Lavdi jetës dhe veprës së Naser Veliut (15.03.1957-23.04.1990)!
/Material i shkëputur nga; Mr. Sc. Ismet Jonuzi-Krosi “QËNDRESA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVINË TITISTE” (1944-1990) Shtypshronja “Lumagrafik” – TETOVË, 2018/
Përkundër ndarjeve që popullit shqiptar në Maqedoni iu bënë edhe pas luftës, ai mbeti pjesë e pandashme e shqiptarëve në Jugosllavi dhe e popullit shqiptar në përgjithësi.
Ai ka pasur të njëjtin fat si edhe vëllezërit e vet në Serbi e Mal të Zi. Vrasjet, plagosjet, burgosjet, ndjekjet, shpërnguljet nga vendlindja i kishin edhe shovinistët maqedonë në plan të parë dhe në temë të ditës. Mirëpo, nga gjiri i popullit dolën luftëtarë, që i bënë rezistencë dhunës dhe terrorit dhe qëndruan e qëndrojnë të paluhatshëm si granit në kërkesat gjithë popullore të shqiptarëve në Jugosllavi, që të shkojnë deri në fitoren definitive, deri te çlirimi i Republikës së Kosovës, e cila do të përfshinte të gjitha trojet e banuara me shqiptarë.
Dhuna dhe terrori sollën edhe viktima; kështu armiku i ra në gjurmë punës që bënte një patriot dhe një veprimtar i vërtetë, biri i popullit Naser Veliu. Për armikun Naseri ishte i rrezikshëm dhe nuk u gjunjëzohej. Për këtë shkak organet e Sigurimit të Maqedonisë në bashkëveprim me ato të Serbisë e ndoqën ditën që u nisën me bashkëluftëtaren Nurije Zekajn, deri afër Beogradit. Aty, këtyre dy luftëtarëve të shquar u kishin përgatitë vrasjen monstruoze.
Naser Veliu, lindi më 15 mars 1957, në fshatin Sermnovë të Gostivarit, në një familje me ndjenja luftarake dhe patriotike, mirëpo fati e deshi që Naseri qysh si fëmijë 6 vjeçar të mbetet jetim.
Babai i Naserit vdiq në vitin 1964 dhe la 5 fëmijë. Naseri ishte i treti me radhë. Për ta kujdesej nëna trimëreshë që sot me rrudhat në ballë tregon trimërinë dhe qëndresën për birin e vet që e rriti dhe ia fali Kosovës sonë të shtrenjtë. Nënës së tij iu desh të ishte njëkohësisht nënë dhe baba duke edukuar fëmijët e saj, të cilëve u mungonte edhe kafshata e bukës.
Naser Veliu, shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen-gjimnazin e vazhdoi në Gostivar. Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, u detyrua ta ndërpriste shkollimin e mëtutjeshëm në vitin e katërt. Pas ndërprerjes së shkollimit si shumë shqiptarë të tjerë, u detyrua të merrte rrugën e mërgimit.
Fillimisht shkoi në vise të tjera të Jugosllavisë, prej nga më vonë, në vitin 1980 doli në RFGJ. Aty kontaktoi me shumë shokë nga të gjitha trevat shqiptare në Jugosllavi. Këmbente me ta mendimet dhe hallet e mëmëdheut. Ishte pjesëmarrës i çdo aktiviteti që organizohej në perëndim, ashtuqë, kur kthehej në vendlindje, njoftonte shokët me aktivitetin e gurbetçinjëve dhe njëkohësisht mirrte informata dhe njihej me rezistencën që e bënin forcat revolucionare brenda vendit.
Janari i vitit 1982, Naserin e gjeti në Gjermani. Vrasja e Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit nga dora kriminale e UDB-së e preku rëndë edhe atë, ashtu sikur i preku edhe shumë shokë të tjerë e ai, Naseri, bashkë me ta ngritën grushtat lartë dhe u betuan se do e vazhdojnë rrugën e tyre derisa fi hakmerren egërsirës së tërbuar.
