Ekonomi

Ilir Dedja: Miniera gjigante e Selenicës që sot shfrytëzohet nga të huajt dhe për të huajt

Shkojnë përshtat vargjet e poetit tonë Çajupi:
Mjaft punove për të tjerë, o fatkeq,
Kujto vendin ku ke lërë, dhe tek heq”…
Qyteti minator shqyrton një fytyrë plotë rrudhje tregon plakje para kohe dhe braktisjen e madhe.
Selenica me arin e zi.
    Selenica me “arin e saj të zi”, shtrihet në jugun e kodrave të fshatit Treblovë dhe në veri, deri në buzë lumin e Vjosës. Në jug dhe në perëndim Selenica kufizohet me kodra. Ndërsa në veri kufizohet me lumin e Vjosës, i cili është njëkohësisht dhe kufiri midis Vlorës dhe Fierit. Ndërsa në jug qyteza e Bitumit kufizohet me fshatin e Treblovës, në lindje me fshatin Rromës dhe Resulaj, po vendburim bitumi, i shtrirë edhe në këtë fshat. Gjithashtu në kufi, më në lindje të vendburimit, kufizohet me fshatin Karbunar, ndërsa në perëndim edhe me fshatin Armen. Qyteza e Selenicës sundohet gjithashtu nga lartësitë që shtrihen me qendër: Malet e Kudhësit dhe të Gribës. Në hartën e këtij territori shtrihet miniera e bitumit, por dhe e nënprodukteve: Rërat Bituminoze dhe Zhavori Bituminoz. Miniera e Bitumit të Selenicës është shumë e vjetër, e përmendur përgjatë udhëtimeve të hershme prej historianëve të shquar të lashtësisë si: Aristoteli, Vitruvi, Straboni, Plutraku, po dhe nga disa prej historianëve të kohëve tona, si ata francez, italian që janë marrë dhe kanë pasur interesa të lidhura me vendin tonë. Selenicën e përmend përgjatë udhëtimit të tij, rreth vitit 1670 edhe prej historianit turk Çelebi, i cili pasi vizitoi Gjirokastrën, Tepelenën, vijoi duke zbritur edhe në Vlorë, madje deri dhe në kalanë e Kaninës. “Pas dy orësh kaluam me anije lumin e Gjirokastrës dhe katundin e Mekatit, hymë në territorin e Vlorës. Në këtë vend është një mal me zift. Këtu punojnë shumë punëtor, të cilët kanë hapur më qindra shpella, nga të cilat nxjerrin zift, në copa të mëdha si arka dhe këto ua shesin tregtarëve frëngj, të cilët vijnë dhe e blejnë me njëherë. Punëtorët e kësaj miniere, të cilët vinë këtu nga njëzetë katunde myslimanësh përreth, si shpërblim për punën e tyre janë përjashtuar nga gjithë taksat shtetërore. Përveç këtyre në këtë minierë punojnë duke qenë të lidhur me pranga edhe të gjithë kriminelët e dënuar me burgim të përjetshëm. Këto male janë çudia e të madhit Zot. Sipër ato janë të mbuluara me gjelbërim, ndërsa në brendësi të tyre janë mbuluar me sërë të zezë”.
Dëshmitë datojnë…
Rreth vitit 1700 datojnë dëshmitë e parë për emrin e qytezës së bitumit të Selenicës, e cila deri më sot njihet me këtë emër. Historia dhe emri i Selenicës është i lidhur kryesisht me nxjerrjen, përpunimin po dhe me eksportimin e këtij minerali të rrallë, i cili ka ndikuar edhe në rritjen, zhvillimin e saj, po pa e marrë gjithë atë vlerë dhe vlerësim gjithashtu që i ka dhënë vendit përgjatë ekzistencës së saj, kontributit në ekonominë kombëtare. Shfrytëzimi çnjerëzor i bërë mbi bitumin në minierën e Selenicës shënohen në fillim e shekullit të kaluar prej shoqërive të huaja shfrytëzuese.
Viti 1830 shënohet si viti i parë i minierës e organizuar prej një shoqërie angleze.
