Intervistë me Prof. Dr. Fatmir Shehu: ”Profesori i naftës që shpoi të njëjtin vend para ’90 i përgjigjet pyetjes: A do na bëj të pasur Shpiragu
Prof. Dr. Fatmir Shehu është një prej specialistëve më të mirë shqiptarë të naftës, dhe ndoshta inxhinieri më i informuar në Shqipëri për Shpiragun si vendburim nafte.
Prof. Shehu që mban titullin “Mjeshtër i Madh” për revolucionarizimin e teknologjisë së kërkimit të naftës ka qenë zv.ministër i Industrisë dhe Minierave për sektorin e Naftës, kur kryeministër i vendit ishte Mehmet Shehu.
Në këtë intervistë për gazetën DITA dhënë gazetarit Xhevdet Shehu, profesor Fatmiri pyetet mbi deklaratat e ditëve të fundit për Shpiragun dhe shifrat që qarkullojnë.
– Zona e Shpiragut shtrihet midis dy zonave tashme industrial naftëmbajtëse që nga vitet 1930 si ajo e Patos ( ku në vitin 1957 u zbulua në veri të Patosit edhe një vendburim i madh në ranor ai i Marinzës) në Perëndim dhe ajo e Kuçovës në lindje.
Dihet se vendburimet e para naftëmbajtëse të Shqipërisë janë zbuluar në formacionet ranore, sepse Nëna natyrë kish dhënë shenja të qarta naftëmbajtëse, duke e nxjerrë naftën në sipërfaqe si në Patos në Kasnicë, tek Gurtë e Zesë dhe në Kuçovë në zonën e Goranit.
Pa folur këtu tek daljet e bitumit më në perëndim të Patos-Marinzës, në Selenicë dhe në rërat bitum- mbajtëse të Treblovës (në fakt këto rëra që gabimisht i quajnë bituminoze, kur në të vërtetë duhen quajtur hidrokarbur- mbajtëse sepse gabimisht ato quhen bituminoze se ne fakt nga analizat e bëra, nuk kanë vetëm bitum por edhe fraksione hidrokarburesh).
Theksojmë se në këto lloje rërërash, Shqipëria ka një aset që me llogaritë e mija, janë të rendit 20 bilion dollarë dhe nuk do lënë pa vëmendje. Kësisoj duhet thënë se naftën në Shqipëri e ka zbuluar nëna natyrë, gjeologët që u atribuohet merita sublime, s’kanë bërë gjë tjetër veç se kanë aplikuar njohuritë më elementare gjeologjike për projektimin dhe zbulimin e naftës.
Edhe në Drashovicë që është shpuar pusi i parë i kërkimit në Shqipëri, në gëlqerorët që dalin në sipërfaqe, ka shenja të dukshme nafte.
Në këtë zonë dhe më në jug të saj deri në jug, tek ndan kufiri ynë më Greqinë dhe që tashmë janë nën koncesionet e Shellit me sa di, si dhe në veri, janë bërë mjaft punime gjeologo kërkuese si sizmike, puse strukturalë, puse të thellë kërkimi .
Vetëm në Sqepur janë shpuar puse të thellë si Sqepuri -1 me thellësi 2914m në vitin 1970, Sqepuri -2 me thellësi 2542 m në vitin 1968, ku nga më të thellët, është pusi Sqepur -6 i cili arriti thellësinë 5300m etj. në vitin 1989 por nuk kapi gëlqerorët.
Kjo zonë pavarësisht se tani quhet Shpirag, në nominimin gjeologjik shqiptar të viteve para 1990 është quajtur zona e Sqepurit. Duhet thënë se specialistët shqiptarë kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në zbulimin e rezervave të naftës dhe gazit si dhe në perspektivën hidrokarbure të Shqipërisë!
DITA – Dy pyetje me dalin mua nga ato që sapo më thatë: A ka qenë kjo zonë në nivelin e duhur e vlerësuar për zbulime hidrokarburesh nga specialistët e para vitit 1990 (para se të futen Koncesionerët e huaj ) dhe e dyta, pse i është ndërruar emri nga Sqepur në Shpirag?
