tënde të ngrohtë
Ledhatoja ballin që tërë jetën i ka djerësirë për Ty.
Prite, përçafoje shtrëngueshëm, Kosovë,
Puthja sytë që i kanë mbetur hapur për Ty.
Ledhatoja plagët, eshtrat, trupin,
Që ia dërmoi Dielli i Zi.
Kosovë,
NJERIU I MIRË – Jashar Salihu po të vie
Mbaje fort, duaje fortë, puthe fortë
Si dy diej rënë në gjysmështizë-
Sytë hapur i kanë mbetur
Për të të parë të lirë.