Portreti/intervista

Ibish Neziri: REGJISORI I KINOSTUDIOS „SHQIPËRIA E RE“ QË SHTËPINË E TIJ E KISHTE SHNDËRRUAR NË STREHË PËR ILEGALËT E VITEVE 90-TA

Homazh për Xhezair Dafën në njëvjetorin e ndarjës nga jeta

Në 3 shkurtin e vitit të kaluar, ditën që e përcollëm në varrezat e Tufinës i mbeta borxh që të paktën nuk i thash dy fjalë, jo vetëm sa për t’i thënë lamtumirën, e as për t’u treguar pjesëmarrëve në përcjelljën e fundit për filmat që si regjisor e bashkëregjisor i kishte bërë, ngase ata sigurisht se i dinin dhe i njihnin më mirë se unë, por Xhezair Dafës t’i thoja lamtumirë, jo vetëm në emrin tim, por që pjesëmarrëve në kortezh, shokëve, miqëve e bashkëpunëtorëve t’ua tregoja anën e panjohur të regjisorit të mirënjohur të Kinostudios „Shqipëria e re“ dhe regjisorit të Arkivit të Shtetit.

Tani më dihej se  te “Komisari i dritës”, (kushtuar mësuesit të mirënjohur jo vetëm në Mirditë por edhe në Rrafshin e Dukagjinit – Kosovë), film ky shumë i dashur për shikuesit nga Kosova, njësoj sikurse edhe „Këshilltarët“, njëri ndër filmat më të mirë të tij, ku i kishte dhënë rolin e parë aktorit Ndiçim Xhepa, “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Njësiti gueril”, “Plagë të vjetra”, „Odiseja e tifozave“, „Duke kërkuar 5 orëshin“ (një ndër filmat e parë të Robert Ndrenikës, dokumentarët “Perla e Jugut”, “Blerim në bregdet”, “Bleron kjo lulja e Jonit” e filma tjerë  ku në njërin si regjisor e në tjetrin  bashkë-regjisor, ishte dora e talenti i tij dhe unë nuk kisha pse t’ua thoja këtë, por unë kisha diçka tjetër për të thënë që nuk e thash, jo pse nuk desha ta thoja, por nuk arrita. Unë i mbeta borxh atë ditë kur e përcollëm që nuk fola anën e tij krejtësisht të panjohur – për lidhjet e tij me Kosovën dhe viset tjera shqiptare jashtë kufinjëve administrativ të Shqipërisë. Nuk fola për lidhjet e tij me ilegalët e Kosovës, shumë prej të cilëve i priti e i përcolli me dashuri prindore dhe të cilët më vonë do ta dalloheshin në fushëbeteja  gjithandej Kosovës, ku si rezultat i atyre fushëbetejave dhe asaj lufte që u zhvillua fundshekullin e kaluar, do t’i krijohej mundësia që edhe ta vizitonte Kosovën, ta vizitonte Prizrenin e Lidhjes, Gjakovën e Pejën, ta vizitonte Grykën e Rugovës dhe burimin e Drinit që mes përmes i bie Shqipërisë.

Bashkë me ish-të burgosurin politik Gani Fetajn, pas bisedës që e kishte bërë Shaip Muja me të, në fundprillin e vitit 1992 na priti në shtëpinë e tij për më shumë se dy javë, dhe kjo nuk ishte pritja e tij e fundit. Ai priti në vazhdimësi ilegalë tjerë, të cilët kryesisht me detyrë nga Kosova kalonin malet për të hyrë në Shqipëri. E priti dhe e mbajti në shtëpi edhe Ali Ahmetin, ilegalin e atëhershëm të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, udhëheqësin e mirënjohur të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për rreth dy javë, Hidajete Krysniqin, ilegalen e njohur të Pejës, Binak Dinajn, luftëtarin e orëve të para të UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit, veprimtarin Sylë Arifi, ish-të burgosurin politik dhe vëllain e dëshmorit Edmond Hoxha, Xhavitin, veprimtarët dhe ish të burgosurit politikë Mamujë Loshin dhe Nimon Krasniqin… 

Sali Lajçit, i cili e kishte humbur veshkën në një fushë të minua,r duke hyrë në Kosovë, gjatë qëndrimit në Spitalin Ushtarak të Tiranës, përditë i kishte shkuar në vizitë. E kishte pritur edhe ilegalen e njohur drenicare Majlinda Sinanin – Lulaj bashkë me të shoqin Selimin. Shtëpinë e tij, aty afër Ministrisë së Jashtme, e kishte shndërruar në një strehë të ngrohtë për ata veprimtarë që përpiqëshin të ia bënin një argat Kosovës dhe lirisë së saj. Nuk rastisi asnjëherë të vetme që t’i trokas në portë ndonjëri nga ilegalët e Kosovës gjatë viteve 90-të  e të mbetet jashtë.

