NJË ENCIKLOPEDI NDRYSHE
(Mendime për librin në dy pjesë “Shtegtime nëpër Atdhe” të Berat Luzhës)
Shkruan: Ismet BALAJ, Tiranë
Në librin më të ri dypjesësh , “Shtegtime nëpër Atdhe”, autori Berat Luzha, i njohur si gazetar, publicist, poet e politikan, synoi t`i jep lexuesit njohuri për historinë e kulturën e popullit shqiptar që nga hershmëria e deri në ditët tona të shumë vendeve ilire – arbërore – shqiptare të Ilirikut perëndimor. Deri tash autori ka mbaruar dhe ka botuar dy pjesë (vëllime), që kanë 450 faqe në format të madh dhe në teknikë të përparuar. Secila pjesë ka nga 111 “shtegtime” apo shkrime, gjithsej 222 vende të hulumtuara, të studiuara dhe të sjella në këtë libër.
Nga leximi i librit del qartë synimi që i ka vënë autori vetes: – Të bëjë gjurmime e studime serioze, duke hulumtuar vende ku shqiptarët kanë qenë e janë autoktonë në trojet e veta që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Autori nuk është një regjistrues i thjeshtë, por ka punuar me përkushtim të lartë, me përgjegjësi profesionale e me ndershmëri për të vërtetat që i ka hulumtuar dhe ia jep lexuesit qartë, pa pasion e emocione; thjeshtë, drejtpërdrejt e hapur. Madje, ia jep lexuesit pa figuracione letrare, që shkrimeve mund t`ia errësonin e vështirësonin kuptimin. Brenda çdo shkrimi ai ka bërë më të mirën e mundshme, duke sjellë shumë informata me sa më pak fjalë. Do të ketë qenë shumë e vështirë ngjeshja aq fort e materialit të zgjedhur dhe të vendosur në libër.
Si një fill i kuq, që nga fillimi e deri në fund, në çdo shkrim përshkon atdhedashuria dhe besnikëria e autorit ndaj të vërtetës. Libri vjen si një dhuratë nga udhëtimet e autorit nëpër shumë vende të hapësirës gjeografike shqiptare. Sigurisht, me mund të madh, por edhe me dëshirë e kënaqësi të paskajshme, ai shkon kudo, duke qenë, jo vetëm një vizitor i çfarëdoshëm soditës. Si një bir i këtij trualli, i do, i vëzhgon dhe i studion me kujdesin më të madh fshatrat, qytetet dhe tërë hapësirën etnike shqiptare.
Si një studiues e botues i disa librave për ngjarje e figura historike që jam, sidomos për rrethin e Pukës, ku kam jetuar mbi 30 vjet, kam konstatuar se më kanë shpëtuar të dhëna me vlerë, por që autori i “Shtegtimeve…” i ka gjetur dhe i ka sjellë në librin e tij. Studimet në fushën e historisë, të gjeografisë, të kulturës… nuk shterojnë kurrë. Prandaj, brezat që vijnë kanë detyrë ta njohin sa më mirë Atdheun e tyre, sepse kështu duhet dhe ndihmohet Atdheu.
Autori i “Shtegtimeve nëpër Atdhe” është mjeshtër i shprehjes së mendimeve me pak fjalë; shkurt e saktë. Që në titull e jep mendimin se çka ka brenda në shkrim: “Fushë-Arrësi, qyteza e varfër me pasuri të mëdha”, “Gjirokastra e gurit dhe e Gjin Bua Shpatës”, “Bujani i kullave, i ngjarjeve e i figurave historike”, “Vlora e flamurit dhe e krenarisë kombëtare”, “Manastiri i alfabetit dhe i masakrës mbi parinë shqiptare”, etj. Libri ka dhe fotografi të përzgjedhura, duke sjellë të veçantat dhe të përbashkëtat që kanë vendbanimet shqiptare në histori, në kulturë, në etnografi e të vështruara në kohë e në hapësirë. Ky libër pasqyron vendbanimet shqiptare në një formë të re enciklopedike, duke përmbledhur dije nga disa lëmi të jetës.
Mendoj që çdo bibliotekë në rrethe e në shkolla duhet ta kenë këtë libër. Ky libër është një pasuri e çmuar, që u ndihmon edhe mësuesve në shkolla për mësimet mbi vendlindjen.
Motivi i librit ka këtë “EMËR”: SHQIPËRI, PËR TY NË LUFTË, PËR TY N’LIRI, PËRJETËSISHT / PËR TY KURDO, ME TY KUDO, DJE, SOT, NESËR, PAFUNDËSISHT.
Dua të theksoj se Berat Luzha, në veprën e tij, Atdheun e trajton me të drejtë, jo vetëm në dy shtetet, Shqipëri e Kosovë, por në tërë hapësirën ku shqiptarët jetojnë në trojet e tyre të lashta në Ilirikun Perëndimor.
Dy pjesët e para të librit janë botuar në kuadër të 70-vjetorit të lindjes së autorit. Dhe, libri “Shtegtime nëpër Atdhe” deri tash ka pasur pesë përurime: Prishtinë, Kaçanik, Shkup, Viti dhe Vuthaj (Guci).
Berat Luzha që në rini të hershme i është bashkuar lëvizjes atdhetare për çlirimin e Kosovës. Bashkë me shokë u ka prirë demonstratave të vitit 1981, me thirrjen: ”Kosova-Republikë”. Është dënuar me 12 vjet burg, ndërsa edhe pas burgut ka vazhduar veprimtarinë atdhetare. Në vitin 1998 i është bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke themeluar në kuadër të saj mediat e luftës; agjencinë shtetërore informative “Kosovapress” dhe radion “Kosova e Lirë“, të cilat informonin opinionin e brendshëm e të jashtëm për luftën titanike të popullit të Kosovës për çlirim nga pushtuesit serbë. Pas lufte në tri legjislatura është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Ka botuar vëllimin poetik: ”Këngë burgu, Këngë lirie”, monografinë “Një histori për Sylë Durmishin”, si dhe ka përgatitur dhe botuar materialet e agjencisë “Kosovapress” dhe radios “Kosova e Lirë”, në katër pjesë, që arrijnë gjithsej në 2200 faqe.
Berati vazhdon të shkruaj me vendosmëri edhe për shumë vende tjera të hapësirës gjeografike shqiptare.
add a comment