– Problemi është se faktikisht puse kërkimi në këtë zonë janë shpuar, siç thashë edhe më lart, siç është pusi Sqepur -6 i cili ra jashtë strukture, por që këtë strukturë kërkonte dhe nga interpretimet që bëhen tanimë, është shumë afër kësaj strukture dhe mendoj dhe propozoj se mund të shfrytëzohet e të bëhet një pus aktiv i kësaj strukture (unë kam qenë një nga autorët e projektit teknologjik të shpimit të pusit Sqepur-6).
Po kështu më në veri, në kurrizoren e malit të Shpiragut, janë shpuar puse të Osmanzezës. Pusi i Osmanzezës -4 shkoi deri në thellësinë 2955 m dhe kur vajta para nja dy vjetësh me autorin e projektimit të këtij pusi Ing . Gjeolog Kadri Ramën, pamë në grykën e tij ardhje nafte.
Është po ashtu fakt historik se specialistët sovjetikë, Gerxellov dhe Prohorov në bashkëpunim me specialistët tanë, në vitin 1959, projektuan dhe filluan shpimin e një pusi Q.Stalin -602 në fshatin Qelbësira në Urën Vajgurore ku gëlqerorët dalin në sipërfaqe.
Pusi me shumë vështirësi nga fenomeni i humbjeve të qarkullimit, shkoi deri në thellësinë 2874 m dhe nuk doli nga gëlqerorët. Siç duket nuk kaloi gëlqerorët e sipërm që ikapin dhe puset e Shpiragut. Pusi sipas tyre ishte vendosur në pjesën veriore të antiklinalit të Kudhësit .
Në lidhje që më pyetët se pse tani quhet Shpirag dhe jo Sqepur, kjo mendoj se më mirë do të ishte që të trashëgonte emrin edhe nga vazhduesit e rinj të kërkimeve, sepse kjo është një zonë me një histori të gjatë kërkimi, dhe historia duhet respektuar ashtu siç është dhe nuk është një zonë e virgjër që t’i vihet një emër i ri.
Sigurisht specialistët shqiptarë që kanë punuar në këtë zonë, janë shumë të kënaqur që vazhdimi i mëtejshëm i punimeve të kërkimit në këtë zonë, vërtetoi vlerësimin e drejt gjeologjik që i ishte bërë kësaj zone edhe nga specialistët shqiptarë, të cilët falënderojnë koncesionarët që nuk ua hodhën poshtë mundin e bërë, por aq sa dhe u mbështetën arritën në zbulim konkret që mendoj se duhet të jetë një shprehje modeste falënderimi, për specialistët shqiptarë të gjeologjisë e të shpimit etj.
DITA – Profesor Shehu, mund të na thoni diçka më konkrete se sa është vlera ekonomike e këtij zbulimi?
– Zbulimi është faza e parë që kurorëzon suksesin e kërkimeve. Teknologjia e vlerësimit të këtij zbulimi ka të bëjë me vlerësimin e rezervave të fluideve që ka ky zbulim, dmth sa fraksione të lëngëta dhe sa të gazta ka, në gjendjen ku ndodhet si dhe në gjendje që bëhet gati për t’u shitur sipas kërkesave të tregut.
Po kështu do bërë bilanci i harxhimeve që kërkohen për ta realizuar vlerën e tregut që ka zbulimi, për tregun sot dhe të një kohe të ardhme deri në fazën e fundit të shfrytëzimit, duke bërë të ashtuquajturin cash flow ( dinamikën e rrjedhjes së parasë) edhe në bazë të vlerës së tregut që do kenë këto produkte gjatë kohës nga fillimi i prodhimit e deri në përfundim të rezervave që do vlerësohen.
Që të gjendën sasia e rezervave të hidrokarbureve që gjenden në këtë zbulim (vendburim) duhen bërë shpenzime për shpimin e rrjetit të puseve të konturimit e të vlerësimit të cilët shërbejnë për të vlerësuar disa parametra sidomos katin hidrokarbur në volume si dhe përbërësit e tij etj.
