Lëvizja\UÇK

Ibish Neziri: Fjalë rasti në shënimin e 40 – vjetorit të LËVIZJES në Dibër

FJALË RASTI NË SHËNIMIN E 40 VJETORIT TË LËVIZJES NË DIBËR MË 27 NËNTOR 2022

Motra dhe vëllezër dibranë,

Miqë të nderuar,

sot, për mua është një nderë dhe privilegj i dyfisht. Është nderë dhe privilegj i dyfisht ngase më ra shorti që me pak fjalë ta shpalos para jush rrugën e gjatë dhe të vështirë përmes së cilës heroikisht hapëroi Lëvizja Popullore e Kosovës nga themelimi deri te liria dhe tutje. Është nderë dhe privilegj i veçantë, poashtu, sepse do të flas sot para pasardhësve të Skënderbeut dhe Moisi Golemit, para pasardhësve të Isuf e Cen Elezit Isuf Xhelilit dhe gjithë atyre heronjëve dhe heroinave që  Dibra ia dhuroi historisë së kombit në të gjitha etapat e zhvillimeve të saj.

 

Pjesëmarrës të nderuar, u bënë 7 vjetë që kur u themelua Shoqëria Lëvizja. Në njërën ndër pikat kryesore të deklaratës themeluese, shumë qartë është e thotë se qëllimi i themelimit të Shoqërisë Lëvizja është mbledhja, ruajtja, kultivimi dhe shpalosja e vlerave historike të Lëvëzjes. Andaj,  ne, në këtë moment, pikërisht po e shpalosim para jush vlerën e Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila nuk ishte vetëm e Kosovës, por e gjithë hapësirës gjeografike shqiptare të pushtuar nga fqinjët tonë grabitçarë, në radhët e së cilës në mesin e drejtuesve të saj kishte pos kumanovar, tetovar, gostivaras, kërçovar, strugan, kishte edhe dibran, njëri prej të cilëve ishte edhe Mergim Isaku, apo Muharrem Dovolani siç e thërrisnim ne, i cili pos në Lëvizje ai dha kontribut të madh edhe në Fondin Vendlindja Thërret, ku e udhëhoqi Fondin për SHBA dhe Kanada.

 

Unë sot kam nderin dhe privilegjin që shkurt para jush ta shpalos me pak fjalë, veprimtarinë e Lëvizjes Popullore të Kosvës, e cila këtu e dyzetë vjetë më parë doli nga bashkimi i organizatave ilegale, Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës dhe Fronti i Kuq Popullor, ku përmes përfaqësuesëve të tyre Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla të cilët jo vetëm me programe, por edhe me gjakun e tyre e bënë bashkimin duke formuar, më 17 janar të vitit 1982, Lëvizjen Popullore për Republikën Shqiptare në Jugosllavi, si hapin e parë drejt bashkimit kombëtar.

 

Pra, me 17 janar të vitit 1982, u themelua Lëvizja, por po këtë natë ranë dëshmorë tre themeluesit e Lëvizjes, të cilët u bënë shembull frymëzimi e qëndrese për të gjithë brezat që erdhën pas tyre. Vrasjet e atdhetarëve shqiptarë – anëtarë të Lëvizjes vazhduan njëra pas tjetrës nga dora gjakatare e pushtusëve sllavë, por rruga dhe lufta e Lëvizjes , e cila deri në çlirimin e Kosovës dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk u ndal asnjëherë, por iu priu të gjitha proceseve duke  mbajtur lartë frymën atdhetare dhe duke e çuar tutje luftën për liri dhe bashkim.  Kudo ishte nevoja, aty e gjeje Lëvizjen Popullore të Kosovës, si organizat nacionalclirimtare. Sot për Lëvizjen komuniteti i historianëve anë e kënd viseve shqiptare, po mbanë simpoziume shkencore duke e trajtuar si vlerë të lartë historike. Studjuesit dhe studjeset e reja në katedrat universitare po mbrojnë teza magjistraturash dhe doktoraturësh mbi veprimtarinë çlirimtare të Lëvizjes…

 

Deri sa studjues të rinjë e të vjetër e studjojnë këtë organizatë Çlirimtare, komuniteti i poetëve dhe artistëve, me të drejtë  thurën edhe vargje dhe  këndojnën këngë për të. Nuk thuhej kot në vargjet e një kënge: „Lëvizje e popullit neve jemi, ku të na lypni, do të na gjeni“ dhe Lëvizja ishte kudo brenda e jashtë vendit, ishte në protesta dhe demonstrata;

Ishte organizatore dhe pjesëmarrëse edhe në demonstratat e vitit 1988, 1989, 1990, ishte gjithkund ku e kërkoi atdheu dhe në fund  edhe në luftërat që i përgaditi dhe i udhëhoqi vetë në fundshekullin e kaluar, të cilat nuk mbetën pa rezultate për kombin shqiptar.

