Sot në emër të shokëve të pranishëm e të atyre që nuk ishin të pranishëm, ish të burgosurit politik, veprimtarit të çështjes kombëtare, shokut e bashkëveprimtarit, ushtarit e veteranit të UÇK-së Isa Balaj, në mbledhjen komemorative në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës, i dhash lamtumirën e fundit me këtë fjalë:
Gjyzdije e nderur, të nderuar Adem, Korab dhe Dardan, Sarandë, Shqipdona dhe Shqiponja, Idriz dhe Xhevat, të nderuarat motra Ryvë, Shkurtë dhe Fanë, e nderuara Familja Balaj, të nderuar miq, nuk e kam menduar ndonjëherë se kaq shpejt, sot e në këtë mënyrë do të ndahemi nga familjari i juaj, nga bashkëshorti e babai i juaj, nga vëllai i juaj dhe nga shoku, bashkëvuajtësi dhe bashkëveprimtari ynë, nga ushtari i orëve të para për çlirimin e atdheut, Isai.Sot, në ditën e përcjelljes së trupit të Isait për në amshim, nuk munda të hesht, sepse Isai, që kur unë e njoha në pranverën e vitit 1982, asnjëherë, kur që në pyetje fati i popullit dhe atdheut, jo vetëm që nuk heshti, por e ngriti zërin e tij duke e bashkuar edhe me zërin e qindra e mijëra studentëve e punëtorëve, deri në kup të qiellit, për të drejtat e popullit shqiptar të shtypur nga regjimi kriminel jugosllav dhe shërbëtorët e tij vendor. Mua sot shokët më ngarkuan, ndoshta për herë të parë me një detyrë kaq të rëndë, ngase ato i ruanin për vete, që ta jap lamtumirën e fundit në emër të atyre që janë këtu e të atyre që për ndonjë arësye nuk kanë mundur të jenë këtu e me respekt të përkulën para trupit të tij. Unë Isain e njofta sikurse edhe shumë prej nesh në kushte e rrethana të jashtëzakonshme, sepse edhe gjendja ishte e jashtëzakonshme, madje e shpallur edhe zyrtarisht si e tillë nga pushtuesit e vendit tonë. Na bashkoi e na lidhi halli i atdheut, na bashkoi e na lidhi pranvera e lavdishme e vitit 1981. Për herë të parë e takova në pasditën e 8 prillit të vitit 1982 në oborrin e Burgut të Qarkut në Pejë, nga, pas një gjysmë ore bashkë me te dhe me 24 tjerë, të gjithë të rinjë na nxuarën duarlidhur me zinxhirë, na hipën në autobus dhe na nisën në një drejtim, për të gjithë neve, të panjohur. Posa më nxuarën në oborrin e burgut, të fundit nga grupi, mu afrua një i ri me një trup që vetëm në epikën tonë legjendare mund ta gjeje, me dy-tri rrudha mes vetullash e një shikim karakteristik që e tregonte më të moshuar se ç’ishte me të vërtetë. Ma zgjati dorën me një krenari krejtësisht të ligjshme dhe më shprehi ngushëllime për babain që ishte ndarë nga jeta pak ditë më parë. Pas tij do të më afroheshin edhe të burgosurit tjerë.Ky ishte takimi im i parë me Isa Balajn, por nga ky çast takimet tona nuk do të ndërpriteshin.Takimin tjetër me Isën do ta kishim në njërën prej dhomave të burgut të Qarkut në Zagreb e pastaj edhe ndonjë takim rrallë në shetitoren e Burgut të Gospiqit në Kroaci, ku nuk mund të këmbenim më shumë fjalë se një përshëndetje të zakonshme, pa u vërejtur nga rojat e burgut e pas dhjetë muajsh do të kishim takime të përditshme në repartet e punës së detyrueshme në burgun famëkeq të Stara Gradishkës, ku e vuante denimin e tretë edhe korifeu i lëvizjes për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me