Histori

Ibrahim Kelmendi: Oliver J. Schmiti – ka reflektuar apo na lajkatoi

OLIVER J. SCHMITT – KA REFLEKTUAR APO NA LAJKATOI?
Mbrëmë na ndodhi surprizë e mirë: Zotëri Kerquki kishte ftuar mysafir në emisionin „pressing“ Akademikun Oliver J. Schmitt.
E përcolla diskutimin. Ende nuk ndava mendjen, nëse Akademiku Schmitt në ndërkohë ka reflektuar për shumë lajthitje të tij gjatë trajtimit të historisë shqiptare, apo na i bëri lajkat e radhës, meqë e di që në mashtrohemi kollaj – nuk dimë se librat e tij kanë ndikim të madh në qarqe akademike, e jo ato që na i thotë ai me shqipe goxha të rrjedhshme në televizionet tona.
Ndoshta nuk është rendi as vendi për të spekuluar, se „pala“ shqiptare, e cila u „përball“ me Akademikun Schmitt, nuk e kishin lexuar as diagonalisht librin tim kundër librit të Zotëriut Schmitt, i cili, në fushën e historisë mund të diskualifikohet si raporti i Martit në fushën juridiko-politike.
Vetëm kur Z. Schmitt ta rishkruan atë libër, me reflektime profesioniste, do meriton të çmohet si Studiues objektiv i historisë se Kosovës!
ADEM GASHI:
Merreni me mend, as Akademitë shqiptare të shkencave dhe arteve nuk bënë aq sa Ibra në përballje me Schmidin! Madje me edicionin në gjermanisht si pikë referimi!
Edhe i thonë këtij njeriu përse nuk ke folur deri tash!? Po si t’i bjerë më shumë daullës kur vetëm pas luftës ka publikuar rreth dhjetë libra voluminozë, po për këto çështje.
[fragmente nga moderimi që bëri Shkrimtari Adem Gashi gjatë promovimit të librit „Trileri i O.J. Schmitt për Kosovën“.]
DR. BUJAR DUGOLLI:
[Fjalë rasti në promovimin e librit, “Trileri i O. J. Schmitt për Kosovën”, autor, Ibrahim Kelmendi.]
Të nderuar pjesëmarrës,
Historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, edhe me librin e tij të dytë të botuar në shqip, në fokus të studimit të tij ka çështjen shqiptare, me theks të posaçëm Kosovën në modernitetin e saj.
Tani më, lexuesit, dhe opinioni shqiptar, studiuesin zviceran më shumë e njohin për pikëpamjet dhe konstatimet kundërthënëse historiografike.
Themi, kundërthënëse, shikuar nga dimensioni i standardeve shkencore, të cilat standarde, në radhë të parë kërkojnë objektivitet, argumentime shkencore dhe paanësi.
Pikërisht, objektiviteti, argumentimi shkencor në trajtimin e çështjeve, si dhe paanësia në elementet kyçe është dëshmuar se i mungojnë librit më të ri të Schmitt’it, “Kosova / histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”.
Këto mangësi shpesh edhe me qasjen tendencioze në trajtimin e çështjeve nga ana e Schmitt’it, i thekson, z. Ibrahim Kelmendi, autor i librit “Trileri i O.J. Schmitit për Kosovën”, në një volum prej 366 faqesh, botuar nga: BUZUKU & EPOKA E RE.
Ka disa elemente të cilat gjatë leximit të librit të Kelmendit na tërheqin vëmendjen.
E para, do ta veçoja guximin intelektual të Ibrahim Kelmendit për t’i hyrë shkrimit të këtij libri, i cili, ndër të tjera ka përmbajtje kritike- polemizuese, e jo vetëm sqaruese për lexuesin shqiptar.
E them këtë, sigurisht edhe për ta përgëzuar autorin Kelmendi, sepse, në këtë kohë nëpër të cilën po kalojmë, jo vetëm në rrafshin kombëtar, por edhe ne atë intelektual, sikur jemi të prirë të jemi oportunist, heshtak e çka tjetër, sidomos atëherë kur disa autorë të huaj shkruajnë për çështjen shqiptare dhe janë shumë larg objektivitetit shkencor.
Ne shpesh dëgjojmë nga ata qe i proklamojnë këto libra siç është rasti me librat e Oliver Jens Schmitt’it apo edhe Rajmond Detrez’it si vepra të arrira dhe se “historia me e mire për shqiptaret dhe Kosovën shkruhet nga të huajit”.
Këto konstatime dëgjohen edhe atëherë kur mohohet autoktonia dhe vazhdimësia Ilir- Arbërorë- Shqiptarë, kontestohet Gjuha shqipe qe rrjedh nga Ilirishtja, kontestohet figura e Heroit tonë kombëtarë Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, lufta çlirimtare e udhëhequr nga UÇK, e çka tjetër ? Pra z. Kelmendi nuk heshti përballë këtyre, por ju përvesh punës dhe i ofroj lexuesit një libër shumë të mirë.