Kuptohet qe fakti që ky vendburim gjendet thellë, ka kosto të madhe shpimi të puseve dhe risku i investimit të fazës së kërkim-zbulim vlerësimit është goxha i lartë. Mbasi të mbarojë me sukses faza e kërkim-zbulim-vlerësimit, atëherë fillon faza e shfrytëzimit dhe tregtimit të hidrokarbureve sipas vlerës që do kenë në treg.
Kjo fazë e shfrytëzimit ka të bëjë me projektin e shfrytëzimit të vendburimit, me puset që do shpohen për këtë qëllim në numër dhe vlerë, me tempet ditore të marrjes duke parandaluar inondimin e vendburimit dhe hidrokarburmbetjen në shtresë (në të çarat dhe hapësirën poroze që do ketë kolektori etj) me investimet që duhen bërë për kondicionimin e produktit sipas kërkesave të tregut gjë që është një kapitull më vete pune, që ka të bëjë me përpunimin në vend të produktit që shfrytëzohet apo me transportin e tij tek terminalet më të afërta që mund ta realizojnë përpunimin final dhe përshtatjen e produktit dhe gjithë ingredientëve të tij me kërkesat e tregut aktuale më të afërta apo dhe më të largët.
Thuhet se është zbuluar një naftë e lehtë, e pa zbuluar as një herë. Ky vendburim si i thellë që është, në presione dhe temperatura të larta, mendoj se është një vendburim gazo-kondensat siç kemi zbuluar Cakranin, Delvinën. Dmth faza e lëngët është kondensat.
DITA – Siç duket nga këto shpjegime që më bëtë, punët qenkan voluminoze akoma të pa definuara dhe ajo që shqiptarët dhe ekonomia e Shqipërisë pret, nuk qenka fort e afërt. Apo jo?
– Çdo punë do punë se as gjë nuk bëhet pa punë! Problemi është se sa i angazhuar, i mundësuar dhe i detyruar je për të bërë një punë. Po të ishte koha para viteve 1990, ku unë kam punuar në Industrinë e Naftës, po ju them se atëherë, në atë kohë, mbas zbulimit të një vendburimi nafte apo gazi, viheshin periforca që ay të konturohej , të vlerësohej e të përpunohej duke u futur sa më shpejt në eficencë ekonomike.
Psh Cakrani që ishte në një thellësi rreth 4000m, por, sa u zbulua, në mënyrë intensive u punua dhe u instaluan mjaft sonda që të shpejtoheshin etapat e ndryshme që duheshin për ta vënë këtë pasuri ne eficencë ekonomike.
Kjo bënte që koha e vënies në efiçencë ekonomike të shkurtohej shumë. E them këtë se ky vendburim është zbuluar që në vitin 2001 nga OXY (në projektin e parë të shpimit të OXY kam qenë edhe unë konsulent) dhe po kalojnë shumë vjet ( rreth 20 vjet ) dhe akoma nuk është dhënë përgjigja se sa fizibël është ky zbulim.
Shelli që punon tek neve në Shpirag, ka një koncesion në Itali me hidrokarbur të zbuluar në Val D’Agrit afër të njëjtës thellësi (rreth 5000-6000m) dhe nga informacionet që kemi në Shpirag, dhe e vuri ne shfrytëzim duke plotësuar kërkesat e çdo etape si dhe duke ndërtuar gjithë infrastrukturën e kondicionimit të produktit për treg, brenda 5-6 vjetësh.
Aktualisht në bazë të informacioneve që kemi prodhon me 21 puse të shpuar, rreth 100 mijë fuçi në ditë apo rreth 6 milion tonë në vit. Po të jetë kështu Shpiragu, Shqipëria e bënë def fukarallëkun dhe po ta kishte zbuluar vetë, do e bënte më def, se do kishte për vete gjithë të ardhurat.
Po ne shqiptarët, pse nuk i lutemi këtij partneri të fuqishëm, që nuk e vret këpuca si na vret ne shqiptarëve të shpejtojë etapat, të fusë më shumë sonda paralele në punë etj., që nuk është se nuk i dinë, por dhe ne i dimë se u plakëm me këto punë!
Me vetëm një sondë që është përdorur deri më sot, vonohen shumë rezultatet dhe konkluzionet rriten shpenzimet dhe vonohen pritshmëria jonë, aq më shumë që ne shqiptarët mezi po e presim këtë input ekonomik me shumë rëndësi për ekonominë tonë,
– Thënë më troç, duhet intensifikuar puna, përpjekjet dhe vendosmëria e palës shqiptare?