vendin amë – Shqipërinë, Adem Demaçi. Aty, pak nga Isai e më shumë nga shokë tjerë do të mësoja për pjesëmarrjen dhe bëmat e tij në demonstratën e 30 prillit të vitit 1981 në Burim, ku duke qenë në ballë të atyre demonstratave dhe duke e hequr flamurin jugosllav e duke e hedhur për tokë, kishte lënë gjurmë të thella, për çka edhe do të denohet me tri vjet burg. Do të mësoja edhe se nuk ishin vetëm ato ngjarje të lavdishme të asaj pranvere të papërsëritshme që ndikuan në formimin e tij, por ishte edhe familja e sidomos vëllai Ademi, i cili që në fund të viteve 70-ta në Gjermani ishte lidhur me veprimtarët e çështjes kombëtare siç ishin Hysen Gegaj, Maksut Saramati e tjerë dhe bashkëpunonte me ta.Sikur të mos i them sot dy tri fjalë për qëndrimin e tij në Burgun e Stara Gradishkës, përjetësisht do ti mbetesha borxh. Trim, i guximshëm, i pa asnjë kompromis me shërbëtoret e pushtetmbajtësve, qëndrestar deri në pakufi, gjithnjë i mbështjellur me një ndjenjë krenarie që nuk mund të cilësohet ndryshe pos krenari e të qenit shqiptar, njeri, zëri i të cilit kumbonte jo vetëm në repartin e punës, ku puna ishte e detyrueshme. Ai bash si në atë thënien „nëse baballarët nuk na e lanë lirinë, na e lanë qëndresën, rrezatonte qëndresë. Vargjet e këngës së Dervish Shaqës „Ndal Shqipni mos thuj mbarova, se djemtë tu ende janë gjallë, n’kambë asht qu e rreptë Kosova, e ban luftën ballë për ballë“, për çdo ditë e mbushnin një pjesë të hapësirës në repartin e zdrukthtarisë ki ishte caktuar detyrimisht të punonte bashkë me neve dhe ku asnjë herë nuk e kalonte 25% -shin e normës.Pas tri vjetësh Isai do të dalë nga burgu, më i fortë, më i pjekur më i përgaditur për sfidat e reja, të cilat do ta presin në rrugëtimin e tij për lirinë e Kosovës, të cilin rrugëtim asnjëherë nuk do ta ndalë. Jeta e rëndë në burg, torturat dhe kërcënimet nuk arriten ta frikësojnë dhe ta bëjnë që të heq dorë nga lufta e lavdishme për çlirim nacional e social dhe për bashkim me vendin amë Shqipërinë. Pjesëmarrës të nderuar, „Njeriu nuk është përgjegjës për marrëdhëniet shoqërore e politike që i gjenë kur vjenë në këtë jetë, por është përgjegjës për veprimet e tij që çojnë në ruajtjen apo shkatërrimin e atyre marradhënieve“, ka thënë një i ditur, prandaj Isai me të dalë nga burgu nuk do të heshtë, nuk do ta marrë arratinë, por do ta marrë bashkë me shumë shokë përgjegjësinë e veprimeve që çuan në formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në shkatërrimin e atyre marrëdhënieve shoqërore e politike që mbisundonin në atdheun tonë, në hapësirën e Kosovës – kësaj pjese të Shqipërisë, të pushtuar nga fqinjët tonë grabitçarë, Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Ai iu bashkua radhëve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës ku ngusht bashkëpunoi me anëtarë dhe jo anëtarë të Lëvizjes si me Ali Çekun, Haki Morinën – Hakën, Skender Çekun, Xhavit Halitin, Lulëzim Kullashin, Gazmend Agushollin, Ethem Çekun, Ejup Balën e më vonë, pas daljes nga burgu edhe me Binak Dinajn e Xhevat Zekajn e shumë të tjerë nga Peja e rrethina dhe Burimi e regjioni i Podgurit e Lugut të Drinit.Miq të nderuar, shtëpinë e Lush Balës, gjegjësisht