E dyta, autori i librit të cilin sot po e promovojmë, pra, z. Ibrahim Kelmendi, është intelektual dhe një ndër veprimtarët e ditëve të para të ilegales së shqiptarëve të viteve 80-ta dhe 90-ta, në Kosovës dhe më gjerë, është një personalitet me histori të thellë të organizimit kombëtar në kushte dhe në rrethanat më të vështira të mundshme për brezat e ilegales shqiptare dhe njohës i mire i këtij organizimi.
Edhe mbi ketë bazë, libri i Kelmendit fiton dimension shtesë të besueshmërisë, sidomos kundërvënies së argumentuar shkencore ndaj pikëpamjeve të Schmitt’it.
Kelmendi, vihet me guxim intelektual dhe me plot argumente, deri më tani të njohura dhe të pa njohura, në kërkim të së vërtetës për çëshjet e ngritura nga Schmitti.
I mbështetur në informacione, të dhëna, fakte, jo vetëm publicistike por edhe akademike, arkivore, si dhe në përvojën si protagonist në rrugën e tij kombëtare, Autori që nga faqet e para të librit është vënë në objektivin shkencor për të vërtetuar se, pikëpamjet, tezat, konstatimet e Schmidtt’it, pra edhe në librin e tij të dytë për Kosovën, janë trillime dhe falsifikime të historisë, janë pa mbështetje të mirëfilltë shkencore. Madje, siç argumenton Kelmendi, pikëpamjet e Schmitt’it, janë të ngërthyera me paragjykimet e historiografisë dhe të politikës serbo-sllave kundrejt shqiptarëve.
Kelmendi, duke përdorur, metodën e analizës, krahasimeve, shkëput fragmente të pikëpamjeve të shtrembëruara të Schmidtt’it, ngjashëm sikur pikëpamjet e studiuesve dhe të politikanëve serbë, dhe më pastaj, atyre falsifikimeve antishqiptare, u kundërvihet me fakte historike, shkencore qe tani me janë të njohura dhe të argumentuara nga shumë studiues kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
Madje, për ta bërë sa më argumentues dhe të pa anshëm librin e tij, Kelmendi citon dhe ju referohet edhe shumë autorëve ndërkombëtar si dhe vetë literaturës serbe.
Në këtë kuptim, një ndër konstatimet thelbësore, të cilin e hasim në tërë brendinë e librit polemizues të Kelmendit është kualifikimi i tij për orientimin dhe ndikimin e Schmitt’, nga falsifikimet e historisë qe i beri elita serbe dhe pro serbe.
Schmidtt, siç vëren Kalmendi, përdor të njëjtat konstatime sikur edhe historiografia serbët: “…shqiptarët zbritën nga malet në fusha”.
Me pretendime dhe qëllime të këtilla, gjithsesi jo qytetërues, pra, tendencioz, Schmitt’i, sikur edhe shumë historinë dhe politikanë serbë, grekë e maqedonas, përdor falsifikime e paragjykime të të gjitha llojeve për shqiptarët dhe historinë e tyre.
Më tej, autorin e irritojnë faktet se si ka mundësi qe një studiues evropian të ketë një qasje të tillë: “…përcaktimet e theksuara shoviniste kundër shqiptarëve, në përgjithësi, me sforcime të urrejtjes , sidomos kundër shqiptarëve myslimanë dhe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Ne vazhdim po veçojmë edhe një nga shumë vlerësime polemizues dhe me argumente të Kelmendit në lidhje me konstatimin e Schmitt’it, sipas të cilit “…nacionalizmi [pra i referohet nacionalizmit shqiptarë B.D.] shkaktoj një shpërthim tjetër shoqëror në vitin 1981. ” Kelmendi, me të drejtë hedh poshtë këtë konstatime të Schmitt’it dhe bënë vlerësimin: “Nacionalizmi shqiptar nuk e ka shkaktuar shpërthimin në vitin 1981, por rritja e vetëdijes nacionale dhe sociale.”
Është me interes, edhe trajtimi nga këndvështrimi tjetër i periudhës së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave 1945 -1948 dhe pozicionimi i Stalinit. Janë burimore, pra, edhe sipas arkivave botërore dhe jo vetëm shqiptare të dhënat të cilat Kelmendi i sjellë lidhur me takimet në Moskë midis Stalinit dhe Gjillasit dhe porositë e të parit për Titon në lidhje me Shqipërinë. Kelmendi, i cili i referohet edhe literaturës gjermane, në mënyrë argumentuese hedh poshtë spekulimet e Schmitt’it në lidhje me atë takim dhe veçmas në lidhje me porositë e Stalinit për Titon.
Librit të Ibrahim Kelmendit fuqinë e argumentimit ia shton edhe Shtojca, në të cilën autori ka përdor si referenca 111 personalitete me renome botërore, të cilët me pikëpamjet e tyre kontribuojnë në shembjen e pikëpamjeve të Schmittit. Pra, këto pikëpamje të 111 personaliteteve librit “Trileri i O. J. Schmitt për Kosovën” ja shtojnë bindeshmërinë dhe pa anësinë e objektivitetit shkencorë.
Urojmë që, sikur edhe sot, z. Kelmendi të na bashkoj prapë edhe për botime të reja.
Ju faleminderit!
(Prishtinë, më 23.01.2014)
***
Këtu mund ta përcjellni emisionin “pressing”: