Portreti/intervista

Intervistë me “Mjeshtrin e Madh” Gëzim Tushi

Flet “Mjeshtri Madh” Gëzim Tushi:

Kjo shoqëri është si “pirostia me dy këmbë”, por që mungon “këmba e tretë”, ajo e shoqërisë civile.

 Struktura e reagimit civil të qytetarëve tanë është e coptuar, e hallakatur, instiktive dhe intuitive, jo e strukturuar në mënyrë kompakte.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Problemet në vendin tonë janë nga më të ndryshmet. Varfëri, korrupsion galopant, papunësi, emigracion masiv etj…Sot, në Shqipëri, gjendemi para një dileme ekzistenciale: A duhet të pranojmë turpin e ditëve tona që na imponohet në forma qeveritare, përbuzëse të ligjit, shkelëse të drejtave themelore të qytetarëve, duke i injoruar ato, apo do të reklamojmë këto të drejta natyrore e pozitive që natyra dhe shteti ligjor na garantojnë? A duhet të pranojmë për vete dhe për të gjithë vëlleznit e motrat tona, konditat e jetës së nënshtruar, në kundërshtim me të gjithë të kaluarën tonë historike, me mohimin e frymës së Rilindjes sonë Kombëtare dhe Pavarësisë? Heshtja përpara problemeve tregon se jemi të nështruar. Poltika ndihet rehat pasi shoqëria civile dhe sindikatat janë inaktive. Për këto probleme do flasim në këtë intervistë…

Problemet në Shqipëri shtohen, por reagimi nuk vihet re. Ndoshta më shumë ndikon mungesa e organizuar e shoqërisë civile si në Francë e Greqi?

Paradoksalisht edhe pse kanë kaluar më shumë se tre dekada nga tranzicioni dhe instalimi strukturave të shtetit demokratik, Shqipëria akoma është në fazën kur akoma nuk janë përmbyllur të gjitha detyrat që parakupton një shoqëri e stabilizuar demokratikisht, organikisht funksionale dhe reflektuese. Janë dy dukuri që paralelizojnë me njëra tjetrën. Nga njëra anë, për shkak të politikës dhe nivelit të qeverisjes në këtë vend, ka shumë probleme politike, ekonomike e sociale të pazgjidhura e në ndonjë rast edhe të agravuara, që prekin thelbësisht interesat imediate të përgjithshme e të personalizuara të qytetarëve, dhe nga ana tjetër, reagimet civile dhe qëndrimet elektorale nuk janë në përputhje dhe adekuate me problemet që shqetësojnë jetën. Për fat të keq, struktura e reagimit civil të qytetarëve tanë është e coptuar, e hallakatur, instiktive dhe intuitive, jo e strukturuar në mënyrë kompakte. Të gjithë ankohen, shfaqin pakënaqësi për politikën, qeverisjen e vendit, nivelin e mirëqenies, por këtë pakënaqësi e kanë të kaotizuar, individuale, pa strukturë sociale. Më së shumti një pakënaqësi që “derdhet” jashtë kanale të influencës dhe presionit institucional. Aulat kryesore ku shfaqet kjo pakënaqësi janë baret, kafenetë, birraritë dhe institucioni i rrugës. Padyshim, nuk mund të ketë reagim të institucionalizuar pa ekzistencën e organizatave të shoqërisë civile dhe grupe të strukturuara të interesit, të cilat janë komponentë me rëndësi të jetës demokratike. Madje, kohët e fundit “zjarri” i presionit të shoqërisë civile pothuaj është fashitur, duke e lënë demokracinë të bazuar vetëm në dy komponentë të mangët me karakter politik dhe ekonomik. Kjo shoqëri është si “pirostia me dy këmbë”, por që mungon “këmba e tretë”, ajo e shoqërisë civile. Dhe pa një shoqëri civile solide, të konsoliduar e funksionale, nuk mund të ekzistojë stabiliteti i jetës demokratike. Historia e shoqërisë civile në Shqipëri është vërtetë trishtuese. Filloi me entusiazëm në vitet 90-të, u mbështet nga shtete, qeveri e organizata ndërkombëtare, por në vazhdimësi një pjesë prej tyre e “mbyllën gojën”, filluan të aplikojnë politikën e heshtjes apo të mercenarizimit duke krijuar afinitete politike, apo edhe financiare me “qeveritë e rradhës”. Historia e shumë shoqatave të shoqërisë civile nuk ka qënë e baraslarguar nga interferencat politike. Madje nuk ka qënë e vështirë për të kuptuar gravitacionin politik të disa prej tyre. Kjo solli paradoksalisht një realitet të deformuar të shoqërisë civile, duke u ndarë në OJF të majta dhe OJF të djathta. Kjo dikotomi e pakuptimtë dhe e deformuar ka bërë që autoriteti i shoqërisë civile dhe besimi për pozitë kriticiste apo opozitariste me “qeveritë e rradhës” të binte. Edhe kur ato kanë ndërmarrë veprimtari për kauza të vërteta, mbështetja popullore ka qënë e vakët dhe skepticizmi publik gjithnjë e më shumë në zgjerim. Deri në nivelin e tanishëm kur pothuaj zëri i tyre publik është bërë fare i “mekur”. Dhe shoqëria shqiptare ka probleme, shqetësime e turbulence sociale të shumta sikurse janë papunësia, korrupsioni elitave politike e administrative (jakave të bardha kryesisht), ndotje të ambientit, shërbime me cilësi të ulët, mungesë përgjegjësie e arrogancë administrative nga nëpunësit e shtetit, etj, të cilat duhet të ishin kauza të përbashkëta të shoqërisë civile, si instrument presioni për korrigjimin e tyre.