Në vitet 1983-84, Naseri kalon në Zvicër, ku njihet më për së afërmi me rrugën dhe programin çlirimtar të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, ku aktivizohet në radhët e saj. Shumë shpejt, shquhet me veprimtarinë patriotike, Ai mobilizonte bashkatdhetarët që të merrnin pjesë aktive në demonstrata dhe tubime protestuese.
Kudo që shkonte, krijonte një atmosferë revolucionare, gjë të cilën e arrinte shumë shpejt pasiqë kishte tiparet e revolucionarit të vërtetë. Gjithnjë lexonte, përgatitej vetë dhe në të njëjtën kohë përpiqej të sqaronte edhe bashkatdhetarët me problemet që na preokupojnë të gjithëve.
Naseri dha një kontribut të veçantë me shpërndarjen e organit të LPRK-së “Zëri i Kosovës”, si në Perëndim ashtu edhe në vendlindje. Ai la edhe shkrime e tij në këtë revistë si: “Shqiptarët në Maqedoni vuajnë”, “Demonstratat e nxënësve të Kumanovës dhe Gostivarit u shtypën me dhunë”, korrespodencën popullore ‘Të dashur shokë”, “Rezistencë e pathyer në Gostivar”, “Gjenocid antishqiptar në Maqedoni”, “Porosia e një të riu”; poezitë: “Lulet e pavdekshme të Kosovës”, “Jo shqiponja s’është plagosur, kurrë Kosova s’është nënshtrua” e shumë artikuj dhe poezi të tjera, të citat është e pamundur të cekën një e nga një. Me punën dhe veprimtarinë e tij që bënte si jashtë ashtu edhe brenda ai zgjeronte radhët organizative, ashtuqë lidhte ngushtë fshatrat mes vete, qytet me qytet, grup me grup, organizatë me organizatë si dhe individët me njëri-tjetrin, kështuqë ndërkohë njifet me organizatën “Flaka e Lirisë”, dhe “LPRK-së”.
Naser Veliu qe iniciator i shumë peticioneve drejtuar organeve më të larta në Maqedoni dhe Jugosllavi, mbi kërkesat e popullit në mënyrë që ai të jetë i barabartë me popujttjerë në Maqedoni dhe Jugosllavi.
Naseri kudo që shkonte krijonte një atmosferë të ngrohtë revolucionare. Kështu, ideali i njëjtë dhe hallet e përbashkëta e njoftojnë me trimëreshën sypatrembur të Pejës, patrioten Nurije Zeka. Nurija, ishte e njohur si anëtare e Këshillit iniciues për pajtimin e gjaqeve. Për veprimtarinë e Naserit ajo merr vesh nga shokët në Kosovë dhe kurbetçinjtë që filluan veprimtarinë e përbashkët.
