Shqipëria/Aktualitet

Ibish Neziri: NGJARJET E JAVËS, PARË ME SYRIN E NJË MËRGIMTARI (III)

Java që sapo e lamë pas filloi me një lajm i cili do të duhej dhënë që moti e jo të pritetj kaq gjatë. Qeveria Hoti na doli të mos jetë formuar ligjshëm mbi bazat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjë që është ditur qyshkur qe formuar, por pse u prit kaq gjatë të nxirret ky vendim, është e pakuptueshme, për shumë kë ashtu si edhe për mua.

Rënia e Qeverisë Hoti solli reagime të ndryshme të subjekteve politike, të gazetarëve e analistëve kosovarë tani më me nam. Dikush e fajsoi Gjykatën Kushtetuese e dikush tjetër filloi menjëherë nga përgaditja për të dalur në zgjedhje dhe madje paralajmëruan, jo vetëm kapërcim të pragut, disa nga ato që mezi e kishin kapërcyen atë në zgjedhjet e fundit, por edhe ngjitje bukur të lartë, madje me nga mbi 20 deputetë.

LDK-ja, për rrëzimin e qeverisë dhe dërgimin e vendit në zgjedhje e fajsoi KQZ-në, e cila në fakt nuk është pa gjynahe, jo se e rrëzoi qeverinë, por që nuk la gurë pa lëvizur për t’ua kaluar pragun atyre që nuk mund e kaluan vetë dhe për t’ia zvogëluar fuqinë vendimmarrëse VV-së, e cila pat dalur fituese e zgjedhjeve në tetorin kaluar.

Sidoqoftë, zgjedhjet e parakohëshme e sollën edhe një të mirë për LDK-në. Më nuk do t’u kërkoj askush, të paktën tani për tani, publikimin e marrëveshjes me Listën Serbe dhe sqarimin se cilat qenë kërkesat e kësaj Liste me të cilat, siç u fol ditët e kaluara e në qarqe të ndryshme politike dhe gazetareske, kushtëzohej Qeveria Hoti. 

Gjatë gjithë javës u fol edhe për lista të përbashkëta  e aleanca parazgjedhore, por edhe për dalje vetëm në zgjedhje.

Në kuadër të kësaj dëgjuam edhe nga Arbërie Nagavci e Mytaher Haskuka të VV-së se me Vjosën do të dalin me mbi 55 deputetë. Qe besa, po dualën me Vjosën për dredhëza, le ta marrin shportën e vogël se as me 40 nuk do të dalin.

Kur jemi te rënia e Qeverisë Hoti dhe reagimet rreth rënies së saj nuk do të ishte mirë të mos përmendet edhe një gjë që mua më bëri përshtypje bukur të thellë sikur edhe vargjet e këngës së Sali Manit „Për ty flamur“ ku ndër të tjera thotë:

„Merr sihariqin toka arbërore,

Gjama nis n’oborret mbretërore“

Analisti serb Predrag Rajiç, lidhur me këto zgjedhje lëshoi alarmin në Beograd se „lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të jetë më  i fuqishëm pas zgjedhjeve në Kosovë dhe për këtë serbët duhet të qëndrojnë të bashkuar në mënyrë që të mbijetojnë në veriun e Kosovës“.

Ai shpreh shqetësim (që e ka kapluar Beogradin) për serbët e veriut, por nuk ka pse. Ata janë shtetas të Republikës së Kosovës, ndonëse të rebeluar dhe si të tillë do të trajtohen edhe nga Albin Kurti, nëse vije në pushtet.

II

Edhe njëherë rreth rastit Syla ndonëse e kam trajtuar me një shkrim të veçantë: „Prokurori i Shtetit ka filluar hetimet dhe në të njëjtën kohë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit B.J., për shkak të veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin, gazetarin me inicialet V.S.” (Valon Syla), njoftuan gazeta e portale nga Prishtina.

Prokurori i shtetit mbase edhe nuk do ta lexoj pyetjen time, por unë megjithatë po ia shtroj dhe jo vetëm atij por edhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Avokatit të Popullit: Sharja, fyerja, provokimi, nxitja e dhunës dhe urrejtjes, fyerja në baza raciste (“Po vijnë gabelët e diasporës“), me cilin nen sanksionohet dhe a mori kush masa për ta zbatuar atë nen dhe a reagoi kush nga të sipërpërmendurit apo jo, se për gazetarë e analistë tani më u muar vesh?

III

Me 24 dhjetor ministri i shëndetësisë në detyrë, zoti Armend Zemaj, gjatë vizitës me kryeministrin tani me në detyrë, Ahdullah Hoti, i falenderoi punëtorët shëndetësorë, duke i quajtur gardianë gjatë pandemisë. Pandemia për fatin e keq tonin ashtu sikur edhe të njerëzimit ende nuk ka kaluar dhe punëtorët shëndetësor do të vazhdojnë edhe më tutje të jenë gardianë, por shpërblimet për këtë nuk do t’i marrin ata, por do t’i marrin qeveritarët. Fundja ata edhe nuk kanë kohë t’i harxhojnë, kurse qeveritarët po, edhe kanë kohë edhe dijnë si dhe ku.   

IV

Analisti serb, Dushan Janjiq ka filluar të flas për një skenar, për të cilin deri tani nuk ka folur njeri. Ai thotë: „Vuçiqi mund ta mundësojë që kryeministri në Kosovë të jetë nga Lista Serbe.“

Si po shkojnë punët dhe me miqtë që Vuçiqi i ka në Kosovë nuk është largë mendësh. Edhe kjo mund të ndodhë.