– Patjetër! Se ne jemi shumë nevojtarë dhe bëhemi më të pa duruar me këtë stil që po ndjek Shelli, për ta vlerësuar këtë pasuri të cilës deri tani mendojmë se po i bëhen shumë komente pritshmërie, mendoj pa ndonjë bazë të thellë shkencore.
Thuhet se nuk ka mbaruar vlerësimi dhe konturimi dhe llogaritja e rezervave dhe jepen shifra rezervash deri në 500 milion tonë(!) apo të ardhura ditore deri në 7 milion etj. Kuptohet që këto fakte i do gjithëkush, por duhet se s’bën të mbarojnë etapat e vlerësimit dhe e vënies në punë të vendburimit që për mendimin tim Shelli i ka mundësit më shumë se i kishim ne shqiptarët para vitit 1990, por duhet që t’i lutemi ne, partnerët nevojtarë (në se nuk ka terma detyrimi në kontratë) që të shpejtojë etapat duke intensifikuar punimet me më shumë sonda paralele, se jemi hallexhinj dhe duam ndihmë emergjente ekonomike në se e kemi fat që do jetë fizible!
Unë si teknolog shpimi që jam, kam shumë keqardhje që Shelli nuk bashkëpunon me ne specialistët shqiptarë për të shpejtuar ritmet e shpimit, për të ulur koston e shpimit, sepse ne kemi eksperiencën tonë, se kemi shpuar puse deri ne 6700 m thellë në kushte shumë të komplikuara, në prerje me presione anormale të larta me gradient deri ne 2.2 atm për m, si dhe puse të thellë në flishe me tektonike të zhvilluar siç është dhe kjo zonë.
– Këto ditë në kantierin e Shpiragut, bëri një vizitë Kryeministri Edi Rama me gjithë Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Znj, Balluku . A e ndoqët?
– Po, e ndoqa, patjetër. Ishte një vizitë me interes që tregon preokupimin e personaliteteve tona qeverisëse për mbarëvajtjen e objekteve të rëndësishme, madje shumë të rëndësishme të ekonomisë.
Do më pëlqente dhe mendoj se do ish utilitare, që në këtë vizitë pune të kishte dhe ekspertë të Industrisë së Naftës të cilët jo vetëm që janë shqipërues më të mirë të asnjë që kumtoi pala e Shellit, por jam i bindur se do bënin shpjegime dhe do orientonin me mirë këta personalitete për shqetësimet zyrtare që duhet të ngrinte kjo vizitë e nivelit të lartë, ndaj palës tjetër kontraktuale.
Ne i kemi ekspertë të tillë, që nuk janë më poshtë se ata që ka bota në njohuri pavarësisht se kanë mungesa të shumta në mundësi.
– Edhe një pyetje të fundit: po për problemin e kontratave që janë bërë ç’mendim keni?
– Nuk i njoh kontratat, por në parim nuk më pëlqen me sa kam dëgjuar që në kontratat e bëra është klauzola se, në se koncesionari nuk merr ato që ka shpenzuar, nuk të jep as një fitim. Kjo them se nuk është e drejtë, sepse investimet kapitale CAPEX, kanë një periudhë të caktuar vetëshlyerjeje dhe jo të merren menjëherë!
Ky është mendimi im, por theksoj se nuk nuk kam dijeni të plota për strukturat e kontratave që janë bërë.
Dua të them, se e ndjej për detyrë, se Shqipëria me sa di, ka mjaft rezerva nafte dhe gazi akoma të pazbuluara sepse është në një pozicion të favorshëm gjeo-tektonik si dhe ajo që ka rëndësi, është se Shqipëria është në buzë të një tregu lubi hidrokarburesh, sigurisht, hë për hë.
Për këtë arsye, duhet të intensifikojmë punën e gjetjes dhe vënien në shfrytëzim të këtyre rezervave të cilat do të ndikojnë direkt në prosperitetin e ekonomisë shqiptare.
-Faleminderit profesor për këtë intervistë në DITA.