Tani më u fol mjaft për qartësinë dhe paqartësinë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për ligjshmërinë e krijimit të Qeverisë Hoti. Asgjë nga të dhënat dhe të thënat e deritanishme rreth këtij vendimi nuk nxorën gjë në dritë, pos hileve jo të vogla të kësaj gjykate, të shumë analistëve dhe edhe të shumë juristëve që merren me analiza juridike e politike, të cilët jo brenda dy-tre ditësh, por brenda dy – tre orësh nuk iu vie siklet të bijnë në kundërthënie me vetëvetën, duke harruar se çfarë kanë thënë për njërin TV e çfarë për tjetrin portal për të drejtën e kandidimit apo moskandidimit të Kryetarit të LVV-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen me 14 shkurt.
Pra, pos që doli në shesh se vendimi nuk ishte i qartë, doli në shesh se ai në vete përbënë edhe hile të bollshme.
Sikur t’ia mbanin ison vendimit të Gjykatës Kushtetuese edhe disa analistë shqiptarë në Prishtinë, pos që mbollën edhe më shumë mjegull, ata i nxorën në sipërfaqe edhe hilet e tyre të shumta, që gati-gati në kor filluan fushatën kundër VV-së e sidomos kundër kryetarit të saj, Albin Kurtit, madje duke bërë përpjekje që ta mbështjellin edhe me ideologji!
Se koha e Albin Kurtit ka ardhur, nuk ka dyshim. Këtë e dijnë sikur analistët, portparolë të partive, që për 20 vjetë qëndruan në pushtet, poashtu e dijnë edhe shefat e tyre që pushtetuan e besa edhe shkretuan për këto njëzetë vjet. Ata, duke qenë të vetëdijshëm për këtë, nuk po lënë gurë pa lëvizur për ta ndalur këtë kohë, por koha ecën dhe nuk ndalon dot.
Për të ardhur kjo kohë rol më të madh luajtën vetë aktorët politikë të këtyre 20 vjetëve se sa vetë kryetari i LVV-së Albin Kurti. Arësyeja për këtë mund të shpjegohet me një shembull krejt të thjeshtë. Ndonëse grumbullimet e njerëzve kanë rënë shumë për shkak të pandemisë, sikur ndjehet fryma a tyre dhe mendimi e dëshira e tyre: „Edhe dreqi le të vije, vetëm këta le të shkojnë!“
Unë uroj që këta të shkojnë sa më lehtë dhe sa
më shpejtë!
Me siguri se të qëndruarit për nja 8 vjetë në opozitë do t’u bënte mirë. Deri
atëherë shumë politikanë do të shkonin në pensionin e „merituar“, shumë tjerë
do të gjenin punë tjera e të rinjtë do të përgaditeshin për të udhëhequr
shtetin.
II
Hilet sikur nuk kanë të sosur. Pos në Gjykatën Kushtetuese, hile po na dalin edhe në KQZ-në e Kosovës.
Më 10 qershor të vitit 2017 iu pata drejtuar kryetares së KQZ-së, Zonjës Valdete Daka, me një letër të hapur, të titulluar: „Pse na mohuat të drejtën për të zgjedhur?“, të cilën e patën botuar „Radio Kosova e Lirë“, gazeta „Tema“ në Tiranë dhe portali „Pashtriku.org“. Atë kohë e pata ndjerë thellë se qesh privuar nga njëra prej të drejtave më elementare demokratoike – prej të drejtës për të zgjedhur, por as sot nuk po e ndjej ndryshe. Të njëjtën gjë, ndonëse ende nuk janë mbajtur zgjedhjet, e ndjeva edhe sot. Pra, edhe sot, sipas vendimit të KQZ-së për votimin e mërgimtarëve e ndjeva veten të privuar nga kjo e drejtë.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së sot paskësh thënë për „Express“-in se periudha e aplikimit për t’u regjistruar votuesit jashtë Kosovës është nga data 13 deri më 21 janar.
Përgjigjet për regjistrimin apo mosregjistrimin e një mergimtari në listën e zgjedhësve, për një arësye apo një tjetër, mbështetur në përvojat e kaluara, vonohen, madje aq shumë sa çdo afat do të jetë i kaluar. Pastaj pranimi i fletëvotimeve, sipas zëdhënësit të KQZ-së do të bëhët prej datës 2 deri më 12 shkurt. A do të jetë e mjaftueshme kjo kohë që mergimtarët ta kryejnë detyrimin e tyre qytetar, por edhe ta realizojnë të drejtën për të zgjedhur. Sigurisht se nuk mjafton. Në vend që si datë valide të merret vula e postës, në të cilën gjendet edhe data, KQZ-ja duke iu bashkuar sinkronit të hilexhinjëve të Gjykatës Kushtetuese dhe shumë analistëve, iu bënë hile mërgimtarëve duke e marrë për bazë datën 12 shkurt, datë kjo kur duhet të jenë fletëvotimet në KQZ!?
Nuk është shumë largë mendjes që edhe PTK-ja do t’i bashkangjitet këtij sinkroni duke i mbajtur, apo edhe zhdukur fare shumë fletëvotime të mërgimtarëve. Me rëndësi është të ndalet koha, por për fat ajo nuk ndalet. Ajo ecën!
III
Se veladonët e zinj të KOS-it (akronim që asocon në Shërbimin Kundërinformativ të Jugosllavisë) – Kishës Ortodokse Serbe, tradicionalisht kanë qëndruar në anën e errët të historisë, nuk ka dyshim. Ashtu si rrobat e tyre të zeza, dhe kamillafët e tyre të zinjë mbi kokat e tyre, gjithnjë vetëm zi, terr e gjak mbollën e bekuan. Fatkeqësi për popullin e vendin që i ka.
Zëri i zbeht i intelektualëve serbë, përjashto Vesna Peshiqin, Zagorka Golluboviqin, Çedomir Jovanoviqin e ndonjë tjetër që nuk janë zëra të zbehtë, por luftëtarë për të drejtat e njeriut me plot kuptimin e fjalës, ende nuk po e ka forcën për ta neutralizuar atë zë korbash e klerikësh të KOS-it.
Gjatë dy ditëve të fundit pat një si t’i them lloj polemike mes Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë Vladimir Kostiq dhe KOS-it lidhur me çështjen e përkatësisë së Kosovës. U tha se Peshkopi i KOS-it Grigorije paskësh thënë se „Kosova është e jona“, gjë që kryeakademikun serb Vladimir Kostiq e paskësh bërë të thotë se „Kosova nuk është e jona, këtë duhet sa më shpejt ta kuptojmë. Kujt i duhet kjo gënjeshtër?“
Pas kësaj në Serbi kanë filluar reagimet kundër Kostiqit, duke bërë që edhe ai vetë deri diku ta mohoj. Reagime pat edhe nga „deçanasi“ me veladon të zi, Sava Janjiq, i cili në profilin e tij në Facebook e sjell deklaratën e akademikut Kostiç (nëse vërtetë e ka thënë) se e vetmja politikë e mençur është se në ç’mënyrë, me elemente krenarie, ta lëshojmë Kosovën, e cila as de facto e as de jure nuk është në duar të Serbisë“
Kosova as është e as do të jetë ndonjëherë në duar të Serbisë, por pse Sava Janjiq bashkë me janjiqët tjerë nuk po duan ta mësojnë, është çështje tjetër. Ai thotë se kjo deklaratë dhe të tillat si kjo i shkaktojnë dëm Serbisë. Të jetë aq injorant sa të mos e kuptoj se jo deklarata e Kostiqit a e ndonjë tjetri i sjellin dëm Serbisë, por dëm i sjellin deklaratat e tij dhe të tillëve si ai, sidomos i atyre me veladonë e kamillafë të zinj si udhëheqës shpirtëror të atyre që iu besojnë.
Sidoqoftë edhe pak dhe, edhe mes dhëmbësh, kanë filluar ta shohin e kuptojnë realitetin.
Këta me rroba e zemra të zeza ende nuk janë ngopur me gjak.
Edhe kjo për të ardhur keq!
Koha nuk ndalet dhe nuk kthehet pas!
IV
Duket se zhvillimet politike gjatë vitit që sapo e lamë pas kanë bërë që të „kthjellen“ disa koka „politike“, të cilat në partitë e tyre vranin e kthjellnin. Vendimi i Fatmir Rexhepit për të mos u kandiduar më, është për çdo respekt. Mëdyshjet e Agim Veliut për t‘u kandiduar nuk meritojnë ndonjë vëmendje. Ai tani më ka fituar epitetin e humbësit të vitit me tri humbje të njëpasnjëshme. Edhe humbja e katërt nuk do të ishte e shëndetshme për të, ndërkaq me emërimin e Dullës bartës të listës, i kanë tejkaluar mundësitë e tij. Të moçmit kanë thënë: „Lum ai që ia di hallin veti!“ Ai të paktën para se ta pranoj emërimin është dashur ta dij se shefi i është plakur dhe dhe do të plaket edhe më tutje e gishtat për t’i ndërruar kanalet më nuk i punojnë.
Të kandidohen njerëz që krijuan qeveri duke e shkelur kushtetutën, është e papresedan, por besoj fort se zgjedhësit do t’ua tregojnë vendin dhe do t’ua japin atë që meritojnë.
Përpak harrova: Listës së ideologjive iu shtua edhe një ideologji. Iu shtua ideologjia rugoviste!? Për kurreshtarët, këtë e zbuloi Luta nga Gjilani, i cili nuk do të kandidohet për deputet.
Duket se ende asgjë nuk kemi parë e dëgjuar, çfarë do të shohim e dëgjojmë në ditët, javët e muajt në vazhdim. Vetëm durim!