shtëpinë e tij dhe të vëllezërve të tij, Isai që sot po ia japim lamtumirën e po ia bëjmë nderimet, me siguri jo të fundit, nga vera e vitit 1988 e shndërroi në një depo të vogël për ruajtjen e atyre pak armëve që herë pas here përmes kanalesh të ndryshme arrinin nga organizata që pos në Kosovë, vepronte në disa vende të Evropës Perëndimore, e së cilës i përkiste edhe vet.Krisma e atyre armëve të cilat i ruajti dhe u përkujdes për to Isai, do të dëgjohet në betejat e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, të cilat përfundimisht e larguan çizmën e pushtuesëve serbë.Lufta, e cila për shqiptarët nuk kishte pushuar asnjëherë, Isain e gjeti në radhët për të cilat ishte përpjekur dhe me të cilat kishte marshuar tutje, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë me siguri do të flasin shokët e Isait nga fushëbetejat e lavdishme.Miq të nderuar, qysh atë pranverë që e njoha, nuk pashë as dëgjova qoftë edhe një herë të vetme të thotë u lodha. Ai vazhdonte tutje pa u ndalur, gjithnjë në anën e duhur të historisë së popullit shqiptar. Edhe kur u plagos, në ato biseda të rralla që i kishim me njëri tjetrin, ndonjëherë edhe me pak humor, nuk ankohej për shëndetin e tij, por për atdheun e tij dhe gjendjen në të cilën ai gjendej, për llogoren që e kishte lënë, vetëm përkohësht, i shtyrë nga plagët…Tani, për të mos u zgjatur më shumë, në emër të të gjithë shokëve dhe bashkëveprimtarëve tuaj, po të drejtohem ty, miku ynë i shtrenjt Isa: Të njohëm si luftëtar dhe si luftëtar e përfundove jetën duke mos iu dorëzuar për kaq shumë kohë as sëmundjes.
Ti i arrite majat më të larta të veprimtarisë atdhetare pa rrahur gjoks dhe luftën për atdhe nuk e more si hobi, por ashtu si edhe e kishe, si detyrë, të cilën e kreve me plotë nderë e përkushtim. Ti, duke ikur sot, neve që patem të bëjmë me ty, po na i len kujtimet më të mira, po na lenë shembullin se si duhet atdheu dhe si duhet luftuar për të, po na e lenë krahas dhimbjes që të humbëm edhe krenarinë që të patëm bashkëkohanik dhe shok e bashkëveprimtar e bashkëluftar. Atdheut, ashtu si edhe familjes dhe ne shokëve ende na je dashur Isa, por natyra i ka ligjet e veta. Edhe vdekja, e cila jorrallëherë din të koritet. Ajo të mori duke na lënë më të varfër për ty si një njeri e luftëtar, si një shok e bashkëveprimtar shembullor, duke e lënë Atdheun më të varfër për birin e tij besnik që asnjëherë nuk ia kthej shpinën. Ajo, duke të marrë ty kaq heret, përjetësisht u korit!Gjyzdije e nderur, të nderuar Adem, Korab dhe Dardan, Sarandë, Shqipdona dhe Shqiponja, Idriz dhe Xhevat, të nderuarat motra Ryvë, Shkurtë dhe Fanë, ju sot keni humbur bashkëshortin, prindin dhe vëllain tuaj, Familja Balaj ka humbur anëtarin e saj, ne kemi humbur shokun dhe bashkëveprimtarin kurse Atdheu luftëtarin e vetë të denjë e besnik, ndaj, nuk dij kuj më parë t’i them ngushëllime, ngase të gjithë me humbjen e Isait kemi humbur një pjesë të rëndësishme tonën. Edhe ju, edhe ne, edhe Atdheu, edhe kombi, prandaj, të gjithëve ngushëllime! Isai pushoftë i qetë në tokën për të cilën aq shumë luftoi e lavdia e kujtimi për të qofshin të përjetshme!
Pejë, 23 gusht 2022
add a comment