Në vend të urimit për Nëntorin tonë pranveror dhe flamuror
Hydajet Hyseni
UDHËTIMI FLAMUROR I ISA BOLETINIT
(Rapsodi e vazhduar për një shtegtim të papërfunduar…)
1.
Nëpër male shtegton Drini;
Shpejton Isa Boletini.
Nëpër muzg e shqyen borën,
Në gacë të llullës shikon orën.
Këqyr kah Deti, herë kah Kosova:
“Haj medet, thotë, u vonova…!”
Përmbi vetull e çon dorën,
Dhe i duket se shikon Vlorën.
Sheh flamurin si valëvitet,
Ngutet Isa e nuk i pritet:
“Gjallë a vdekë, sot a nesër,
Do të jem në Vlorë patjetër…!”
Plaku i Vlorës i fanitet,
Diçka pret e nuk i pritet.
Dorën plaku e shkon në mjekër:
“Do t’ arrijë Isa patjetër…!”
Mërmërin dhe Drini i vjetër:
“Do t’arrijë Isa pa tjetër!
Herët a vonë, sot a nesër,
Do t’arrijë Isa, pa tjeter…”
2.
Përmes fushe, shket Shkumbini :
“Këmbë të mbarë, Isë Boletini!”
Një lot gëzimi, për lule Vlorën,
Një lot dhembje, për Shalë Bajgorën…
Lotët pikin mbi Flamur,
Loti ngrin, bëhet gurë:
“-Is’ Qemali, mirë se të gjeta!”
“-Is’ Boletini, tungjatjeta…!”
Një kré Shale e një kré Vlore,
Një Shqiponjë shqiptare, dykrenore…
Boletini sheh nga Kanina:
-” Era breshër vjen nga Janina…!”
Plaku i Vlorës sheh kah Ulqini,
Kah Karadaku, kah Boletini…
Sy e shpresë kah Evropa:
“-Nuk ka paqe, copa – copa…”
-“I dua bashkë, vatanet e mia”,
-“Unë jam mirë,”kur është mirë Shqipnia…”
Nga Evropa gjëmon gjemia
Turfullon pas, historia…
Dita vjen, nata nuk shkon,
Nuk dihet, ç’lind as ç’perëndon…
Përmes valësh, në stuhi e mjegull.
Dita – vjet e nata – shekull…
Midis valësh, një varkë rrëshqet:
“-U vonuam, Haj medet…!”
Oshëtin Korabi i vjetër:
“Do të vijë, Isa, patjetër…
Herët a vonë, sot a nesër,
Do t’ arrijë Isa patjetër…”
3.
Nëpër male dredhon Drini,
Ngjitet Isa, kah Boletini.
E udhëtimi nëpër natëzezë
Është i gjatë, i pabesë…
Një urë guri me gurgullimë
Bubullimë e ulurimë:
-“Dorëzohu Isë, je në pusi…
Nuk ke shteg për në Veri…”
Një xixë stralli, një unur,
Një erë eshke, një gacë në llullë…:
-“Jam n’ udhë time, or pritazi,
Nga Shqipnia, shkoj, në Shqipni…
Udhë e shenjtë, që s’ndalet kurrë,
Si ky ujë që rrjedh nën urë…”
Krisma e britma, terr e mjegull,
Zgjatet nata, bëhet shekull…
Matan bjeshke pret Dukagjini:
“-Do t’arrijë Isë Boletini…”
4.
Me sy kah Deti, gjarpëron Drini,
Ngjitet Isa, kah Boletini…
Udhëtim i gjatë, i gurtë, i ngurtë…,
I flakëruar, i flamurtë…
Nga dredhia në dredhi,
Nga pabesia në pabesi…
Agon dita e nata s’shkon;
Dielli ndrin e nuk rrezon…
Një hap nga Dibra, një nga Gjakova:
“-Haj medet thotë u vonova…!”
“Aq shumë gjak, aq shumë fëmijë,
Kush, po thotë: s’ ka Shqipni…?!!…”
Plaku i Vlorës i fanitet,
E pret Isën e nuk pritet:
“Is’ o Lis flamuror;
Në ballë të hapit shekullor,
Shtizë flamuri, arbëror,
Shkup e Shkodër, Shalë e Vlorë…”
Dorën Plaku e qon në mjekër:
“-Do të arrijë Isa, patjetër.
Herët a vonë, sot a nesër
Do t’arrijë Isa, patjetër…”
Pret Bajgora buzavaj,
Një shkëmb kristal nga gjiri i saj;
Mërmërin dhe Kulla e Vjetër :
-“Do t’arrije Isa, patjetër… “
5.
Në gërxhe e gryka oshëtin Drini:
“S’ ndalet Isa Boletini…
Heret a vonë, sot a nesër,
Do t ‘arijë Isa, patjetër…
Nga kjo rrjedhë a rrjedha tjetër,
Do t’arrijë në cak pa tjetër.”…
1984, “CZ”-2015, Pr
add a comment