Nurija, arrin në Zvicër, këtu ajo takohet me Naserin. Së bashku marrin pjesë në demonstrata dhe tubime që organizonte Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. Ndërkohë Naseri merr detyrë nga shokët që të kthehet në vendlindje, ku e prisnin shumë punë. Kur Nurija e kupton këtë i bashkëngjitet edhe ajo, në mënyrë që mos ta lejonte Naserin vetëm. Naseri me të kthyer në vendlindje kryen detyrat që i kishte marrë nga organizata “Flaka e Lirisë”, dhe mori pjesë në shumë aksione dhe tubime mbi pajtimin e gjaqeve në Kosovë së bashku me motrën Nurije Zekën. Naseri edhe përpara thirrej nga organet e Brendshme të UDB-së, mirëpo kohën e fundit ato u bënë shumë të shpeshta dhe ditore. Derisa po kthehej nga Kosova natën e 15 prillit 1990 në ora 20 posa kaluan kufirin e Kosovës, hynë në Maqedoni patrulla e policisë i priste në rrugë dhe i urdhëroi që të lidhen në stacionin e policisë në Tetovë. Pas kontrollimit që i bënë i gjejnë “material propagandistike armiqësore”, siç i quajnë ata, si “Rruga e Lirisë”, pamflete dhe komunikata të ndryshme, literaturë etj, Pas kontrollimit dhe pas bisedave që u bënë me një kriminel shqiptar, që zgjasin pesë ditë me radhë, lëshohet si i pafajshëm, por urdhërohet nga disa të tjerë dhe nga vetë hetuesi që të largohet sa më shpejtë nga vendlindja. E tërë kjo ndodhi vetëm tri ditë para se të nisej për në Zvicër. Po ashtu për veprimtarinë e tij kombëtare në ilegalitet dhe të koordinuar nga LPK me Naser Veliun, dëshmon edhe veprimtari i kauzës kombëtare Ali Ahmeti, i cili ndër të tjera shprehet se : “Strumbullar i organi- zimit brenda u bënë Naser Veliu dhe Avni Elmazi nga Rrethi i Gostivarit. Në vazhdimësi kemi mbajtur lidhjet përmes tyre, meqë ata zgjeruan rrethin e veprimtarëve të tjerë, emrat e të ci lëve i kam përmendur sa herë.”
Më 22 prill themelohet dega e PPD-së për Gostivarin. Naseri edhe këtu dha kontributin e vet të fundit, ku bën incizimin e tubimit të parë shqiptar. Nga ky tubim përshëndetet me shokë dhe të njëjtën ditë merr rrugën e pa kthim. Më 23 prill 1990 në ora 8.20 minuta në Llazarevë afër Beogradit vritet nga dora kriminale së bashku me motrën e vet, kurse armiku si gjithmonë u përpoq t’i fshehë gjurmët e krimit, por nuk ia arriti këtij qëllimi. Ju betohemi se rrugën dhe idetë që ju naj mbollët dhe i trasuat do ti vazhdojmë aty ku ju i latë,dhe do të jeni simbol frymëzimi deri në fitore e deri në amshim. Pushoni të qetë në gjirin e tokës nënë,emri i juaj mban dhe do të mban emrat e shumë institucioneve tjera. Lavdi veprave dhe ideve revolucionare të Naser Veliut dhe Nurie Zekës. Lavdi birit të popullit Naser Veliu! Lavdi të gjithë të rënëve për LIRI!
Lavdi jetës dhe veprës së Naser Veliut!
————————————————————–
Burimet dhe literatura:
*Naserin dhe Nurien nuk mund të i ndanin kufijt e dhunës. Ata i bashkoi kërkesa dhe lufta e përbashkët. I bashkoi ideali i lartë revolucionar dhe si tillë ushqenin njëri tjetrin për ngjarjet brenda dhe jashtë vendit. Nurie Zeka e lindur më 1967, në fshatin Raushiq, Komuna e Pejës. Ishte studente e fakultetit filologjik,në Prishtinë,anëtare e Parlamentit Rinor dhe njëra nga nismëtaret e aksionit të madh gjithë popullor Pajtimet e Gjaqeve, në të cilin aksion dha kontribut të dalluar së bashku me shokët dhe shoqet e tjera nismëtarë.
*Bedri Islami “I VËRTETI (Ali Ahmeti), Shtëpia botuese Tringa Design, Tetovë-2011, fq. 196
*Naser Veliu, Prilli i plagosur, e botoi Gutenber d. o. o Lubjanë Shtypi Jozhe Avshar-Lumjanë, Referat i lexuar në Zvicë në tubimin përkujtimor të 7 prillit e 6 vjetorit të ramjes së Naser Veliut dhe Nurie Zekaj 17.04.1996 Gostivar-Zurich, fq 29, 30, 31, 32 & 33.
add a comment