Shënohet në historikun dhe e pasuron historikun e kësaj miniere kontributi i shquar dhe shënuar nga themeluesi i shtetit shqiptar Ismail Qemali, kur ai bënte pjesë në administratën e Lartë të Perandorisë, i cili me peshën e tij ndërhyri në dhënien me koncesion të këtij vendburimi, të bitumit perandorisë Osmane! Gjatë kohës së Mbretit Zog, minierën e shfrytëzuan shoqëritë italiane. Ndaj shfrytëzimit të minierës dhe shfrytëzimit të njerëzve, shënohen dhe njihen revoltat e punëtorëve të kësaj miniere në vitet 1937, 1940, 1941, 1942, kulmojnë me revoltat e minatorëve të kësaj miniere… Ndërsa shfrytëzimi në mënyrë të organizuar ka filluar rreth vitit 1870, kohë kur vendburimi, i arit të zi iu dha me koncesion një shoqërie angleze. Ndërsa në vitin 1886 miniera i kaloi Bankës Osmane në Kostandinopojë. Në shtator të vitit 1891 i kaloi për shfrytëzim shoqërisë FRANCEZE të bitumit, me qendër në Paris. Në vitet 1914- 1916, u ndërpre puna në këtë minierë për shkak të luftës. Përgjatë periudhës 1916- 1920, miniera u shfrytëzua dhe kontrollohej nga ushtria italiane. Ndërsa, po në vitin 1920 i kaloi me koncesion shoqërisë italiane S.I.M.S.A. Dhe prej muajit qershor të vitit 1945 deri në tetor të vitit 1996, minierën e bitumit të Selenicës e shfrytëzoi dhe zhvilloi shteti shqiptar. Pas Luftës së Dytë Botërore miniera e Bitumit mori një zhvillim të vrullshëm, ku u hapën shumë sektor të rinj pune ku u punësuan shumë njerëz në këtë minierë të madhe, po dhe u zhvillua infrastruktura,arsimi, kultura,sistemi tregtar, etj. Miniera e Bitumit Selenicë ndër të rrallat në botë ka dhënë ndër vite kontribut të çmuar madje mbi të tjerat miniera për zhvillimin e industrisë minerare të vendit, si dhe për zhvillimin e ekonomisë. Gjithashtu ka vlera sa të rralla historike si, në grevat dhe lëvizjet e punëtorisë dhe të shoqërisë… Është për t’u shënuar se në qytezën e Selenicës, në minierën e Bitumit kishte një prurje të njerëzve nga gjithë trevat e krahinës së Labërisë, kryesisht të Vlorës, nga gjithë fshatrat, pothuajse nga Shkoza, Dushkaraku, Kuçi, Fterra, Gorishti, Bolena, Vranishti, Velça po edhe nga gjithë rrethet e Tepelenës, Gjirokastrës, Mallakastrës, bashkë me çobenët, që janë pothuaj autoktonët, maxhorancë në këtë qytezë, kanë shkuar me një harmoni dhe krushqi të lakmueshme, të cilën e ruajnë edhe sot, kur i sheh në xhiro, në biseda, aktivitete, kafe, në të mira dhe në dhimbje pranë njëri- tjetrit….
Pellgu mineralmbajtës dhe dekovili…
Pellgu mineral mbajtës i Selenicës ka qenë i njohur qysh në lashtësi. Përfituesit e parë të këtij produkti, asfalti kanë qenë osmanët, të cilët e sunduan për shumë shekuj vendin. Më pas është një shoqëri franceze nga fundshekulli nëntëmbëdhjetë që e shfrytëzoi. Ekspedita italiane vijoi shfrytëzimin e saj përgjatë gjatë luftës së Parë Botërore, kohë kur vendi ynë u bë shesh luftimesh dhe ata ndërtuan edhe dekovilin e parë, me gati 30 km të gjatë që lidhte minierën me Vlorën, deri në portin e saj, në Skelë. Gjithashtu në atë kohë u ngrit dhe një fabrikë në Vlorë për përpunimin e asfaltit dhe nxjerrjen e vajrave minerale. Prodhim i asfaltit arriti deri në 15. 000 ton në vitin 1939, si dhe me prodhimin e vajrave lubrifikante. për të cilat industria italiane ishte e ndërvarur aso kohe nga tregu i huaj. Aktiviteti i kësaj fabrike u ndërpre gjatë vitit 1943, kur vendi u pushtua nga nazizmi gjerman. Ndërsa dekovili, ose hekurudha më e vjetër dhe e para e vendit nga Selenica në Vlorë dhe anasjelltas, është shfrytëzuar deri në ditët e sistemit socialist. Dekovili qëndronte në qafën e Koçiut, në Alikokë, ku dhe bënte shkarkesën e bitumit në forma të rrumbullta, të zeza për të marrë rrugët e tregut të botës. Pra deri në vitin 1991 ky dekovil punoi përgjatë rrugës Selenicë-Vlorë dhe anasjelltas. Gjithë ata që kanë punuar dhe drejtuar në këtë lokomotivë, dekovilin si një ndër ta; Liço Liçaj e kujton me nostalgji… Dhe nga drejtimi i këtij dekovili, i cli njihet ndër të parët mashinist, ose “kapiten” i dekovilit, duke marrë spunton prej andej, e më pas do të drejtonte edhe teknikën luftarake, në ish-repartet e ushtrisë Popullore shqiptare Dekovili vinte gati dy herë në ditë me ngarkesa nga miniera për në Port-Vlorën me Bitumin e përpunuar në format, si të djathit dhe transportoheshin për në portin e Skelës nga ku merrnin rrugët e tregut të botës!
Koha e ndryshim-rrënimit
Gjatë periudhës së ndryshimit- rrënimit të sistemit, miniera kaloi sërish në disa duar, në shoqëri private vendase dhe të huaja. Në tetorin e vitit 1996, miniera, pjesa kryesore, gati 70 % e saj kaloi në pronësi të shoqërisë aksionere “VEFA” sh.p.k. Në shkurt të vitit 2001, po kjo pasuri kombëtare, i kalon shoqërisë; “Bitumi” sh.a, e cila u privatizua tërësisht nga shoqëria Franceze K.L.P, dhe themeloi shoqërinë: “SELENICË BITUMI”. Qyteti edhe mbi këtë pasuri të rrallë, duket shumë i vuajtur. Rrugët e veta janë në ditët e hallit.
Vendi që nxjerr bitum, shtron dhe asfalton botën dhe që ka të pa asfaltuar rrugën e vet…
Njerëzit largohen nga ky thesar dhe kërkojë rrugët e mbijetesës nëpër botë…