Mungesa e sindikatave çfarë sjell në një shoqëri demokratike? Pse heshtin të ashtuquajturat sindikata demokratike?

Tripartitizmi është një nga ligjësitë e jetës demokratike. Në këtë kontekst roli i sindikatave është thelbësor, si instrument për mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësit nga punëdhënësit e tyre. Pesha e sindikatave në fillimet e tranzicionit dhe në ndikimin e proceseve të transformimit demokratik të vendit, ka qënë shumë konsistente dhe me vlerë. Mjafton të kujtojmë veprimet e guximshme sindikaliste në etapën e parë të përmbysjes së komunizmit dhe realizimit të reformave ekonomike për të kuptuar rolin, peshën dhe përgjegjësinë e tyre. Por gradualisht as sindikatat nuk i shpëtuan “infeksionit social” të kompromentimit dhe shfaqjeve të natyrave të ndryshme të korrupsionit, të cilat çuan në dobësimin e verbit mbrojtës të interesave të punonjësve, duke favorizuar interesat e shtetit dhe oligarkëve të rinj. Vendin e protestave të qënësishme të fillimit të viteve 1990-2000, të platformave dhe veprimeve të guximshme të sindikatave me orientim demokratik, filluan ta zënë veprimet kombinatorike të krerëve të sindikatave, të cilët ose panë interesat e tyre të personalizuara, ose e “squllën” verbin e lëvizjes sindikale, duke u bërë palë me punëdhënësit, duke harruar kështu faktin që roli i tyre në demokraci është të mbrojnë interesat legjitime të punonjësve dhe punëmarrësve në përgjithësi, si pjesë integrale e kushtetuese e mbrojtjes së lirisë dhe të drejtave të tyre nga shkeljet, nëpërkëmbjet dhe abuzimet. Heshtja e sindikatave, apo ca veprime qesharake në “gjunjë” e kanë kompromentuar keq vlerën e tyre, deri në nivelin kur pothuaj edhe nominalisht termi “sindikatë” është një emër që po zbehet dhe gati po harrohet. Strkturat sindikale janë intstitucione pa peshën dhe kredibilitetin e duhur. Përgjegjësia kryesore qëndron mbi lidershipin e përgjumur apo të kompromentuar të tyre. Por nuk janë pa përgjegjësi edhe vetë punonjësit, që kanë harruar rolin substancial të këtij formacioni si mjet për të mbrojtur të drejtat e tyre. Është momenti kur sindikatat duhen rigjallëruar, duke i vendosur ato në vendin e duhur, krejt në pozicionin normal e të domosdoshëm për një shoqëri demokratike. Kjo do të thotë që duhet rishikuar tërë sistemi sindikal në Shqipëri, në mënyrë që ajo të luajë rolin e saj, për të bërë të mundur mbrojtjen njëkohësisht të së “drejtës së punës” dhe sidomos të drejtat e individit si punëmarrës.

 Kriza e largimit të qytetarëve ka sjellë pasoja në ekonomi, por sidomos tek popullsia ku 56% e fëmijëve kanë lindur jashtë vendit dhe 44% brenda vendit. Çfarë do sjellë kjo për kombin?

Largimi i qytetarëve shqiptarë përmes emigracionit spontan e të vazhduar, është kthyer në një “infeksion social” në zgjerim. Një patologji, e cila për fat të keq as është diagnostikuar si duhet për shkaqet e shfaqjes dhe ekzsitencës, por as nuk është bërë ajo që duhet për ta parandaluar dhe përmirësuar këtë plagë sociale me efekte serioze të gjëra e polivalente. Demografike, sociale, financiare dhe ekonomike. Dukuri që po çon jo vetëm në plakjen e popullsisë, por tashmë ka marrë dimensionin e fenomenit shumë të rrezikshëm: atë të shpopullimit të vendit. Paksimi i lindjes së fëmijëve dhe shtimi i numrit dhe peshës demografike të të moshuarve është fare evident. Nga një shoqëri që në vitin 1990 kishte afërsisht 1.5 milion fëmijë të moshës shkollore tashmë kemi më pak se 400 mijë. Nëse mosha mesatare e popullsisë shqiptare në 1990 ishte 27 vjeç, duke qënë popullsia më e re në Europë, tashmë kemi mbërritur në kufijtë e moshës mesatare prej 38 vjeç. Nëse në 1990 mesatarja e natalitetit (lindshmërisë) ishte 2.3 fëmijë për grua, sot jemi nën shifrën 1.3 fëmijë për grua. Kjo do të thotë se me këtë nivel lindshmërie brenda vendit dhe shtimin e fëmijëve, që lindin jashtë Shqipërisë, e kemi vështirë të mbajmë nivelin e kësaj popullsie që kemi. Kjo është arsyeja pse Shqipëria edhe pse akoma nuk ka popullsinë më të plakur në Europë, por për fat të keq ka ritmet ndër më të lartat e plakjes së popullsisë. Me këto ritme të ulta të lindshmërisë dhe erupsionin e vazhduar të emigracionit, ka parashikime që në vitin 2050 të kemi vetëm 1.5 milion banorë. Situata nuk është pa zgjidhje, nëse ndërmerren politika dhe hartohen strategji që favorizojnë kushte më të mira për gratë, garanci financiare e shërbime sociale e shëndetësore më të mira, nëse krijohen garanci dhe siguri për gratë dhe vendet e tyre të punës, kushtet e jetesës, dinamizohen dhe shtohen institucionet e përkujdesit social e shëndetësor për fëmijët, përmirësimi sistemit arsimor, mbështetja për nënat me fëmijë, etj. Largimi i njerëzve nga vendi, zgjerimi emigracionit, ulja e natalitetit ka filluar të shfaqë patologji sociale, të cilat nesër mund të agravohen dhe pasojat mund të kenë kosto më të mëdha demografike, sociale, ekonomike e financiare. Që tani kanë filluar të ndihen mungesa në tregun e punës për fuqi punëtore të kualifikuar apo “bruto”. Po pakësohet numuri i të rinjve, që janë të gatshëm të hyjnë në tregun e punës. Po prishet raporti midis atyre që futen në tregun e punës  me ata që dalin në pension, në favor të kësaj kategorie. Nëse ecet në këtë rrugë atëhere do të duhet të “importojmë” nga jashtë brezin e ri, për të plotësuar nevojat e tregut të punës. Tejet shqetësues është fenomeni i largimit të profesionistëve, njerëzve të shkolluar e profesionistë të nivelit elitar, të cilët po krijojnë vakume të ndjeshme në fusha të tilla sikurse janë mjekësia, bujqësia, bota akademike e universitetet, etj. Largimi i njerëzve që këtu kanë status social të garantuar, nivele page relativisht të qëndrueshëm, është një dukuri që duhet ta bëjë klasën politike dhe në përgjithësi ata që janë në bordin e shoqërisë që të mendohen mirë dhe me përgjegjësi politike e patriotike, të mendojnë për të gjetur zgjidhjet për ta përballuar dhe demotivuar këtë dukuri retrograde. Sepse sido që të jetë plakja e popullsië, në mënyrë të pashmangshme nëse ecën me këto ritme, do të ketë pasoja serioze edhe mbi nivelin aktual të jetesës në Shqipëri. Aq më tepër kur niveli i zhvillimit ekonomik, nuk garanton se rritja dhe nevojat ekonomike do mund të përballohen me rritjen e rendimentit të prodhimit. Politika duhet të tregohet e kujdesshme, sidomos më e aftë dhe vigjilente për të lexuar dhe parashikuar të ardhmen në mënyrë që të shmangë krizat e mundshme të së ardhmes.

