Pas një heshtje bukur të gjatë, përsëri doli në skenë Richard Grenell. Nga deklaratat e tij që po i jep rafal, sikur të ishin rafale kallashnikovi, paksa vështirë të kuptohet nëse vërtetë për Kosovën ka dashuri platonike apo urrejtje patologjike për Albin Kurtin.
Mbase dikush, apo thënë më mirë vazalët e tij në Kosovë do ta paraqitnin si dashuri platonike për Kosovën, sjelljet dhe deklaratat e tij lidhur me Kurtin e dëshmojnë të kundërtën. Richard Grenell nuk ka dashuri platonike për Kosovën, por ka urrejtje patalogjike për Albin Kurtin, të cilin nuk mund ta sheh në pozitën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, meqë njëherë e pat përmbysur me shumë ndërskamca e prapaskena.
Pas përmbysjes që vitin e kaluar Richard Grenell dhe vazalët e tij në Prishtinë i bënë qeverisë Kurti 1, ra edhe vetë bashkë me klasën politike të cilës i përkiste.
Ai vetë si një diplomat i dështuar, arriti që të bëhët i padëshiruar edhe në vendin më aleat (pas Kosovës), siç është Gjermania, filloi të merret intenzivisht me Kosovën për hesape të shefit të vet, ish presidentit të SHBA-ve Donald Trump, i cili nuk e kishte as idenë më të vogël se ku i bie Kosova. Gjithë këtë e bëri për t’i ndihmuar atij për t’i fituar zgjedhjet, të cilat si rrallkush nga presidentët e SHBA-ve nuk i fitoi për herë të dytë dhe pasi ato i humbi, për ta mbrojtur karrigen në Shtëpinë e Bardhë, desh i vuri flakën Capitol Hill-it.
Edhe tani pas fitores par ecxellence të Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit, ai, si thotë populli „e qiti shpatën mbi setër“ dhe filloi sulmin kundër kryeministrit në ardhje duke e quajtur «antiamerikan», ngase nuk e paskësh dëgjuar, apo dikur paskësh qenë kundër presidentëve Klinton e Bush, kundër nënpresidentit Biden e kundër Amerikës, meqë ka kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi, formimin e Gjykatës Speciale dhe Asociacionin e Komunave Serbe.
Nëse Kurti ka qenë kundër këtyre veprimeve, të cilat katërcipërisht u treguan të dëmshme për vendin, me çka Kosova i humbi 8200 hektarë tokë, meqë Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetues dhe Gjykata Speciale doli të jetë anti UÇK në veçanti e antishqiptare në përgjithësi, nuk do të thotë se Kurti ishte apo është antiamerikan, pos në insinuatat e Richard Grenellit.
Rafalet e „Ricit“, për të cilat me të vërtetë nuk është kush në Kosovë i interesuar pos telekomandave të tij, të cilave tani më u janë lodhur betaritë, bënë që të reagoj edhe një diplomat shumë i mirënjohur karriere dhe me një përvojë të gjatë në politikë e diplomaci dhe njohës i mirë i çështjes shqiptare, Wolfgang Ischinger, i cili Grenellit me të drejtë i kërkoi që të pushoi së ndërhyri në punët e Kosovës, me që mandati i tij tanimë ka përfunduar, por edhe sikur të mos kishte përfunduar, në fund të fundit, Albin Kurti është zgjedhur me votën e mbi 50% të popullsisë së Kosovës dhe Kosova vetë me votën e saj e përmbysi edhe politikën grenelliane në Kosovë, prandaj Grenelli do të bënte mirë t’i ndalte rafalet sepse me rafalet e tij nuk po e gjuan vetëm Albin Kurtin, por edhe mbi 50% të popullsisë së Kosovës, e cila në asnjë mënyrë nuk është as antiamerikane e as antikosovë.
Kosova nuk ka nevojë për një „dashuri“ të tillë platonike të Grenellit e as për një urruejtje patologjike për Albin Kurtin. Ajo sikur ta donte dashurinë e Grenellit, do t’ia votonte veglat përmes të cilave e demonstroi politikën e tij ndaj Kosovës duke ia rrëzuar edhe qeverinë, e jo Albin Kurtin, i cili nuk iu përkul politikës së tij.