I priti dhe i trajtoj si fëmijët e tij Alkidin, Blendin dhe Dorisin, dhe gjithnjë i përcolli me kërkesën e vetme: “Gjithësesi na lajmëroni si shkoj rruga!” dhe sa e përcillte njërin, tjetrit i hapte portën ditë pas dite e vit pas viti deri sa Kosova u çlirua. Në pranverën e vitit 1999 e hapi portën e shtëpisë edhe për të përndjekurit e luftës nga Kosova. Në një hapësirë prej 70-80 m2, ndonëse në shtëpi ishte vetë i pesti, i mori edhe dy familje me rreth 20 anëtarë. Prandaj, i mbeta boxh që atë ditë nuk e mora fjalën për t’ua treguar këto të gjithë atyre që e njohën si fqi, shok e bashkëpunëtor, por jo edhe si një njeri që ishte lidhur ngusht me ilegalët e Kosovës, të cilët bashkë me të shoqen Bulën dhe tre fëmijët i pritte e i përcillte me dashuri të veçantë.

Nuk mund të mos e sjell në këtë rast edhe një koment të djalit të tij Blendit në statusin përkujtues  në FB të Majlinda Sinanit – Lulajt, drenicares e cila, ndonëse vetë me veshka të bllokuara, i kërkonte të shoqit të shkonte në luftë. Ai ndër të tjera do të shkruaj edhe: „Të gjithë ata që më njohin nga afër, e dijnë, se asnjëherë nuk kam qenë më i miri… të paktën për ca gjëra…

Shumë falemnderit për fjalët e ndjera dhe që më risolle në vëmendje ca kohë surreale, kur një vajzë që nuk ishte Skënderbeu, as Isa, as Ademi, shtatzënë dhe me veshkat e bllokuara, i thoshte burrit , i shkreti i shushatur nga idealizmi idiot i së shoqës: Shko dhe lufto, edhe vritu, nuk ka rëndësi, mos u kujdes për mua… (o Selim, si e ke mbajtë atë gru? Eh … Grotesku i jetës…)

Ka qenë edhe një djalë tjetër, njëfarë Ganiu, që nuk bleu këpucë, për të blerë plumba, dhe kur kalonte nga mali, kur akoma luftonin vetëm pak veta e kishte lidhur shollin e shkëputur të këpucës së vjetër me rripin e pantollaneve  dhe skajin tjetër e mbante për dore dhe e ngrinte këmbën me krah sa herë hidhte hapin, për ca plumba më shumë…

Ka qenë edhe një farë …, që të gjithë mund të thonë edhe sipas emrit një ish-i, tamam një ish, si të gjithë tjerët, si Xhemali, si Arsimi që ka vdekur…“

Këta dhe të tillët si këta janë ata që i priti e i përcolli borshioti Xhezair Dafa bashkë me familjen e tij, i cili asnjëherë nuk u mburr për punën e vetë, por u krenua me ata të rinjë që shpeshherë ia zinin derën e ia zinin shtëpinë ditën e natën, madje duke ua dhënë edhe statusin e çunit të shtëpisë.

Këto që nuk arrita të ia them në ditën e përcjeljes së tij, në botën e përjetshme, u përpoqa ta them në këtë homazh, në të cilin mbetën shumë të pathëna.
Unë e pata dhe vazhdoj ta kem nderin që prej më shumë se 29 vjetësh ta bartë statusin e “çunit të shtëpisë”, jo vetëm nga Xhezairi, para trupit të të cilit arrita në momentet e fundit me respekt të përkulem, por edhe nga e gjithë familja Dafa.


Gjithnjë do ta kujtojmë si artist, e intelektual të madh e mbi të gjitha si njeri fisnik e atdhetar që nuk kursei asgjë nga vetja për ta ndihmuar Kosovën dhe çlirimin e saj.

Gjithnjë do të përkulem me respekt para emrit e veprës së Xhezair Dafës dhe jo vetëm unë. Përkulen dhe e kujtojnë edhe të gjithë ata që kaluan nëpër shtëpinë e tij, që e shijuan kujdesin e ndihmën e tij dhe të familjes Dafa!

Përjetësisht respekt!