 

Ne sot po e shënojmë me krenari këtu, mes jush, në Dibrën e trimërisë dhe bujarisë 40 vjetorin e themelimit të Lëvizjës, krijuesës së USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, e cila e ndihmuar nga Aleanca e Veriatlantike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës çoi  në çlirimin e Kosovës, si dhe dy simotrave të saj,  USHTRINË ÇLIRIMTARE TË PRESHEVËS, BUJANOCIT DHE MEDVEGJËS, si dhe  USHTRINË ÇLIRIMTARE KOMBËTARE, në të cilën  drejtuesit e Lëvizjes u bënë dhe drejtues të  tri luftërave, të cilat pak a shumë çështjen shqiptare e çuan përpara.

 

Nuk është kohë e largët, kur pikërisht këtu në Dibër fëmijët janë mbajtur me vjetë pa u regjistruar për shkak të pagëzimit me emra shqip, ndërkohë që tani,  pos që fëmijet pagëzohen me emra shqip, të drejtat e shqiptarëve u shtynë përpara nga luftërat e sapopërmendura.

 

Kosova u pavarësua. Cështja shqiptare dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut u ngritën për disa shkallë më lartë,  ndërkaq botës demokratike iu bë e qartë se në Kosovën Lindore, e cila po vazhdon të mbahet e pushtuar, është një popull që po i shkelen e po i shtypen të drejtat e tyre historike në mënyrën më të egër.

 

Deri sa ne sot e kujtojmë dyzetë vjetorin e themelimit të Lëvizjes, natyrisht se me dhimbje dhe krenari i kujtojmë edhe themeluesit e saj Jusuf Gervallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën, të cilët po atë ditë që e themeluan, me gjakun e tyre i dhanë vulën bashkimit dhe ngritjes në këmbë të popullit shqiptar për tu çliruar dhe bashkuar, dhe njëkohësisht i shprehim respektin tonë edhe Ibrahim Kelmendit, poashtu njëri nga themeluesit e kësaj Lëvizje.

 

Të nderuar miq, me që Lëvizja e themeloi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duhej krijuar edhe strukturat tjera të saj përclellëse, njëra prejt të cilave ishte financimi që bëhëj prej Fondit Vendlindja Thërret, i cili daton qysh në vitin 1993.

 

Në strukturat e këtij fondi u përfshinë të gjitha strukturat e Lëvizjes Popullore të Kosovës bashkë me anëtarësinë e saj. Jashtë këtyre strukturave nuk mbetën as dibranët, emrat e disa prej të cilëve sikur të mos  i përmendja sot, si Qenan Amen, Fatmir Klloboçishtën, Isen Spahiun, Murat Nelën, Bashkim Klloboçishtën veprimtar të Fondit Vendlindja Thërreth, si dhe Fatmir Mehmet Abdullahun e Naxhi Egriun, ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Batalionin Atlantiku, përjetësisht do të isha turpëruar.

Nuk janë vetëm këta, por ka edhe shumë tjerë, emrat e të cilëve nuk i dij, por mbase do të përmenden nga të tjerë për punën e angazhimin e tyre në përpjekjet për çlirim e bashkim.

 

Motra e vëllezër të dashur, nuk do të zgjatem më shumë, por me që jemi në vigjilie të festave të nëntorit nuk mund të mos i them edhe dy fjalë dhe të ju uroj për këto festa.. Nesër është 28 Nëntori dhe nuk ma ha mendja që ka popull në botë që i ka aq shumë ngjarje me rëndësi kombëtare, ato më të rëndësishmet sikur ne shqiptarët që ndërlidhen me një datë të vetme siç është 28 nëntori, të cilin padyshim do ta quaja Nëntori i Shqiptarëve, muaj i shqiptarëve, Dita e fitoreve të mëdha.

 

Nesër e shënojmë 579 vjetorin e kthimit të Skënderbeut në Krujën e bekuar siç e ka quajtur poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, ku sipas të dhënave të historianëve të ndryshëm, ai kaloi pikërisht për Dibrën tuaj e tonën.

 

Po 28 nëntori i vitit 1912, këtu 110 vjetë më parë Ismajl Qemajli i shoqëruar nga burrat më të mirë të kombit nga të gjitha krahinat e vendit e ngriti flamurin në Vlorë dhe e shpalli Shqipërinë e pavarur. Mes këtyre dy nëntorëve ishte një kohë e gjatë por pas nëntorit të dytë sikur nuk harroi zoti, por 43 vjetë më vonë populli shqiptar mori një  dhuratë të cmueshme si bekim i zotit. Këtë ditë leu Adem Jashari i cili do ta bëjë historinë si Komandant Legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila po me 28 nëntor si sihariq për  lirinë që bijtë më të mirë po ia sillnin vendit e popullit, doli në skënë famëmadhja USHTRI ÇLIRIMTARE E KOSOVËS.

 

Prandaj motra e vëllezër të dashur, më lejoni që në emrin e Shoqërisë Lëvizja dhe në emrin tim përsonal si anëtarë i kësaj shqoëri tua uroj festat e nëntorit!

Gëzuar e atdheun e paqim për jetë të jetëve të lirë e të Bashkuar!

Rroftë populli heroik shqiptar!

Lavdi të gjithë të rënëve të të të gjithë luftrave për çlirim dhe bashkim!