Ekonomi

INSTAT: Vëllimi i pyjeve është ulur me 32% për shkak të zjarreve gjatë viteve 2006 – 2019

 

Inventari i pyjeve në sipërfaqe nuk ka pësuar ndryshime të mëdha dekadat e fundit, por volumi i tyre ka pësuar një rënie drastike, kryesisht për shkak të zjarreve.

Sipas të dhënave të INSTAT volumi i pyjeve ka rënë me 32 % nga viti 2006 në vitin 2019. Në vitin 2019, vëllimi i përgjithshëm i pyjeve, arriti në rreth 54.846 (000/m3) nga 81.049 (000/m3) që ishte më 2006 si pasojë e shfrytëzimeve pa kriter nga njeriu dhe zjarret.

Në bilancin e vitit 2021 situata do të jetë edhe më e përkeqësuar pasi zjarret në dy vitet e fundit kanë shkrumbuar mijëra hektarë. Vetëm këtë vit, sipas Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura janë djegur mbi 1100 hektarë pyje, shumica e tyre në gadishullin e Karaburunit.

Në vitin 2019 fondi pyjor dhe kullosor i Shqipërisë u shtri në një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.740.307(ha) dhe zuri 60,5 % të sipërfaqes totale të vendit, nga të cilat 1.051.843 (ha) ose 60,4 % janë pyje.

Kullotat dhe livadhet zenë një sipërfaqe 478.081 (ha) ose 27,5 % të fondit pyjor dhe kullosor. Sipërfaqet më bimësi pyjore dhe joproduktive që janë pjesë e fondit pyjor zënë një sipërfaqe 210.382 (ha) ose 12,1 % të këtij fondi.

Vetëm gjatë një viti, nga 2018 në 2019 vëllimi i përgjithshëm i pyjeve në vendin tonë u ul afërsisht me 31.316 (m3).

Një pjesë e madhe e fondit pyjor të vendit janë në zonat e mbrojtura të cilat janë një potencial i lartë i zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm. Në vitin 2019 zonat e mbrojtura zënë një sipërfaqe të përgjithshme prej 523.831/ha ose 30,0 % të sipërfaqes së fondit pyjor dhe rreth 18,0 % të sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Në vitin 2019, ka pasur ndryshime në numrin e zonave të mbrojtura, pasi për miratimin e listës së rishikuar të monumenteve të natyrës Shqiptare, është bërë rishqyrtimi i kësaj kategorie.

Ndryshimit e klimës dhe sjelljet ekstreme të motit kanë rritur se tepërmi rreziqet nga zjarret. Edhe pse në zonën e kuqe të rrezikut Shqipëria ende nuk e ka një flotë të denjë të mbrojtjes civile që të mund të mbrojë pyjet nga katastrofa të tilla natyrore.

Në vitin 2016 me një VKM të posaçme qeveria transferoi në pronësi të bashkive fondin e pyjeve dhe të kullotave publike.

Por pushteti lokal ndërkohë nuk ka kapacitet e duhura të tilla si burime njerëzore, fonde dhe mjete për të monitoruar pyjet, sidomos për t’i mbrojtur ato nga zjarret dhe ndryshimet klimaterike.