Nderim atdhetarit përbashkues Nezir Gashi! Nezir Gashi, biri i familjes luftarake atdhetare dhe pasues i idealeve të Ibish Gashit dhe brezit të tij, është një nga emrat më të njohur dhe më të respektuar të veteranëve të Lëvizjes sonë kombëtar e çlirimtare dhe i burgosur politikë i katërfishtë. Midis tipareve të shumta e të mirënjohura që e shquajnë Nezir Gashin, ishte edhe përkushtimi i tij konstant, përafrues dhe përbashkues i brezave dhe krahëve të ndryshëm politikë e ideologjik, përkushtim të cilin ai e dëshmoi më së miri me shembullin e tij praktik në të gjitha kohët. I lindur matanë dhe i rritur këndej kufirit shqiptaro-shqiptar, Nezir Gashi u mishëruar natyrshëm me kryeaspiratën shqiptare për një Atdhe të lirë, të njëjsuar dhe të integruar, përreth Flamurit tonë të përbashkuar.
Ishte nga intekektualët e rinj që iu bashkuan plejadës prijatare të Orgnizatës Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, të Adem Demaçit e Ramadan Shalës me shokë; ishte një nga frymëzuesit e brezit studentor të Nëntorit pranveror ’68; ishte një nga përkrahësit e haptë të Pranverës Shqiptare ’81 dhe si i tillë ishte njëri nga të burgosurit dhe të persekutuarit e vitit 1981 dhe më vonë edhe i vitit1984; ishte një nga aktivistët e devotshëm të Lëvizjes së padhunshme politike të viteve ’90 dhe protestës së studentëve të viti ’97 kur, për pasojë, u burgos për të katërtën herë… Kur e kërkoi koha dhe interesi kombëtar, Nezir Gashi, “Babushi rinisë”, siç e quanin luftëtarët e rinj, ishte nga luftëtarët më të moshuar dhe më të respektuar të luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare… Pas fitores së luftës Nezir Gashi u angazhua me të njëjtin përkushim, idealizëm, parimësi dhe ndershmëri për fitoren e paqes dhe procesit historik jo më pak të rëndësishëm të shteformimit, demokratizimit, evropeizimit, zhvillimit e konsolidimit të gjithanshëm, paravjtës dhe mbarëvajtës… Nezir Gashi ishte jo vetëm frymëzues dhe forcë vepruese, por edhe urë afrimi dhe katalizator përbashkimin e atdhetarëve të njëmendët, pavarësisht nga përkatësia krahinore, fetare, ideologjike a partiake. Si i tillë do të kujtohet e nderohet gjithmonë dhe do të jetë frymëzim i përhershëm i brezave, që përbashkoi ai, si dhe i brezave pasues të idealeve dhe rrugëtimit liridashës, arsimdashës, përparimdashës dhe drejtësidashës të atdhetarëve frymëzues dhe model si Nezir Gashi me shokë. I përjetshëm kujtimi dhe nderimi për atdhetarin përbashkues Nezir Gashi dhe për veprën e tij të pavdekshme!