V

Se ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani është ngatërrestare, e papjekur, egocentriste dhe me tendencë për të qenë edhe dominante, nuk ka dyshim. Pas ngatërresave që u përpoq t’i sillte gjatë vizitës në Tiranë, tani doli me një veprim krejtësisht tjetër dhe të paligjshëm. Çfarë mendoi ajo kur krahas (madje në mes të)  flamurit të Republikës së Kosovës dhe atij të BE-së e futi një flamur të ashtuquajtur „Dardan“ (flamurin e LDK-së?

Me cilin ligj dhe me cilin nen është e rregulluar ngritja e flamujve dhe simboleve që nuk përfaqësojnë asgjë dhe askë?

Nuk hanë njerëzit bar, jo! Ka ikur koha e blerjes së votave me improvizime e gjepura të tilla fëmijërore, ndonëse ende ka të tillë që i hanë ato gjepura

Ajo duhet ta dij se nuk i merren Isa Mustafës, Agim Veliut & co njerëzit me të tilla veprime, dhe se në atë post është gjendur falë zemërgjërësisë së VV-së dhe Albin Kurtit gjë që nuk do të duhej të ndodhte.

Dikush duhet të reagojë, por pse nuk po reagojnë shtrohet pyetja. Kujt po i frikësohen?!

VI

U bë e ditur se Greqia i zgjeroi kufinjt detarë nga 6 në 12 mila. Për këtë e lexova edhe një interviju, nga e cila vërtetë nuk arrita të kuptoj nëse ka humbur apo nuk ka humbur gjë Shqipëria. Aq sa di nga gjeografia, ka  pjesë që nuk i kalojnë 12 mila mes dy brigjeve, prandaj me të drejtë po pyes nëse i zgjeroi edhe Shqipëria kufinjtë e saj nga 6 në 12 mila apo jo?

Aq sa po kuptoj, mos qoftë e thënë, atdheu po vazhdon të tkurret në të gjitha anët në favor të fqinjëve, si gjithmonë grabitçarë. Në demarkimin me Maqedoninë Veriore, Kosova humbi një sipërfaqe prej 191 hektarësh, me Malin e Zi 8200 hektarë, tani Shqipëria me detin ku ta di unë se sa sipërfaqe humbi dhe edhe sa tjetër do të humb në demarkimet e radhës. Fatkeqësisht para syve tonë dhe me miratimin tonë atdheu po tkurret.

VII

Vaksinat anticovid arritën në veri. Njerëzit filluan të vaksinohen. Kur patën hyrë testet nga Serbia qe bërë zhurmë e madhe. Edhe tani u bë zhurmë, por në një mënyrë tjetër. Qeveria tha se do të merr masa. Edhe prokurori tha se do të bëhën hetime nëse ka prova se vaksinat nga Serbia u futën ilegalisht.

Vetë ngjarja dhe reagimet e qeverisë dhe prokurorisë ma kujtuan një anekdotë, të cilën sa herë e kam dëgjuar nga babai im: „Një terbesh kishte dalë me bagëti në bjeshkë. Në një natë me furtunë, murmurimë e vetimë ishte futur një ujk në torishtë dhe e sulmon një mëzat. Mëzati pëllet, ndërkohë që terbeshi ia kthen „Gajreti buzaki se sabahi xhurdi, shishane vurdi!“ (Qëndro mëzat se sa të vije mëngjesi do të gjuaj me shishane (shishane – lloj arme e gjatë).

Edhe qeveria jonë do t’i marrë masat posa të vije mëngjesi dhe pasi ta ketë vërtetuar prokurori nëse vaksinat janë futur ilegalisht apo jo.

Për veprimet e mëtutjeshme rreth këtij rasti, mbetet të na sqaroj prokurori.

VII

Prap vrasjet politike, si zakonisht në prag të fushatave zgjedhore. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha: „Janë 113 persona të vrarë nga dhuna politike. Rugova bëri pajtimin më 1999“

Vërtetë e dhimbshme 113 persona të  vrarë (sipas Lutës të LDK-së) thua se edhe mbi 100 tjerë, ushtarë të UÇK-së, vrasjet e të cilëve asnjëherë nuk u ndriçuan, nuk janë njerëz.

Është më shumë se e ulët të shfrytëzohen fatkeqësitë e njërëzve për të fituar vota. Ku ishte Luta me „40 shokët“ e tij që nuk mori masa për t’i ndriçuar ato vrasje dhe për t’i sjellur para drejtësisë vrasësit. Pothuajse vazhdimisht partia e tij ka qenë në pushtet dhe institucionet e drejtësisë i ka pasur në duart e veta, si ministrinë e brendshme dhe atë të drejtësisë.

Pse një herë të paktën nuk i ra ndërmend Lutës për ata njerëz të vrarë, gjatë pushtetimit të tij dhe „40 shokëve“ të tij, por vetëm në kohë fushatash?!

T’iu them të ju vije turp, nuk ju them dot, se po të kishit turp, atdheun nuk do ta sillnit në këtë hall!

VIII

Krejt për fund edhe për premtimet e Enver Hoxhajt të PDK-së për vendet e rezervuara për tre përfaqësues nga mërgata. Mergata nuk ka nevojë për vende të rezervuara, lum Enveri, po edhe këtë po e marrim në kuadër të fushatës zgjedhore.

Atij iu rritë ndera se vërtetë shumë bujarë u tregua. Edhe qeveria e tanishme e ka një përfaqësues të mërgatës në radhët e veta, Bekim Brestovcin, zv. Ministër në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës, por nuk më ka rastisur të shoh nga radhët e qeverisë dike më antimergatë se atë. Urojmë të mos na përfaqësoj një i tillë!

27 dhjetor 2020