Diferenca e pagave dhe pensioneve është alarmante. Pse vjen ky diferencim fyes për masën e popullsisë.

Politika e pagave dhe pensioneve është një tjetër problem, i cili ka kohë që shqetëson seriozisht politikën, shtetin, shoqërinë dhe në mënyrë të veçantë pensionistët, të cilët përjetojnë pasojat e një sistemi pagash e pensionesh, që duhen rishikuar dhe rregulluar. Duhen rivlerësuar skemat mbi të cilat bëhen pagesat, duke vënë në balancë të arsyeshme raportet midis skemave kontributive (niveli aktual i pensioneve) me skemat e përfitimeve sociale (jo kontributive) sikurse janë ndihma ekonomike dhe pagesa të tjera sociale, me pagën minimale dhe nevojën e matjes dhe vlerësimit të minimumit jetik. Shqetësimi për pensionet dhe sidomos garantimin e fuqisë paguese të skemës së sigurimeve shoqërore sot dhe në nivelin afatgjatë, është e vërtetë që është shqetësues jo vetëm për ne, por dhe për vende të tjera ballkanike dhe europiane. Kudo shfaqet shqetësimi i raportit që po bëhet gjithnjë e më shumë kritik midis atyre që kontribuojnë aktualisht në skemën e sigurimeve shoqërore, me ata që aktualisht përfitojnë prej saj. Ky raport social dhe financiar është në përkeqësim. Ndërsa numuri i atyre që dalin në pension rritet me shpejtësi, numuri i atyre që hyjnë në botën e punës dhe bëhen kontributorë të skemës së sigurimeve shoqërore po pakësohet. Sot janë afërsisht 680 mijë pensionistë, dhe shifra rritet çdo vit në mënyrë të ndjeshme. E megjithatë situata e pensioneve duhet parë me kujdes dhe me vlerësim social serioz të raportit midis pensionit dhe nevojave jetike e bazike të pensionistit. Pretendimet e pensionistëve për një nivel më të lartë të pagesave të pensionit, në kushtet e vendit tonë dhe nivelit akoma të ulët të pensionit mesatar, nuk janë të tepërta apo të paarsyeshme. Është koha që në rregullimin e përgjithshëm të sistemit të pagave dhe pagesave, të rishikohet edhe niveli aktual i pensionit, duke synuar rritjen graduale, por të vazhdueshme të tij. Këtë problem nuk e zgjidhin bonuset periodike që qeveria akordon në kohë e momente të caktuara. Ato janë “aspirina” sociale që nuk e zbusin “temperaturën sociale” të pensionistëve. Nuk është në dinjitetin e shtetit që të mbajë qëndrim refraktar ndaj kësaj nevoje immediate, që kanë pensionistët. Është e vërtetë që pensionistët kudo ankohen për nivelin e pensioneve. Ankohen edhe në Francë, Britani apo Sh.B.A. Por krahasimi këtu është jashtë çdo logjike. Të tjera kërkesa, nevoja apo pretendime ka pensionisti europian e amerikan, të cilat janë në kontekstin e dinjitetit të politikave të tyre sociale dhe krejt tjetër janë nevojat e ngutshme, emergjente, humane që kanë pensionistët shqiptarë, për nivelin e ulët të pensioneve të tyre. Është një masë e gjërë, që ka kontribuar për shoqërinë dhe që tani ka të drejtë të kërkojë, të jetojë me dinjitetin e kontributeve të tij dhe jo me lëmosha. As të shtetit as të fëmijëve të tyre….